Postuar më: 24/11/2021

Qeveria emeton Eurobondin 650 milionë Euro me afat maturimi 10-vjeçar

Qeveria shqiptare ka përmbyllur emetimin e Eurobondit në vlerën 650 milionë euro.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, përmes një konference për shtyp, informoi mbi detajet e këtij transaksioni të rëndësishëm financiar.

Eurobondi është emetuar me një afat maturimi 10-vjeçar, kupon prej 3.5 për qind dhe normë interesi afatgjatë 3.75 për qind.

Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se afati i maturimit 10-vjeçar është maturimi më i lartë që Shqipëria ka marrë deri më sot në daljet e saj në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Sipas Ministres, emetimi i Eurobondit ka një rëndësi të madhe jo vetëm për sigurimin e likuiditeteve të nevojshme për financimin e nevojave të qeverisë shqiptare për vitin 2021 dhe vitin 2022, por edhe për garantimin e prezencës së vendit tonë në tregjet ndërkombëtare dhe garantimin e besimit të investitorëve të huaj për qeverinë shqiptare.

“Interesi për Eurobondin ishte i lartë. 114 investitorë u interesuan dhe ofruan vlera që arritën mbi  1 miliardë euro, rreth 63 për qind më shumë krahasuar me shumën e alokuar prej 650 milionë euro. Pra, interesi i investitorëve të huaj konfirmoi edhe njëherë interesin e fortë të tregjeve ndërkombëtare për titujt shqiptarë, por edhe të besimit të investitorëve të huaj në ekonominë tonë. Gjithashtu, përpara daljes në Eurobond, na u rikonfirmuan nga agjencitë e vlerësimit ndërkombëtar vlerësimet e mëparshme për ekonominë shqiptare”, u shpreh Ibrahimaj.

Pavarësisht se borxhi publik është rritur në dy vitet e fundit, ndikuar nga nevoja për të përballuar goditjet e pandemisë COVID 19 dhe tërmetit të vitit 2019, Ministrja Ibrahimaj tha se është e rëndësishme që të analizohet se si borxhi përkthehet në investime dhe rritje ekonomike.

“Vlera e investimeve për çdo 100 lekë borxh është dyfishuar në krahasim me periudhën 2005-2013. Ndërkohë, në vitin 2019 është arritur performanca më e mirë e këtij treguesi, ku për çdo 100 lekë hua të marrë ka pasur një përkthim në investim në 890 lekë. Ndonëse në vitin 2020 ky raport nuk mund të mbahej, pas situatës së vështirë ekonomike, që prej vitit 2021, por edhe në parashikimet tona në projektbuxhetin afatmesëm, pra deri në vitin 2024, ky raport pritet të rikuperohet duke qenë se investimet publike ndaj GDP do të vijojnë të mbajnë një peshë të konsiderueshme ku për vitin 2022 kjo peshë është 6.4 % e GDP”, tha Ministrja.

Ndërsa ritheksoi faktin se një pjesë e Eurobondit do të përdoret për të financuar projektet e nisura në sektorë prioritarë si infrastruktura, arsimi apo shëndetësia, Ministrja Ibrahimaj tha se rënia graduale e borxhit publik do të mbetet një prioritet i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe qeverisë shqiptare.

 

 

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

 

Siç jeni në dijeni, Shqipëria ka dalë për herë të pestë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Ky operacion kaq i rëndësishëm u përmbyll me sukses dje dhe kjo është arsyeja pse vendosëm të bëjmë këtë konferencë për shtyp, për të shpjeguar më mirë detajet e këtij transaksioni të rëndësishëm dhe për të bërë dhe një analizë të marrjes së këtij Eurobondi.

Fillimisht dua të ndalem në disa tregues kryesorë dhe kyç mbi këtë transaksion:

Eurobondi u emetua me vlerën 650 milionë euro dhe me një afat maturimi 10-vjeçar.

Kuponi i Eurobondit ishte 3.5 për qind, ndërkohë që norma e interesit afatgjatë ishte 3.75 për qind. Ky Eurobond pritet të maturohet në muajin nëntor 2031.

 

Krahasuar me dy Eurobondet e fundit, të emetuar nga vendi ynë në vitet 2018 dhe 2020, ky Eurobond pati një kupon me një vlerë të përafërt me dy vitet e fundit dhe në një vlerë të barabartë me atë të emetuar në vitin 2020. Do të thotë se shifra fikse e parave që duhen paguar mbi vlerën nominale të Eurobondit është e barabartë me Eurobondin e herës së kaluar, por këtë radhë ka një veçanti, maturimi është 3 vjet më i lartë, pasi kohëzgjatja është 10-vjeçare. Është maturimi më i lartë që Shqipëria ka marrë deri më sot në emetimin e titujve ndërkombëtare.

