Postuar më: 14/12/2020

Përmbledhje e Performancës Paraprake 11 – Mujore të të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 11 mujore Janar – Nëntor 2020 reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve gjatë periudhës së pandemisë dhe lehtësitë fiskale në shtyrjen e mbledhjes apo zerimin e disa taksave. Performanca paraprake reflekton gjithashtu rritjen e shpenzimeve në ndihmë të bizneseve dhe individëve të prekur gjatë periudhës së pandemisë dhe ecurinë e investimeve në kuadër të prioriteteve të Qeverisë.

Të ardhurat totale për 11-mujorin e vitit 2020 u realizuan në masën 97.4 % të planit të 11-mujorit, rishikuar me Aktin e fundit Normativ të Buxhetit.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 11-mujorin e vitit 2020, arritën në 455.64 miliardë lekë me një realizim në masën 87.6 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 ky zë ka rezultuar 5.4 % më i lartë ose rreth 23.4 miliardë lekë më shumë.

Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e njëmbëdhjetë të vitit 2020 rezultoi në rreth 72.7 miliardë lekë.

Performanca Paraprake 11 Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Të Ardhurat

Të ardhurat totale për 11-mujorin e vitit 2020 u realizuan në masën 335.9 miliardë lekë ose 97.4 % të planit të 11-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat kanë pasur një tkurrje nga efektet e pandemisë prej 32.9 miliard lekë.

Grafiku 1: Të ardhurat e Përgjithshme (në milionë Lekë)

 

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 335.9 miliardë lekë, 32.9 miliardë më pak ose -8.9% krahasuar me vitin 2019, 9 miliardë ose 2.6% më pak se plani vjetor (i rishikuar sipas AN 28) për vitin 2020 si dhe 57.5 miliardë ose 14.6% më pak se plani fillestar për vitin 2020. Në këtë mosrealizim kanë ndikuar faktorë, të cilët do të shpjegohen në analizën specifike të secilit prej tatimeve mëposhtë.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 137.2 miliardë lekë, 10.9 miliardë lekë ose 7.4% më pak se viti fiskal 2019, 3.2 miliardë lekë ose 2.3% më pak se plani i të ardhurave doganore për 11 mujorin e vitit 2020, si dhe 20.8 miliardë ose 13.2% më pak se plani fillestar për vitin 2020. Sipas analizës së 60 grup mallrave, peshën më të madhe të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zë karburanti total me rreth 24% të të ardhurave (nga ku 23% karburant importi), cigaret me rreth 14% të të ardhurave, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre zënë 5.8% të të ardhurave totale doganore. Ndërkohë, ndikimin më të madh në rritjen krahasuar me 11 mujorin e vitit 2019 e kanë dhënë të ardhurat nga importi i sheqerit (51%), dhjamërat shtazore, mielli dhe gruri, etj. Një rënie kundrejt periudhës së mëparshme kanë pasur të ardhurat doganore nga karburantet e importit, karburantet prodhim vendi, energjia elektrike dhe cigare.

