Postuar më: 05/05/2022

Tregu i brendshëm dhe konkurrenca, Shqipëria raporton në KE mbi reformat e ndërmarra në kuadër të integrimit në BE

U zhvillua në Bruksel takimi i 13-të i Nënkomitetit të Stabilizim – Asociimit BE-Shqipëri “Tregu i brendshëm dhe konkurrenca, duke përfshirë mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit” 2022.

Nënkomiteti drejtohej nga zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia, ndërsa në të marrin pjesë përfaqësues të disa institucioneve të vendit.

Gjatë punimeve, Shqipëria raportoi mbi reformat e ndërmarra në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian, për fushat e konkurrencës dhe liberalizimit në treg, prokurimit publik, pronësisë industriale, shërbimeve financiare dhe si dhe ofrimin e shërbimeve, duke siguruar që të zbatohen të gjitha kushtet teknike për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare brenda këtij viti.

Shqipëria u vlerësua për kontributin dhe punën e realizuar nga institucionet shqiptare në kuadër të anëtarësimit në BE duke dëshmuar se Shqipëria ka bërë progres në të gjitha fushat që mbulon ky nënkomitet.

Nga ana e përfaqësuesve shqiptarë, u raportua se Shqipëria ka vijuar të realizojë reformat kryesore në lidhje me axhendën e anëtarësimit në BE dhe specifikisht u ndalën në çështjet e mëposhtme:

 

Në fushën e Konkurrencës dhe ndihmës shtetërore u raportua lidhur me përafrimin legjislativ me acquis të BE-së, kapacitetet administrative dhe pavarësisë operacionale të Komisionit të Ndihmës Shtetërore dhe të sekretariatit të saj. Autoriteti i Konkurrencës informoi se ka miratuar një udhëzim në vitin 2021 dhe në proces përgatitjeje është dhe një tjetër. Është ngritur një grup pune për përgatitjen e ndryshimeve në ligjin “Për konkurrencën” me qëllim përafrimin e mëtejshëm të tij me acquis të BE-së.

 

Në fushën e të drejtave të pronësisë intelektuale, industriale dhe tregtare u infomua lidhur me të drejtat e autorit, përditësimeve mbi përafrimin legjislativ me acquis, funksionimit të organizatave të menaxhimit kolektiv, kapaciteteve institucionale dhe administrative të Zyrës së të Drejtave të Autorit; zbatueshmërisë së të drejtave të pronësisë intelektuale, etj. Pala shqiptare informoi mbi ndryshimet në ligjin për të drejtën e autorit, i cili u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në prill 2022, duke përafruar më tej acquis të BE-së siç rekomandohet në Raportin e fundit të KE-së për Shqipërinë.

Lidhur me të drejtat e pronësisë industriale, pas rekomandimit të fundit të KE-së për Shqipërinë, Direktiva e BE-së për sekretin tregtar është përafruar pjesërisht me ndryshimet më të fundit të ligjit për pronësinë industriale në korrik 2021. Ndryshimet kanë përmirësuar edhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror për Mbikëqyrjen e Tregut duke i dhënë asaj të drejtën për të kryer inspektime.

Pala e shërbimeve të KE-së mirëpriti nga pala shqiptare synimin për të modernizuar kuadrin ligjor për pronësinë industriale duke hartuar dhe miratuar ligje të veçanta në lidhje me objektet e IP, Strategjinë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2021–2025 dhe mbi rritjen e ndërgjegjësimit për ligjin e pronësisë intelektuale/industriale.

 

Mbi Prokurimin publik, në takim u diskutua mbi progresin e deritanishëm lidhur me prokurimin publik, kuadrin dhe zhvillimet legjislative, mbi harmonizimin e mëtejshëm me acquis, procesin e përafrimit të legjislacionit të koncesioneve dhe PPP-ve me Direktivën e BE-së për koncesionet,  zhvillimet në tregun e prokurimit publik, përdorimi i procedurës me negocim dhe numri i parregullsive të zbuluara, sistemi elektronik i prokurimit publik, etj.

 

Palët ranë dakord mbi rëndësinë që të gjithë instrumentet ligjore dhe financiare të përdorura në fushën e prokurimeve publike dhe të koncesioneve, përfshirë marrëveshjet ndërqeveritare për zbatimin e projekteve të përbashkëta, të jenë në përputhje me parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimin e barabartë dhe mosdiskriminim.

 

Në Nënkomitet u diskutua dhe mbi progresin për kapitullin 3, lidhur me “Lirinë për të ofruar shërbime”, lidhur me përditësimin mbi procesin e shqyrtimit për transpozimin e Direktivës së shërbimeve, kapacitetet administrative; për profesionet e rregulluara lidhur me njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale, me përfarimin dhe me zbatimin e legjislacionit ekzistues.

