Postuar më: 12/11/2013

Shkurtimi i shpenzimeve për zyrtarët “mbulon” ndihmën ekonomike të 4 mijë familje

Ky propozim bazohet në filozofinë që po zbaton kjo qeveri për të mbajtur kosto të ulët administrative dhe për të siguruar efiçencë të lartë në kryerjen e detyrave shtetërore. Këto masa do të vijojnë nëpërmjet rishikimit të gjithë paketës së shpenzimeve administrative, duke rishikuar aktet përkatëse (pjesa më e madhe e të cilave janë me vendime të Këshillit të Ministrave).

 

Çfarë të reja sjell ky projektligj:

1.         Reflekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me përfitimin e këtij shërbimi nga funksionarë të pushtetit gjyqësor.

2.         Heq nga lista e përfitimit të bonusit mbi pagë të 437 funksionarëve të lartë nga 624 që ishin gjithsej përfituesit sipas ligjit ekzistues (pra 70% të tyre). Ky “pastrim” i listës së përfituesve shihet në dy aspekte:

  •       Kryerje më e mirë e detyrave funksionale (ndoshta edhe eliminim i abuzimit me zbatimin e ligjit ekzistues).
  •       Eliminim i bonuseve mbi paga për disa prej funksioneve, siç janë psh këshilltarët e shefat e kabineteve, sekretarët e përgjithshëm në institucionet e larta të shtetit, drejtuesit e universiteteve etj.

 

3.         Ul masën e përfitimit për funksionet që mbeten, në kuadrin e masave shtrënguese, të cilat siç e shpjeguam, do të vazhdojnë në të gjitha fushat ku shpenzohet paraja publike.

4.         Eliminon shtesat e mundshme për bonuse mbi paga, të cilat i lejonte ligji i mëparshëm, siç ishte indeksimi i bonusit apo dhe përfitimi automatik në disa raste.

Nga diskutimet në komisionet përkatëse (të ekonomisë dhe ligjeve) është vene re se nga opozita kërkohet që këto masa të drejta të denigrohen, minimizohen dhe të kthehet shpesh herë në jo ekzistuese (uroj të kenë kuptuar dhe të mos ndodhë të paktën në këtë seancë).

 

Zotërinj deputetë,

Në teoritë e financave publike, çdo qindarkë e kursyer është e vlefshme, jo më kursimi prej 165 milionë lekësh, ose 1.6 milionë USD, një kursim që vjen nga reduktimi i një privilegji për 437 zyrtarë të lartë (nga rreth 624 zyrtarë përfitues mbeten rreth 187 ose nga 46 funksione që përfitojnë aktualisht, mbeten vetëm 14 funksione). Çdo qeveri e përgjegjshme e fillon nga vetja, pavarësisht reaksionit që krijon.

Në praktikën ndërkombëtare njihen shumë raste kur qeveritaret kanë propozuar uljen e pagave të tyre, dhe kjo jo se e ka shpëtuar vendin nga kriza, por sepse me këtë akt ata japin mesazhin në publik për përgjegjshmërinë e tyre ndaj parasë  publike. Këtë mesazh do ta shihni çdo ditë edhe nga qeveria jonë, do apo nuk do opozita.

 

Kursimet nga qeveria do të jenë edhe më të larta me masat e marra apo që priten të vijnë së shpejti së bashku me paketën e re fiskale, pasi:

1.         Kryeministri jep shembullin dhe ka reduktuar eskortën personale

2.         Është urdhëruar që asnjë zyrtar i lartë, përfshirë ministrat, nuk do te udhëtojnë brenda Evropës me bileta të klasës biznes.

3.         Po rishikohen dhe janë në proçes ndryshimi një sërë ligjesh dhe aktesh që kanë krijuar privilegje për një pjesë shumë të vogël të administratës së lartë (pavarësisht nga populizmi demagogjik që kishte përdorur për 8 vite qeveria e ikur).

