Postuar më: 15/04/2021

Përmbledhje e Performancës Paraprake 3 – Mujore të të Ardhurave dhe Shpenzimeve

 

Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 3 mujore (Janar – Mars 2021)  reflekton një rritje të të ardhurave gjatë kësaj periudhe, cka reflekton përmirësimin të ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve gjatë kësaj periudhe.

Të ardhurat tatimore për 3-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 101 % të planit të 3-mujorit.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 3-mujorin e vitit 2021, u realizuan në masën 96% të planit të periudhës.

Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e tretë të vitit 2021 rezultoi në rreth 7 miliardë lekë.

Performanca Paraprake 3 Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Të Ardhurat

Të ardhurat totale për 3-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 108.6 miliardë ose 101 % të planit të 3-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat kanë pasur një rritje prej 4.4 miliard lekë.

Grafiku 1: Të ardhurat e Përgjithshme (në milionë Lekë)

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)

 

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 38.3 miliardë lekë, 3.5 miliardë lekë ose 10.1% më shumë se 3 mujori 2020, si dhe 1 miliardë lekë ose 2.7% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 3 mujorin e vitit 2021. Sipas Analizës së 60 grup mallrave, 55% të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zënë 7 produkte dhe përkatësisht: karburant importi me 23.3% të të ardhurave, cigaret me 12.9% të të ardhurave, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre zënë 5.9% të të ardhurave totale doganore, automjetet e përdorura me 4.5% të të ardhurave, plastika dhe artikujt 2.8% ttë të ardhurave, veshje tekstile 2.8% dhe ushqime të përgatitura 2.6% të të ardhurave. Ndërkohë, ndikimin më të madh në rritje krahasuar me 3 mujorin e vitit 2020 e kanë dhënë të ardhurat nga importi i automjeteve të perdorura, karburante importi, metalet bazë dhe artikujt prej tyre dhe veshje, tekstile.  Një rënie kundrejt periudhës së mëparshme kanë pasur të ardhurat doganore nga cigaret, energjia elektrike, mishi, mielli dhe gruri.

 

Të ardhurat nga TVSH në import për 3 mujorin rezultojnë 25.8 miliardë lekë, 3.2 miliardë lekë ose 14.1% më shumë se një vit më parë, si dhe 1 miliardë ose 3.9% më pak se plani për 3 mujorin 2021. Ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në mosrealizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar. Situata ekonomike prej Covid-19 është reflektuar në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja e mbledhur në doganë për disa kategori artikujsh. Gjatë 3 mujorit 2021, rënia e sasisë së importuar të energjisë elektrike – 187 megaëatorë, krahasuar me vitin 2020, ka sjellë efekt -174 milionë lekë në të ardhurat për tvsh, megjithëse efekti nga ndryshimi I çmimit ishte +103 milionë lekë. Gjatë 3 mujorit 2021, produket doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë importi automjeteve të përdorura, metalet bazë dhe artikujt prej tyre, veshje dhe tekstile, plastika dhe artikujt, dhe materialet e ndërtimit, të cilat kanë një kontribut pozitiv +1.6 miliardë lekë. Ndër produket me efekt negative renditen energjia elektrike, mielli dhe gruri, fruta perimet,mishi dhe automjetet e reja, me një efekt -0.5 miliardë lekë.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 10.3 miliardë lekë, 132 milionë lekë ose 1.3% më shumë se viti 2020, si dhe 1.4 miliardë lekë ose 15.3% më shumë se plani i akcizës për 3 mujorin 2021. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga akciza ka pasur produkti karburant importi, me një rritje 9 mijë ton (+8%) me një efekt +421 milionë lekë më shumë se viti i kaluar. Ndër produktet e akcizueshme që kishin ndikim negativ, ishte produkti cigare me një rënie prej 60 ton (-9.1%) krahasuar me një vit më parë, duke sjellë një efekt negative në akcizë me -270 milionë lekë.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 625 milionë lekë, 106.8% krahasuar me vitin i kaluar dhe realizim në masën 118.9% kundrejt planit, ose 99 milionë lekë më shumë. Të ardhurat nga renta minerare e naftës bruto janë 490.4 milionë lekë, 50.5 milionë ose 9.3% më  pak se renta e 3 mujorit të vitit 2020. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë pësuar rënie si rezultat i rënies së sasisë së sasisë së prodhimit të naftës bruto e cila për 3 mujorin 2021 është 21.1% më pak se viti i kaluar me efekt -114 milionë lekë, por në të njëjtën kohë edhe rritja e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, ka sjellë një efekt +63.5 milionë lekë. Gjatë 3 mujorit 2021 kemi një rritje të rentës për njësi nga 2.56 lekë/ton në 2.94 lekë/ton. Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rritje në masën 56 milionë lekë, për shkak të rritjes së sasisë së eksportuar me efekt +1.7 milionë lekë njëkohësisht dhe rritjes së çmimit të mineraleve, me efekt +54.6 milionë lekë.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 1.5 miliardë lekë, 147 milionë lekë ose 10.8% më shumë se 3 mujori 2020, si dhe 582 milionë lekë ose 63% më shumë se plani i 3 mujorit 2021. Peshën më të madhe në taksën doganore e zënë produket si cigaret (11.3%), fruta perimet (9.7%), veshjet e këmbës (9.1%), mish importi (8.6%),  materialet e ndërtimit (7.7%),