Për sa i përket shërbimeve, në përputhje me rekomandimet e Nënkomitetit të fundit, u informua se është finalizuar faza e dytë e shqyrtimit/screening të 20 nga 35 sektorë të shërbimeve. Në total, janë 151 akte (43 ligje dhe 108 rregullore) që përfshihen në Direktivën e Shërbimeve dhe rregullojnë 350 shërbime/ veprimtari profesionale në Shqipëri.

 

Lidhur me shërbimet postare, pala shqiptare informoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar aktin lidhur me shërbimet e dorëzimit ndërkufitar të pakove duke transpozuar Rregulloren e BE-së dhe se zbatimi i saj ka filluar në janar 2022. Gjithashtu, dokumenti i politikës për shërbimet postare u miratua nga Këshilli i Ministrave siç rekomandohet në Nënkomitetin e fundit.

 

Në fushën e kualifikimeve profesionale, në përputhje me rekomandimet e Raportit të fundit të KE-së për Shqipërinë, me synim arritjen e përafrimit të plotë të ligjit kombëtar me legjislacionin e BE-së, u informua se ka vazhduar puna për përgatitjen e Udhërrëfyesit për kualifikimet profesionale për harmonizimin me acquis, e cila parashikohet të finalizohet në shtator 2022.

 

Lidhur me legjislacionin për shoqëritë tregtare u raportua se në vitin 2022, Ligji ekzistues për regjistrimin e biznesit u amendua me një ligj të ri, i cili tashmë ka hyrë në fuqi, në përputhje me rekomandimet e Task Forcës për Veprim Financiar/Grupi Shqyrtues i Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

 

Në fushën e kontabilitetit dhe auditimit u raportua që ka përfunduar rishikimi i të gjitha udhëzimeve të standardeve kombëtare të kontabilitetit.

 

Bordi i Mbikëqyrjes Publike, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së auditimit, ka kryer inspektime në auditorë ligjorë, në firma për të përmirësuar cilësinë e auditimit.

 

Në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, është adresuar rekomandimi i dhënë në Nënkomitetin e vitit 2021, mbi transpozimin e mëtejshëm të Direktivës së BE, me  miratimin e VKM Nr. 736, datë 3.12.2021 “Për disa ndryshime në VKM Nr. 615, datë 7.9.2011 “Për marketingun në distancë të shërbimeve financiare konsumatore”. Ndryshimet e reja do të përmirësojnë rregullat për informacionin që duhet t’u jepet konsumatorëve nga tregtarët.

 

Gjithashtu, raporti vjetor për funksionimin e Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit në vitin 2021 është duke u hartuar dhe pritet të publikohet së shpejti.

 

Sa i takon zgjidhjes alternative të  mosmarrëveshjeve, baza ligjore u forcua me miratimin e aktit “Për ngritjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjidhjes Alternative të Mosmarrëveshjeve, si dhe për përcaktimin e kritereve shtesë që duhet të plotësojnë strukturat për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve” sipas Urdhrit të Kryeministrit i vitit 2021 “Për miratimin e strukturës dhe stafit të Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjidhjes Alternative të Mosmarrëveshjeve”.

 

Lidhur me çështjet e shëndetit publik, u raportua se procesi i vaksinimit është në vazhdim. Shqipëria në javën e katërt të vitit 2022 arriti objektivin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 40 % e popullsisë u vaksinua me dy doza.

 

Ka disa strategji dhe struktura të miratuara apo krijuara kohët e fundit, duke përfshirë Planin Kombëtar për Barazinë, Përfshirjen dhe Pjesëmarrjen për Romët dhe Egjiptianët 2021-2025, Strategjia Kombëtare e Shëndetësisë dhe Agjencia Kombëtare të Sigurimit të Cilësisë së Shërbimeve Sociale Shëndetësore.

 

Lidhur me sektorin bankar, Banka e Shqipërisë informoi se ka vazhduar punën për hartimin e akteve të reja nënligjore për rishikimin e kuadrit rregullator mbikëqyrës në fuqi, duke përfshirë fillimin e vlerësimit nga Autoriteti Bankar Evropian për ekuivalencën e kërkesave rregullatore dhe mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë.

 

Sa i takon sektorit jobankar, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare Shqiptare informoi se ka konsoliduar punën në drejtim të hartimit dhe rishikimit të kuadrit ligjor rregullator dhe mbikëqyrës me synimin për përafrimin e tij të mëtejshëm me acquis të Bashkimit Evropian.