Postuar më: 08/02/2019

Raporti i FMN, zv.Ministri Luçi: Konfirmoi ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare

Raporti më i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për vendin tonë është një vlerësim që konfirmon ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare. Në një intervistë për televizionin ABC News, zëvendesministri i Financave dhe Ekonomisë, Erjon Luçi, foli mbi çështjet e ngritura në këtë raport duke theksuar, se ai ka konfirmuar faktin se ekonomia shqiptare ka hyrë në fazë pozitive sa i takon rritjes ekonomike, e cila është përmirësuar në  4.2% për 2018, duke u reflektuar dhe në fusha të tjera të vendit, si punësimi.
Lidhur me Partneritetin Publik Privat, Zv.Ministri ka sqaruar, se qeveria do të marrë parasysh disa nga rekomandimet e FMN, që kanë të bëjnë me përmirësimin e kapaciteteve për PPP, por edhe për investimet.
“Qeveria ka vendosur në ligjin e buxhetit një tavan përsa i përket projekteve të Partneritetit Publik Privat, i cili është 5 %, çka do të thotë një kontroll i fortë në këtë aspekt përsa i përket pagesave dhe PPP-ve që hyjnë në buxhet”, u shpreh Luçi.
Përsa i përket çështjes së borxhit, z. Luçi tha, se falë kontrollit dhe mirëmenaxhimit është mundësuar një ulje e lehtë e tij dhe brenda disa viteve synohet një ulje deri në 60 %.
Zv.Ministri vuri në dukje se vlerësimi i investitorëve për ekonominë shqiptare është rritur dhe Shqipëria është pozionuar mirë, pavarësisht rreziqeve.
“Vlerësimi i investitorëve na bën më optimistë në rrugën që po ndjekim. Rreziqet janë të brendshme dhe të jashtme. Shqipëria është pozicionuar mirë edhe me rreziqet. Një sistem bankar që është forcuar shumë, falë legjislacionit dhe rregullave që na bën më komfort për ulje-ngritjet që mund të ketë ekonomia botërore. Rritja ekonomike është rritur me konsumin e popullsisë. Sfida është në rishpërndarjen sidomos ne përmirësimin e skemës së ndihmës ekonomike, targetim i cili është në përmirësim”, u shpreh z. Luçi.