Postuar më: 22/11/2021

Shqipëri-Kosovë, mbyllen me sukses negociatat për marrëveshjen në fushën e sigurimeve shoqërore

Shqipëria është duke përmbyllur procesin e hartimit dhe miratimit të marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore me Kosovën.

Në këtë kuadër, në datat 18-19 Nëntor, Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Besart Kadia, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, zhvilluan në Prishtinë raundin e dytë të bisedimeve për projektmarrëveshjen dypalëshe.

Për palën e Kosovës, negociatat u drejtuan nga Udhëheqësja e Divizionit për Marrëdhënien në Punë, Dialog Social, Sigurinë dhe Shëndetin në Punë znj. Leonora Ahmeti, në prani edhe të Zëvendësministrit të Financave, Punës dhe Transfertave z. Ilir Kapiti.

Në përfundimit të takimeve u dakordësua për thellimin e bashkëpunimin dhe për të finalizuar marrëveshjen e plotë, për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore, në përputhje me legjislacionin europian.

Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore të cilat përfshijnë:

  • përfitimet në para për barrëlindje për personat e punësuar;
  • personat e vetëpunësuar si dhe për punëdhënësit;
  • përfitimet në para për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale për personat e punësuar;
  • për pensionin e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare për personat e punësuar dhe të vetëpunësuarit, si dhe për punëdhënësit.

Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me shtetet : Hungari, Çeki, Gjermani, Maqedoni, Luksemburg, Bullgari, Austri, Turqi dhe Belgjikë.

Deri tani 3,100 shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë brenda territorit të vendit  kanë përfituar nga marrëveshjet dypalëshe, të lidhura.

Këto marrëveshje dypalëshe sigurojnë mbrojtje shoqërore për qytetarët shqiptarë që jetojnë në këto vende.