Postuar më: 27/01/2022

Qeveria gjermane akordon 20 milionë euro për rehabilitimin e konvikteve studentore

Parlamenti miratoi ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe KfW, për financimin e 20 milionë eurove për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri.

Në fjalën e saj të mbajtur në seancë plenare, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, vlerësoi financimin që do të akordohet nga qeveria federale gjermane përmes KfW dhe iu përgjigj shqetësimeve të opozitës lidhur me nivelin e borxhit në vend.

Ministrja u shpreh se qeveria shqiptare ka marrë borxh ashtu si çdo qeveri tjetër në vend dhe në botë dhe ky borxh është përkthyer në më shumë investime dhe rritje ekonomike.

Ministrja u shpreh se në periudhën 2014-2019, për çdo 100 lekë huamarrje janë investuar 270 lekë dhe duke përfshirë edhe dy vitet kur Shqipëria është prekur nga dy kriza, tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia Covid 19, raporti ka qenë për 100 lekë huamarrje, 245 lekë investime.

“Mesatarisht, raporti i huamarrjes neto ndaj investimeve ka qenë për çdo 100 lekë huamarrje 270 lekë investime në periudhën nga viti 2014 deri në 2019. Në periudhën 2005-2013 ky raport ka qenë çdo 100 lekë huamarrje 171 lekë investime. Pra e kemi gati 70 % më të lartë në një periudhë ekonomike të shëndetshme. Por, edhe duke futur brenda dy vitet e fundit, kur kemi pasur dy kriza shumë të forta ekonomike e jo vetëm, raporti ka qenë çdo 100 lekë huamarrje, 245 lekë investime.  Investimet përkthehen në rritje ekonomike, siç është përkthyer në 2021, kur rritja ekonomike parashikohet të jetë 8.7 %. Pra, kur flitet për borxh duhet të bëhet një analizë e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse, me efektet që ky borxh ka në ekonominë shqiptare dhe në jetën e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Ibrahimaj.

 

Fjala e Ministres Ibrahimaj në Parlament:

E nderuar drejtuese e seancës,

Të nderuar deputetë,

Jemi duke diskutuar marrëveshjen e huas për financimin me 20 milionë euro të rehabilitimit të konvikteve. Nuk e kuptoj këtu se çfarë serioziteti i jepet kësaj salle nëse nga marrëveshja kalojmë te borxhi, që mund të ketë një lidhje dhe është diskutuar gjerësisht në komisionet parlamentare, i është dhënë përgjigje çdo pyetjeje që të gjithë deputetët kanë pasur në të gjitha komisionet, dhe çdo pikëpyetje, të cilat unë do t’i përsëris këtu. Por nga marrëveshja e huas, nga efiçenca energjetike, e cila u shpjegua shumë mirë nga ministrja Balluku, kalojmë te tema të cilat nuk janë aspak relevante për pikën që po diskutojmë.

Unë nuk kam nevojë të shoh asnjë pankartë sepse kam të dhënat publike dhe transparente të buxhetit të shtetit, të cilat janë të publikuara dhe të aksesueshme nga të gjithë ju.

Ne kemi marrë borxh si çdo qeveri tjetër, në Shqipëri dhe në vende të tjera. Borxhi ynë është përkthyer në rritje ekonomike dhe këto shifra i kam bërë publike në komisione e do t’i them sërish këtu.

Mesatarisht, raporti i huamarrjes neto ndaj investimeve ka qenë për çdo 100 lekë huamarrje 270 lekë investime në periudhën nga viti 2014 deri në 2019. Në periudhën 2005-2013 ky raport ka qenë çdo 100 lekë huamarrje 171 lekë investime. Pra e kemi gati 70 % më të lartë në një periudhë ekonomike të shëndetshme. Por, edhe duke futur brenda dy vitet e fundit, kur kemi pasur dy kriza shumë të forta ekonomike e jo vetëm, raporti ka qenë çdo 100 lekë huamarrje, 245 lekë investime.

Investimet përkthehen në rritje ekonomike, siç është përkthyer në 2021, kur rritja ekonomike parashikohet të jetë 8.7 %. Pra, kur flitet për borxh duhet të bëhet një analizë e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse, me efektet që ky borxh ka në ekonominë shqiptare dhe në jetën e qytetarëve shqiptarë.

Le të flasim dhe për sasinë e borxhit të marrë. Në vitet 2005-2013 janë marrë gjithsej 292.7 miliardë lekë borxh. Në periudhën 2014-2019 janë marrë gjithsej 250 miliardë lekë borxh. Jo vetëm ka qenë një periudhë në të cilën Produkti i Brendshëm Bruto ka qenë më i madh se sa në periudhën e mëparshme, por ne me më pak borxh kemi krijuar më shumë investime, kemi krijuar më shumë vende pune dhe kemi krijuar më shumë stabilitet ekonomik.

Ju lutem t’i referohemi atyre argumenteve që jemi duke folur, t’i rikthejmë diskutimit seriozitetin që duhet të ketë në këtë Kuvend dhe të merremi se me çfarë përfitimesh, kjo kredi që po merret, e bashkuar me grantin që po merret, do të ketë për konviktet e studentëve, se sa vende të reja konviktesh do të jenë pas këtyre investimeve që do të kryhen dhe të mos merremi me argumente të cilat nuk lidhen me projektligjin në fjalë.

Faleminderit.