Postuar më: 17/11/2021

Shqipëri-Hungari, nënshkruhet protokolli i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve

Nënshkruhet në Budapest Protokolli i Sesionit të 3-të i Komisionit të Përbashkët ndërqeveritar për bashkëpunim ekonomik mes Shqipërisë dhe Hungarisë.

Për palën shqiptare, Protokolli u nënshkrua nga Zv. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Besart Kadia, dhe për palën hungareze nga Sekretari i Shtetit te Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, z.Péter Andras Sztàray.

Ky protokoll përfshin çështje të bashkëpunimit ekonomik, tregtisë dhe investimeve ndërmjet dy vendeve në fusha si, energji, transport, menaxhimi i ujit dhe mbrojtja e mjedisit, bujqësi, turizëm, arsim dhe kulturë , etj.

Dy krerët e delegacioneve vlerësuan, gjatë këtij sesioni, bashkëpunimin e deritanishëm dhe diskutuan mbi hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren nga të dyja palët në vijim, në fushat me interes reciprok.

Përgjatë dy ditëve, ekspertët teknikë të këtyre fushave diskutuan mbi mundësitë dhe hapësirat për bashkëpunim, si dhe evidentuan mekanizmat dhe instrumentet që do të bëjnë të mundur implementimin e këtij protokolli.

Gjithashtu gjatë këtij Sesioni u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së dy vendeve, ku synohet rritja e investimeve hungareze në Shqipëri.

Aktualisht investimet hungareze në Shqipëri kapin një vlerë 91 milion euro, ndërsa shkëmbimet tregtare mes dy vendeve për vitin 2020 kapin një vlerë prej 50 milion euro.