Postuar më: 16/07/2021

Shërbimet online në Dogana, kursim kohe dhe kostoje për biznesin

Statusi i Operatorit Ekonomik të Autorizuar dhe aplikimi i shërbimeve online ofrojnë një sërë lehtësish për sipërmarrjet që zhvillojnë aktivitetin ekonomik në Shqipëri.

Me qëllim promovimin e përfitimeve të statusit OEA dhe shërbimeve online për biznesin, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, zhvilluan një vizitë në mjediset e kompanisë “PSZ Albania GmbH”.

Kompania ka aplikuar për marrjen e statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar dhe ndërkohë aplikon online për tu pajisur me një sërë autorizimesh të tjera nga administrata doganore, përgjigja e të cilave vjen në një kohë mjaft të shkurtër, duke kursyer kështu kohë dhe kosto për të.

Gjatë vizitës, Ministrja Denaj pa nga afër me procesin e aplikimit të kompanisë për shërbimet online të ofruara nga administrata doganore.

Ministrja u shpreh,  se qeveria dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbetet e angazhuar në lehtësimin e të bërit biznes në vendin tonë dhe, në këtë kuadër, shtimi i shërbimeve online për biznesin është prioritet dhe do të vijojë.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ofron aktualisht 34 shërbime, për të cilat bizneset dhe qytetarët mund të aplikojnë në mënyrë elektronike. Tashmë 92 % e shërbimeve doganore kryhen online, falë zbatimit të reformës së digjitalizimit, gjë që ka sjellë reduktim të kohës dhe shërbim më të shpejtë për operatorët ekonomikë. Në 6 muajt e parë të vitit 2021, 530 aplikime janë realizuar on line përmes e-Albania nga Administrata Doganore, ndërkohë që 1,044 aplikime u realizuan gjatë vitit 2020.

Sa i përket statusit OEA, Ministrja Denaj dhe apeloi që edhe kompani të tjera të aplikojnë për këtë status, përfitimet e të cilit sjellin një trajtim të favorshëm dhe prioritar në vlerësim të riskut dhe kontrolleve doganore, si dhe akses në përdorimin e të gjitha thjeshtimeve dhe lehtësive që parashikon legjislacioni doganor.

Në një treg të hapur për tregtinë ndërkombëtare, ky status është një prezantim dinjitoz i biznesit dhe i mundëson mbajtësit përdorimin e logos (AEO) në dokumentacionin tregtar, duke i siguruar një përfaqësim dinjitoz tek partnerët ndërkombëtarë në biznes apo avantazh në konkurime/tenderime ndërkombëtare.

Njohja reciproke e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar nga autoritetet doganore në të gjitha vendet e rajonit konsiderohet një mundësi e madhe për zhvillimin e biznesit në tregun rajonal dhe në të ardhmen dhe më gjërë në atë europian.

Statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar e kanë përfituar deri më sot 4 kompani dhe janë në proces shqyrtimi 10 aplikime të tjera nga ana e operatorëve ekonomikë.