Postuar më: 30/10/2014

Shqipëria firmos për luftën globale ndaj evazionit

Në datat 27-29 tetor 2014, në Berlin të Gjermanisë u zhvillua Takimi i 7-të i Global Forum (GF) mbi Transparencën dhe Shkëmbimin e Informacionit për Çështjet e Taksave. Ministria e Financave u përfaqësua në këtë takim në nivel ministror, nga kreu i saj, z.Shkëlqim Cani. Aktiviteti dy ditor u ndoq nga rreth 300 pjesëmarrës të 102 vendeve të ndryshme të botës, anëtarë të Global Forum (Shqipëria është anëtar në këtë Forum nga viti 2012), me pjesëmarrje të 25 ministrave të financave.  Kroacia dhe Peruja u bënë anëtarët më të rinj të këtij Forumi duke rritur në 123 anëtarësimet e shteteve.

Rezultati kryesor i këtij takimi ishte angazhimi i vendeve anëtare në  rritjen e transparencës në fushën e taksave, si vijon:

a)       Angazhimi i shumicës së vendeve anëtare të GF për të zbatuar standardet e reja për Shkëmbimin Automatik të Informacionit deri në vitin 2017 ose në fund të vitit 2018, të shoqëruar me një shprehje të fortë mbështetjeje sidomos për vendet në zhvillim për të marrë pjesë në këtë ambient të ri transparence;

b)      Adaptimi, në parim, i Termave të Referencës mbi mënyrën e shkëmbimit automatik të informacionit, i cili do të zhvillohet gjatë vitit 2015;

c)       Mbështetje e madhe për vendet në zhvillim për të lehtësuar pjesëmarrjen e tyre në Shkëmbimin Automatik të Informacionit dhe lancimi i Iniciativës Afrikane – një projekt 3-vjeçar për të rritur ndërgjegjësimin dhe ndërtimin e instrumenteve për shkëmbimin automatik të informacionit në këto vende.

Ky takim u finalizua me nënshkrimin e Marrëveshjes Model Shumëpalëshe të Autoriteteve Kompetente. Kjo marrëveshje u nënshkrua në zbatim të nenit 6 “Shkëmbimi Automatik i Informacionit” të Konventës për Ndihmën Administrative të Ndërsjelltë në Çështjet Tatimore, të cilën Shqipëria e ka miratuar  me ligjin nr.  146/2013, datë 6.05.2013.

Në zbatim të këtij neni të Konventës, nënshkrimi i Marrëveshjes Model Shumëpalëshe të Autoriteteve Kompetente angazhon vendet nënshkruese për zbatimin e shkëmbimit automatik të informacionit në fund të vitit 2017 ose në fund të vitit 2018. Shqipëria u angazhua në këtë marrëveshje për shkëmbim automatik të informacionit në fund të vitit 2018, për të pasur kohë në dispozicion për krijimin e bazës ligjore dhe infrastrukturës së nevojshme për zbatimin e saj.

 

Ku konsiston kjo marrëveshje?

–     Kjo marrëveshje është marrëveshje kuadër, e cila siguron mekanizmin ligjor për shkëmbimin automatik, reciprok, të informacionit  dhe do të hyjë në fuqi pasi vendet nënshkruese të bëjnë notifikimet e përcaktuara në këtë marrëveshje.

–      Vendet nënshkruese ose ndryshe të quajtura Grupi i Adaptuesve të Hershëm, duke ditur se evazioni tatimor mund të trajtohet në mënyrë efektive vetëm në nivel global, janë angazhuar nëpërmjet kësaj marrëveshjeje për miratimin e  një standardi të vetëm e të ri global, për shkëmbimin automatik të informacionit të tatimpaguesit;

–     Sipas standardit të ri global, një gamë e gjerë e informacionit do të shkëmbehet mbi llogaritë offshore, duke përfshirë bilancet e llogarive dhe të pronësisë së dobishme. Kjo do të bëjë të mundur çrrënjosjen e krimit të evazionit fiskal dhe trajtimin e mashtrimit fiskal. Ky veprim nga ana e evazorëve zvogëlon të ardhurat publike, dobëson besimin në drejtësinë e sistemit tatimor dhe rrit barrën mbi tatimpaguesit e ndershëm.

Të rejat e fundit