Postuar më: 28/10/2014

Paratë publike, reformë për t’i bërë efikase

Projekti i binjakëzimit mbi Zbatimin e një Menaxhimi Financiar modern, Sistemit të Kontrollit dhe Inspektimit Financiar Publik në Shqipëri u prezantua dje për ta afruar më shumë vendin me standardet evropiane duke investuar  2.5 milionë euro në menaxhimin e financave publike të Shqipërisë.

 

Ministria e Financës e Austrisë dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financës e Francës do të bashkëpunojnë me Ministrinë e Financave të Shqipërisë, me mbështetjen e ekspertizës edhe nga Holanda dhe shtete të tjera anëtare. Projekti do të ndajë praktikat e mira të zhvilluara brenda BE-së me administratën publike shqiptare dhe do të mbështesë marrëdhëniet afatgjata mes administratave. Ai synon të përmirësojë performancën financiare dhe procedurat e kontrollit të brendshëm, forcimin e autiditimit të brendshëm që çon në rritje të transparencës, efikasitetit  në administrimin e fondeve publike.

 

Ky është një kusht paraprak jo vetëm për agendën evropiane të vendit por edhe për një zhvillim ekonomik të gjerë e të qendrueshëm si dhe për dhënien e shërbimeve më të mira për qytetarët. Projekti do të përqendrohet gjithashtu edhe në ngritjen e funksionit të inspektimit financiar në mënyrë që të kapet dhe luftohet shpërdorimi dhe korrupsioni.

 

Gjatë ceremonisë së prezantimit, zv/ministri i Financave, Erjon Luçi, deklaroi se, “Fokusi i projektit nuk është vetëm shpenzimi i parave publike në përputhje me ligjet dhe rregulloret përkatëse, por më e rëndësishmja, për të arritur (realizuar) eficiencën e këtyre shpenzimeve”.

Shefi i Bashkëpunimit i Delegacionit të BE-së në Shqipëri Yngve Engström vuri në dukje rëndësinë e një administrate publike mirëfunksionuese dhe administrimin mirëfunksionues të financave publike si domosdoshmëri për qeverisjen demokratike. Engström tha se ky projekt binjakëzimi kontribuon për një administratë publike dhe financa publike efikase dhe mirëfunksionuese si dhe, nëpërmjet përfitimeve që vijnë nga efikasiteti, krijon hapësirë për investime të ardhshme në shërbimet publike në dobi të qytetarëve shqiptarë.

 

Projekti prej  2.5 milionë euro do të zbatohet gjatë një periudhe dyvjeçare nga Agjencia Austriake për Integrimin Evropian dhe Zhvillimin Ekonomik.

 

Disa aktivitete kryesore në lidhje me Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin përfshijnë:

• Rishikim / Përditësim i legjislacionit të financave publike.

• Asistimi dhe ofrimi i trajnimeve për nëpunësit autorizues të njësive publike, nëpunësit ekzekutues dhe menaxherët e linjës e institucioneve të zgjedhura për krijimin e një procesi të menaxhimit të rrezikut dhe mbi kërkesat e informacionit të nevojshme për arritjen e objektivave të performancës.

• Trajnimi i nëpunësve ekzekutues të institucioneve të zgjedhura në ofrimin e mbështetjes, informacionit dhe këshillimit, për menaxherët e linjës dhe zyrtarëve të autorizojnë, përfshirë edhe personelin e NjQH / MFK.

• Vizitat studimore në institucionet e BE-së që kanë të bëjnë me funksionet e institucioneve të zgjedhura.

• Seminare ndërgjegjësuese për palë të ndryshme, të interesuara.

 

Disa aktivitete kryesore në lidhje me inspektimin financiar:

• Rishikimi i kuadrit ligjor për inspektimin financiar dhe dhënien e instruksioneve / manualeve për inspektimin financiar.

• Ngritja / përmirësimi i kapaciteteve të inspektorëve dhe stafit të Drejtorisë së Inspektimit me anë të trajnimeve / seminareve të ndryshme.

• Vizita studimore në vendet partnere të BE-së dhe / ose praktika për stafin e drejtorisë.