Postuar më: 15/11/2021

Përmbledhje e Performancës Paraprake 10 – Mujore të të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 10 – mujore (Janar – Tetor 2021) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Të ardhurat totale për 10 – mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 104.2 % të planit të 10 – mujorit.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 10 – mujorin e vitit 2021, u realizuan në masën 91.8 % të planit të periudhës.

Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin për 10 – mujorin e vitit 2021 rezultoi në rreth 35.9 miliardë lekë.

 

Performanca Paraprake 10-Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve

 

Të Ardhurat

Të ardhurat totale për 10-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 413.73 miliardë ose 104.2 % të planit të 10-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me 66 miliardë lekë.

Grafiku 1: Të ardhurat e Përgjithshme (në milionë Lekë)

 

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)

 

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 360.6 miliardë lekë, 56.1 miliardë ose 18.4% më shumë, krahasuar me vitin 2020, si dhe 18.6 miliardë ose 5.4% më shumë se plani 10 mujor për vitin 2021. Në këtë realizim kanë ndikuar faktorë të cilët do të shpjegohen në analizën specifike të secilit prej tatimeve më poshtë.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 153.9 miliardë lekë, 30.1 miliardë lekë ose 24.4% më shumë se 10 mujori 2020, si dhe 15.4 miliardë lekë ose 11.1% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 10 mujorin e vitit 2021. Të ardhurat doganore të 10 mujorit 2021 janë ndikuar kryesisht nga rritja e volumit të importit i cili ka sjellë rritje të të ardhurave 114.6 miliardë lekë ose 30 % më shumë krahasuar me 10 mujorin 2020.

 

Sipas Analizës së 60 grup mallrave, 58.4% të kontributit në totalin e të ardhurave doganore për periudhën Janar-Tetor 2021, e zënë 5 produkte dhe përkatësisht:

Karburant importi 26.5%; cigaret 14.8%; metalet bazë dhe artikujt prej tyre 6.5%; automjetet e përdorura me 4.6%; plastika dhe artikujt  3%; ushqime të përgatitura 3%

Të ardhurat nga TVSH në import për 10 mujorin rezultojnë 103.4 miliardë lekë, 22.4 miliardë lekë ose 27.6% më shumë se një vit më parë, si dhe 12.7 miliardë ose 14% më shumë se plani për 10 mujorin 2021. Ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në realizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar. Gjatë 10 mujorit 2021, produktet doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë: karburant importi me 3.5 miliardë; automjetet e përdorura me 2.4 miliardë; energji elektrike 1.2 miliardë lekë dhe materialet e ndërtimit me 0.9 miliardë, të cilat kanë një kontribut pozitiv +10.2 miliardë lekë.

Ndër produktet me efekt negative renditen: telefona celulare, fruta-perime, sheqeri, mielli dhe gruri dhe biçikletat dhe pjesët, me një efekt -151 milionë lekë.

 

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 42.4 miliardë lekë, 6.3 miliardë lekë ose 17.4% më shumë se viti 2020, si dhe 2 miliardë lekë ose 4.9% më shumë se plani i akcizës për 10 mujorin 2021. Ndikim të rëndësishëm pozitiv në të ardhurat nga akciza kanë pasur produktet:

  • Karburant importi, me një rritje 76.3 mijë ton, (+17.5%) më shumë se viti i kaluar, me efekt në të ardhura +3.4 miliard lekë, ose 18.2%.
  • Cigare me një rritje 252 ton, (+11.5%) më shumë se viti i kaluar, me efekt në të ardhura +2.3 miliard lekë, ose 18.1%.

Ndër produktet e akcizës që kishin ndikim negativ ishin:

  • Birrë prodhim vendi me një rënie prej 122 ton me efekt negative në akcizë me -230 milionë lekë
  • Gaz I lëngët me një rënie prej 17.9 mijë ton (-14.1%) krahasuar me një vit më parë, me efekt negative në akcizë me -10.4 milionë lekë

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.97 miliardë lekë, 131.1% krahasuar me vitin i kaluar dhe realizim në masën 99.9% kundrejt planit, ose 19 milionë lekë më pak. Të ardhurat nga renta minerare e naftës bruto janë 1.6 miliardë lekë, 478.5 milionë ose 42.7% më  shumë se renta e

10-mujorit të vitit 2020. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë pësuar rritje si rezultat i rritjes së sasisë së prodhimit të naftës bruto e cila për 10 mujorin 2021 është 6.4% më shumë se viti i kaluar me efekt +71.7 milionë lekë, por në të njëjtën kohë edhe rritja e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, ka sjellë një efekt +406.7 milionë lekë. Gjatë 10-mujorit 2021 kemi një rritje të rentës për njësi nga 2.29 lekë/ton në 3.07 lekë/ton.

Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rritje në masën 20.8 milionë lekë, për shkak të rritjes së sasisë së eksportuar me 2.6% krahasuar me 10 mujorin e vitit 2020 me efekt +9.1 milionë lekë njëkohësisht dhe rritjes së çmimit të mineraleve, me efekt +11.7 milionë lekë.

 

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 6 miliardë lekë, 1 miliardë lekë ose 20.5% më shumë se 10 mujori 2020, si dhe 730 milionë lekë ose 13.7% më shumë se plani i 10 mujorit 2021. Peshën më të madhe në taksën doganore e zënë produktet si cigaret (9.1%), fruta perimet (8%), mish importi (7.6%), veshjet e këmbës (7.5%).

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 10-mujorin 2021 u realizuan në masën 206.8 miliardë lekë, 25.9 miliardë ose 14.3% më shumë se 10-mujori i vitit të kaluar, si dhe 3.2 miliardë lekë, ose 1.6% më shumë se plani i 10-mujorit 2021.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 24.2 miliardë lekë, 339 milionë ose 1.4% më pak se 10-mujori 2020, si dhe 7 miliardë ose 22.4% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 10-mujorin 2021. Sektorët me kontributin më të madh krahasuar me 10-mujorin e vitit 2020 janë sektori i tregtisë, ndërtimit dhe sektori i shërbimeve. Rimbursimet për periudhën 10-mujore 2021 arritën 21.3 miliardë lekë, 7.9 miliardë lekë ose 59.3% më shumë se 10-mujori 2020, si dhe 6.6 miliardë lekë ose 45% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 10-mujorin 2021.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 27.3 miliardë lekë 5.1 miliardë lekë, ose 22.9% më shumë se 10-mujori 2020, si dhe 123 milionë lekë ose 0.5% më shumë se plani i vitit 2021 për Tatimin mbi Fitimin. Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve rezulton sektori i shërbimit me rritje 24% krahasuar me 10-mujorin e vitit 2020, sektori i ndërtimit me rritje 47% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm dhe sektori i tregtisë me një rritje 23% krahasuar me vitin e kaluar.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 33.6 miliardë lekë, 5.2 miliardë lekë ose 18.3% më shumë se 10-mujori 2020, si dhe 195 milion ose 0.6% më pak se plani i 10-mujorit 2021. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë pasur:

të ardhurat nga tatimi mbi deklaratën individuale vjetore të të ardhurave me rritje 96% krahasuar me 10-mujorin e vitit 2020, të ardhurat nga tatimi mbi dividendin dhe aksionet  me rritje 53% krahasuar me 10-mujorin e vitit 2020;

Taksat nacionale, për periudhën Janar-Tetor 2021 u realizuan në masën 32.6 miliardë lekë, 5.3 miliardë lekë ose 19.6% më shumë se 10-mujori 2020, si dhe 3.3 miliardë lekë ose 11.2% më shumë se plani i përcaktuar për 10-mujorin 2021. Peshën më të madhe në të ardhurat e taksës nacionale e zë taksa e qarkullimit rrugor me 50% të totalit të taksës nacionale, e cila gjatë 10-mujorit 2021 ka pësuar rritje me 19.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 89.1 miliardë lekë, 10.6 miliardë lekë ose 13.6% më shumë se 10-mujori 2020, si dhe realizim 108.5% të planit për 10-mujorin 2021.

 

Shpenzimet

 

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën dhjetë mujore të vitit 2021, arritën në rreth 449.63 miliard LEK me një realizim në masën 91.8% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 8.7% më i lartë ose rreth 36.1 miliard LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 10 mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 75.8% të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 73.7% të planit vjetor të ndryshuar me Aktin Normativ nr.26, datë 22.06.2021 (AN nr.26).

 

Shpenzimet korrente dhe ato kapitale, për periudhën 10 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 96.7% dhe 56.6% e planit të periudhës.

Grafiku 2: Shpenzimet korrente dhe kapitale Plan vs Fakt (në milionë Lekë)

                         Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)

Niveli i deficitit për periudhën 10-mujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 35.9 miliardë LEK, ose rreth 30.3 miliard LEK më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën 10 mujore niveli i deficitit rezulton 38.7% e planit të periudhës prej rreth 92.7 miliard LEK.

Grafiku 3: Të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti/suficiti – Plan vs Fakt  (në milion Lekë)

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)