Të ardhurat nga TVSH në import për 11 mujorin rezultojnë 90 miliardë lekë, 7.5 miliardë lekë ose 7.7% më pak se një vit më parë, 1.6 miliardë ose 1.8% më pak se plani i periudhës Janar – Nëntor 2020 si dhe 12.9 miliardë ose 12.6% më pak se plani fillestar për vitin 2020. Ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në mosrealizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar. Rënia e importeve të taksueshme ka ndikuar direkt në uljen e arkëtimeve të TVSH-së në import. Situata ekonomike prej Covid-19 është reflektuar në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja e mbledhur në doganë për disa kategori artikujsh. Njëkohësisht, përjashtimi nga skema e TVSH-së e inputeve bujqësore uli TVSH-në në import me 1.9 miliardë lekë përgjatë këtij 11 mujori. Po gjatë vitit 2020, ulja drastike e çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare krahasuar me vitin 2019, ndikoi në uljen e bazës së TVSH-së për karburantet e importit, të cilat zënë një peshë të konsiderueshme rreth 15% në strukturën e TVSH-së në import, duke dhënë efekt negativ prej 2 miliardë lekësh. Gjatë vitit 2020, produktet doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë sheqeri, mielli dhe gruri, importi i dhjamërave shtazore, të cilat kanë një kontribut pozitiv +0.62 miliardë lekë. Ndër produktet me efekt negative renditen energjia elektrike, karburantet, metalet bazë, automjetet e përdorura, etj., me një efekt -4.4 miliardë lekë.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 40 miliardë lekë, 2.4 miliardë lekë ose 5.8% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019, 0.7 miliardë lekë ose 1.7% më pak se plani i akcizës për këtë 11 mujor si dhe 6.1 miliardë ose 13.3% më pak se plani fillestar për vitin 2020. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga akciza ka pasur produkti i duhanit në import, me një rritje +7 ton (+9.3%) me një efekt +25 milionë lekë më shumë se 11 mujori i vitit të kaluar, etj. Produktet e akcizueshme, që kishin ndikim negativ, janë karburantet e prodhuara në vend, me një rënie prej 58 mijë ton (-67.4%) krahasuar me një vit më parë, duke sjellë një efekt negative në akcizë me -2.4 miliardë lekë. Deklarimi i prodhimit të duhanit vendas u rrit nga 27 në 37 ton (+37%) gjatë vitit 2020. Akciza e rimbursuar është 0.55 miliardë lekë ose sa 36% e akcizës së rimbursuar në të njëjtën periudhë në vitin 2019.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.7 miliardë lekë, 29.2% ose 622 milionë lekë më pak se 11 mujori i vitit të kaluar dhe realizim në masën 69.5% kundrejt planit, ose 0.7 miliardë lekë më pak si dhe 1 miliardë ose 37% më pak se plani fillestar për vitin 2020. Të ardhurat nga renta minerare e naftës bruto janë 1.3 miliard lek, 615 milionë ose 32.6% më  pak se renta e vitit 2019 për periudhën Janar – Nëntor. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë rënë si rezultat i rënies së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, me një efekt -590 milionë lekë, por kjo rënie është shoqëruar nga rënia në sasinë e naftës bruto të eksportuar me -7475 ton, e cila ka sjellë efekt negativ në rentë me -25 milionë lekë. Gjatë vitit 2020 kemi një rënie të rentës për njësi nga 3.39 lekë/ton në 2.32 lekë/ton. Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie në masën 30 milionë lekë, për shkak të rënies së së sasisë së mineraleve me 5.9%, me efekt 25 milionë lekë, efekt ky që është shoqëruar me një rënie të lehtë të çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare (-1.1%), me efekt – 5 milionë lekë. Gjatë vitit 2020 kemi një qëndrueshmëri të rentës për njësi në nivelin 0.22 lekë/ton.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 5.6 miliardë lekë, 0.28 miliardë lekë ose 4.8% më pak se 11 mujori i vitit fiskal 2019, 234 milionë lekë ose 4% më pak se plani i vitit 2020 si dhe 0.8 miliardë ose 12.3% më pak se plani fillestar për vitin 2020. Peshën më të madhe në taksën doganore e zënë produktet si cigaret (11.9%), mish importi (10%), fruta – perime (8.9%), kimikate inorganike (8.7%), materialet e ndërtimit (6.6%), metalet bazë dhe artikujt prej tyre (6.1%), etj.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për periudhën Janar-Nëntor 2020  u realizuan në masën 198.7 miliardë lekë, 22 miliardë ose 10% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, si dhe 5.8 miliardë lekë, ose 2.9% më pak se plani 11 mujor i të ardhurave tatimore si dhe 36.7 miliardë ose 15.6% më pak se plani fillestar për vitin 2020. Peshën kryesore në mosrealizimin e planit e zë mosrealizimi i Tatimit mbi Fitimin dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 41.9 miliardë lekë, 2.4 miliardë ose 5.4% më pak se 11 mujori 2019, 4.2 miliardë ose 9.1% më pak se plani i TVSH për tu arkëtuar gjatë Janar- Nëntor 2020 si dhe 11.9 miliardë ose 22.1% më pak se plani fillestar për vitin 2020. Mosrealizimi i të ardhurave nga TVSH-ja Bruto vjen  si pasojë e efekteve të pandemisë Covid-19. Rimbursimet për periudhën Janar- Nëntor 2020 arritën 14.6 miliardë lekë, 2.6 miliardë lekë ose 15% më pak se viti i 11 mujori 2019,  4.6 miliardë lekë ose 24% më pak se plani i rimbursimit të TVSH-së per Janar- Nëntor 2020, si dhe 4.6 miliardë ose 24% më pak se plani fillestar për vitin 2020.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 24.8 miliardë lekë. Për shkak të shtyrjes së kësteve të pagesës së tatimit mbi fitimit në ndihmë të biznesit, këto të ardhura janë realizuar 8 miliardë lekë, ose 24.3% më pak se 11 mujori 2019, 2 miliardë lekë ose 7.4% më pak se plani Janar- Nëntor 2020 i rishikuar për Tatimin mbi Fitimin si dhe 8.8 miliardë ose 26.1% më pak se plani fillestar për vitin 2020..

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 33.7 miliardë lekë, 9.7 miliardë lekë ose 22.3% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019, 3 miliardë ose 8.3% më pak se plani për periudhën Janar- Nëntor 2020, si dhe 9.4 miliardë ose 21.8% më pak se plani fillestar për vitin 2020. Faktori kryesor në mosrealizimin e Tatimit mbi të Ardhurat Personale është reduktimi i numrit të të punësuarve dhe reduktimi i kohëzgjatjes së punës, nga ana e tatimpaguesve si pasojë e Covid 19.

Taksat nacionale, për periudhën Janar-Tetor 2020 u realizuan në masën 26.7 miliardë lekë, 4.1 miliardë lekë ose 13.2% më pak se 11 mujori 2019,  3.3 miliardë lekë ose 11% më pak se plani i përcaktuar, si dhe 6.6 miliardë ose 19.8% më pak se plani fillestar për vitin 2020.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 86.1 miliardë lekë, 518 milionë lekë ose 0.6% më pak se 11 mujori 2019, realizim thuajse 102.5% të planit Janar- Nëntor 2020 si dhe 4.6 miliardë ose 5.1% më pak se plani fillestar për vitin 2020.

 

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 11-mujorin e vitit 2020, arritën në 455.64 miliardë lekë me një realizim në masën 87.6 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 ky zë ka rezultuar 5.4 % më i lartë ose rreth 23.4 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korrente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 95.7 % dhe 82.6 % të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në, 85 % dhe 78.2 % të planit vjetor.

Grafiku 2: Shpenzimet korrente dhe kapitale Plan vs Fakt (në milionë Lekë)

Niveli i deficitit për periudhën 11 mujore të vitit 2020 rezultoi në rreth 72.7 miliard LEK nga rreth 120.7 miliard LEK i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit arriti në masën rreth 11.1 miliard LEK, për periudhën 11 mujore të vitit 2020 deficiti rezulton 61.6 miliard LEK më shumë.

 

Grafiku 3: Të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti/suficiti – Plan vs Fakt 9 mujor 2020 (në milion Lekë)