 

  • Emetimi i Eurobondit ka një rëndësi të lartë, jo vetëm për sigurimin e likuiditeteve në nevojshme për financimin e nevojave të qeverisë shqiptare për vitin 2021 dhe vitin 2022, por ka rëndësi të madhe për garantimin e prezencës së vendit tonë në tregjet ndërkombëtare dhe gjithashtu garantimin e besimit të investitorëve të huaj për qeverinë shqiptare. Në bashkëpunim me zv.kryeministrin, gjatë javës së kaluar, u zhvilluan takime me investitorë ndërkombëtarë institucionalë. Interesi për Eurobondin ishte i lartë. 114 investitorë u interesuan dhe ofruan vlera që arritën mbi 1 miliardë euro, rreth 63 për qind më shumë krahasuar me shumën e alokuar prej 650 milionë euro.

Pra, interesi i investitorëve të huaj konfirmoi edhe njëherë interesin e fortë të tregjeve ndërkombëtare për titujt shqiptarë, por edhe të besimit të investitorëve të huaj në ekonominë tonë. Gjithashtu, përpara daljes në Eurobond, na u rikonfirmuan nga agjencitë e vlerësimit ndërkombëtar vlerësimet e mëparshme për ekonominë shqiptare.

 

Dalja në tregje me një shumë të konsiderueshme, siç është rasti i këtij transaksioni, meriton një shpjegim më të thellë të rrethanave në të cilat ndodhemi:

 

  • Qeveria shqiptare vlerësoi të arsyeshme të finalizonte transaksionin me shifrën 650 milionë euro duke qenë se likuiditeti në këtë moment në tregje është i lartë dhe normat e interesit janë në nivelin më të ulët historik.

 

  • Në muajt në vijim, parashikohet që normat e interesit të rriten në tregjet ndërkombëtare, ashtu si dhe priten politika kontraktuese nga ana e bankave qendrore në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

 

  • Pra, ky ishte momenti më i mirë dhe më i favorshëm për të dalë në treg për këtë vit dhe për vitin në vijim. Kjo ndikoi dhe në daljen në treg me një vlerë më të lartë se sa ajo që ishte parashikuar në fillim të këtij viti, për të mbështetur nevojat e këtij fund viti, por edhe për të mbështetur nevojat e vitit të ardhshëm.

 

Sigurisht që një nivel i lartë i borxhit nuk është i pëlqyeshëm për asnjë qeveri, por ne duhet të marrim parasysh edhe aspekte të tjera të cilat lidhen me cilësinë e borxhit.

 

  • Një ndër elementët kryesorë dhe analizat kryesore që bëhen është se si ky borxh përkthehet në investime dhe në rritje ekonomike.

 

  • Nëse analizojmë raportin e huamarrjes neto me investimet gjatë viteve të fundit, vërehet se ky raport ka qenë pozitiv gjatë qeverisjes së majtë, duke arritur nivelin më të kënaqshëm në vitin 2019. Nëse do të analizojmë se sa borxh për investime është marrë gjatë këtyre viteve, vlera e investimeve për çdo 100 lekë borxh është dyfishuar në krahasim me periudhën 2005-2013. Ndërkohë, në vitin 2019 është arritur performanca më e mirë e këtij treguesi, ku për çdo 100 lekë hua të marrë ka pasur një përkthim në investim në 890 lekë. Ndonëse në vitin 2020 ky raport nuk mund të mbahej, pas situatës së vështirë ekonomike, që prej vitit 2021, por edhe në parashikimet tona në projektbuxhetin afatmesëm, pra deri në vitin 2024, ky raport pritet të rikuperohet duke qenë se investimet publike ndaj GDP do të vijojnë të mbajnë një peshë të konsiderueshme ku për vitin 2022 kjo peshë është 6.4 % e GDP.