4.         Rregullorja e etikës e qeverisë, që kemi miratuar kohë më parë, nuk “çliroi” Shqipërinë nga shpenzimet, por dha një shembull, një drejtim, një simbolikë të rëndësishme për një mënyrë krejt të re qeverisje të shpenzimeve publike. P.sh ministrat nuk mund ta përdorin për nevoja personale makinën e shtetit.

5.         Ulja e shpenzimeve të administratës së ministrive nga ulja e numrit të personelit në to është një tjetër hap i rëndësishëm po në këtë drejtim.

Po përse reagohet me kaq mllef për këtë masë opozita e sotme? Çfarë e shqetëson kaq shumë? As më shumë as më pak, por:

1.         Preken interesat personale. Ish ministrat dhe kryeministri duan të notojnë në fonde dhe në opozitë dhe gjithë barrën e keqqeverisjes dhe situatës së rëndë ku e kandisën ekonominë e vendit duan t’ia kalojnë vetëm qytetarëve. Ish kryeministri shtëpinë e kishte dhe e ka një hap larg zyrave por mbante dhjetëra shoferë në dispozicion me orë për ta çuar me makina 100 metra larg.

2.         Ka ndikim shumë pozitiv në publik dhe natyrshëm ka gjetur mbështetje të gjerë;

3.         Reflekton integritetin e një qeverisje krejt të re.

Por mbi të gjitha, ne mendojmë që kursimi është përsëri jo i vogël, po të mbajmë parasysh gjendjen në të cilën ndodhemi, ku rënia e vazhdueshme e ekonomisë së qytetarëve shoqërohet çdo ditë me një nivel defiçiti dhe borxhi tronditës, sa më shumë zbardhen faktet dhe bëhen transparente financat publike, rezultat i drejtpërdrejtë i keqmenaxhimit të trashëguar nga qeverisja e mëparshme.

 

Po ta përkthejmë në terma të thjeshtë për publikun që po na ndjek, mund të themi pa frikë që kjo shumë mbulon për një vit të tërë jo më pak se 4000 familje me ndihmë ekonomike, që si rezultat i shpërdorimeve me buxhetin 2013, shumë prej tyre dhe invalidët kanë mbetur, edhe sot që flasim, pa e marrë edhe këtë ndihmë simbolike, sepse gjithçka u shpërdorua në fushatën elektorale nga qeveria e larguar.

Por një tjetër element i ri që sjell ky ligj, është vendosja e ligjshmërisë në përdorimin e automjeteve për disa funksionarë të lartë. A e dini ju, zotërinj, që sipas ligjit ekzistues, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave duhej të kryente detyrën funksionale operative, në çdo degë doganore, në luftë me kontrabandën e trafikun, me mjetin e tij personal, ndërkohë që vartësit e tij mund të përdornin automjetet shtetërore?

A mund të imagjinoni një gjeneral brigade, një shef komisariati apo një kryebashkiak duke kryer detyrën me mjetin personal?

 

Kur diskutojmë këtë çështje, opozita ngrihet me argumentin: Ju do të shtoni automjetet dhe shpenzimet e transportit për zyrtarët, të cilëve ju hiqet ky bonus.

Zotërinj opozitarë, gaboheni. Ju këtu do të jeni dhe jini vigjilent për të mos na lejuar të gabojmë, por ne nuk do t’ju a japim këtë shans, sepse kjo qeveri nuk do te rrisë numrin e automjeteve në përdorim të institucioneve për këtë arsye, aq më pak shpenzimet e transportit. Por shtet do të bëjë. Seriozitetin e shtetit me përdorimin efektiv të parasë publike kjo qeveri do ta realizojë, në luftë me abuzimin dhe privilegjin.

Theksojmë se propozimet tona synojnë të rregullojnë ofrimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë, për të cilët ky shërbim është një domosdoshmëri në emër të seriozitetit të shtetit, duke shfrytëzuar mjetet në dispozicion të institucioneve, si dhe të reduktojmë koston financiare që mbart zbatimi i ligjit aktual në fuqi.

Ju falënderoj për miratimin pa debate dhe për çdo propozim konkret që çon në ulje të shpenzimeve të panevojshme në buxhetin e shtetit!

Të rejat e fundit

  • No posts found.
  •