 

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 3 mujorin 2021  u realizuan në masën 59.7miliardë lekë, 1.1 miliardë ose 1.9% më shumë se 3 mujori i vitit të kaluar, si dhe 554 milionë lekë, ose 0.9% më shumë se plani i 3 mujorit 2021.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 13.5 miliardë lekë, 1.2 miliardë ose 9.6% më shumë se 3 mujori 2020, si dhe 2.4 miliardë ose 15.2% më pak se plani i TVSH për tu arkëtuar në 3 mujorin 2021. Mosrealizimi i të ardhurave nga TVSH-ja Bruto vjen si pasojë e goditjes që mori ekonomia shqiptare nga tërmeti i vitit të kaluar dhe pandemisë Covid-19. Rimbursimet për periudhën 3 mujore 2021 arritën 7.5 miliardë lekë, 4.5 miliardë lekë ose 44.9% më shumë se 3 mujori 2020, si dhe 2.6 miliardë lekë ose 52.2% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 3 mujorin 2021.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 10.6 miliardë lekë 1.5 miliardë lekë, ose 16.4% më shumë se 3 mujori 2020, si dhe 2.3 miliardë lekë ose 28.3% më shumë se plani 2021 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 10.1 miliardë lekë, 1.6 miliardë lekë ose 19.2% më shumë se 3 mujori 2020, si dhe 978 milionë ose 10.7% më shumë se plani 3 mujor 2021.

Taksat nacionale, për peridhën Janar-Mars 2021 u realizuan në masën 7.7 miliardë lekë, 141 milionë lekë ose 1.9% më shumë se 3 mujori 2020, si dhe 459 milionë lekë ose 6.3% më shumë se plani i përcaktuar për 3 mujorin 2021.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 25.3 miliardë lekë, 1.1 miliardë lekë ose 4.7% më shumë se 3 mujori 2020, si dhe realizim 107.6% të planit për 3 mujorin 2021.

 

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e tretë të vitit 2021, arritën në rreth 115.7 miliard LEK me një realizim në masën 96 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 8.2 përqind më i lartë ose rreth 8.8 miliard LEK më shumë.

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 3 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 94.6 përqind dhe 97.7 përqind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 21.7 përqind dhe 12.1 përqind të tij

Grafiku 2: Shpenzimet korrente dhe kapitale Plan vs Fakt (në milionë Lekë)

 

                         Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)

Niveli i deficitit për periudhën 3 mujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 7.16 miliard LEK, ose rreth 4.37 miliard LEK më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën 3 mujore niveli i deficitit ishte planifikuar në masën rreth 13.5 miliard LEK.

Grafiku 3: Të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti/suficiti – Plan vs Fakt 9 mujor 2020 (në milion Lekë)

 

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)