 

  • Nga ana tjetër, një tregues tjetër shumë i rëndësishëm është raporti i rritjes ekonomike me deficitin në buxhetin e shtetit, i cili duhet të jetë i barabartë ose më i madh se 1 (një) në mënyrë që të justifikohet ekzistenca e këtij deficiti. Pra borxhi, deficiti, duhet të justifikohen me rritje ekonomike. Raporti ka pasur vlerën më të lartë në vitin 2018, ku ka shënuar 3.5 pikë. Sigurisht që ky është një tjetër raport, i cili ka ardhur në përmirësim nga viti në vit dhe në vitin 2020 pati përkeqësim duke qenë se të gjithë treguesit kryesorë makroekonomikë patën goditje nga pandemia dhe nga tërmeti i një viti më parë. Brenda vitit 2024 ne parashikojmë që ky raport të kthehet në norma pozitive duke arritur në nivelin 1.9, por që prej vitit 2021 ai do të rikthehet në ato nivele të cilat janë të parashikuara.

 

Rënia graduale e borxhit publik sigurisht do të mbetet një prioritet i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe qeverisë shqiptare.

 

Siç edhe ju e dini, përqindja e borxhit nga GDP ka arritur në nivelin 66.3 % në vitin 2019, duke pësuar një ulje graduale që prej vitit 2016. Ashtu siç e përmenda edhe më sipër, parametrat makroekonomikë u përkeqësuan në gjithë botën në dy vitet e fundit dhe në fund të vitit 2021, duke përfshirë edhe Eurobondin e sapo marrë, ne presim që raporti i borxhit ndaj GDP-së të jetë në nivelin 80.2 % dhe që prej vitit 2022 të vijojë rënia graduale, sipas parametrave të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit, ku rënia do të jetë mimimalisht 1 % për çdo vit. Megjithatë, synimet tona janë për më shumë, duke arritur në nivelin 76.6 % në vitin 2024.

 

Në periudhën afatmesme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë synon gjithashtu përmirësimin e mëtejshëm të strukturës së borxhit.

 

Siç e theksova edhe më sipër, Eurobondi u emetua me një afat maturimi 10-vjeçar. Ishte hera e parë që ne arritëm një afat maturimi të tillë. Në dy daljet e kaluara, pra në vitin 2018 dhe 2020, afati i maturimit ka qenë 7-vjeçar, ndërkohë që në periudhën e mëparshme, në dy daljet e mëparshme, afati i maturimit ka qenë 5-vjeçar.

Ne kemi hartuar një strategji afatmesme të menaxhimit të borxhit, e cila siguron një rritje të maturimit për të reduktuar kostot, sigurisht lidhet me risqet e rifinancimit, por edhe me risqe të tjera që ne marrim parasysh.

Jo vetëm në daljet e tregjeve ndërkombëtare, por edhe në daljet në tregjet kombëtare, ne synojmë të rrisim afatin e maturimit. Për herë të parë, në muajin nëntor, ne testuam një instrument, i cili është instrument 15-vjeçar. Është hera e parë që qeveria shqiptare emeton një instrument kaq afatgjatë dhe mendoj që ishte një sukses. Kërkesat ishin katër fish më të larta se sa vlera që ne kishim parashikuar dhe norma e interesit ishte më e ulët se sa indikativja që Ministria e Financave dhe Ekonomisë kishte parashikuar, duke treguar dhe konfirmuar interesin dhe besimin e investitorëve në titujt e qeverisë shqiptare. Saktësisht, kuponi i obligacionit 15-vjeçar të emetuar gjatë muajit nëntor ishte 5.88%, ndërkohë që kuponi indikativ ishte 6.2%.

Norma e interesit më e ulët dhe afati i maturimit më i lartë do të mbeten në strategjinë tonë, do të mbeten në qëllimet tona, me qëllim që borxhi i marr të vazhdojë të ketë një kosto sa më të ulët për vitet dhe brezat që do të vijnë.

 

Një tjetër objektiv parësor i strategjisë për menaxhimin e borxhit është zhvillimi i mëtejshëm i tregut primar në vend dhe hapja e tregut sekondar për titujt qeveritarë.

 

Për këto dy synime ne do të vazhdojmë të punojmë gjatë viteve të ardhshëm, pasi ato sigurojnë risqe më të ulëta për të gjithë aktorët e tregut, për qeverinë shqiptare dhe për investitorët shqiptarë.

 

Në mbyllje të fjalës sime dua të ri shpreh kënaqësinë për daljen e suksesshme të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Për mua ishte hera e parë dhe në bashkëpunim me zv.kryeministrin mendoj se kemi bërë një punë shumë të mirë.

Dua të falënderoj bashkëpunëtorët tanë dhe veçanërisht stafin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për punën intensive të kryer gjatë muajve të fundit, për të garantuar arritjen me sukses të emetimit të Eurobondit në tregjet ndërkombëtare.