Postuar më: 04/05/2019

Panairi i Punës në Durrës, 1850 vende të lira pune për punëkërkuesit

Është zhvilluar sot “Panairi i Punës Durrës 2019”, në vijim të ciklit të panaireve që Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit, po organizon në të gjithë qarqet e vendit.

Rreth 60 subjekte punëdhënëse prezantuan në panair rreth 1180 vende të lira pune, në sektorë si: hoteleri-turizëm, industri përpunuese dhe konfeksione, telekomunikacion, transport dhe tregti, ndërtim, etj.

Ndërkohë, zyrat e Punës prezantuan edhe rreth 670 vende të tjera të lira pune të shpallur nga subjekte jo pjesëmarrëse në panair.

Përveç bizneseve, pjesëmarrës në panair ishin dhe ofrues të arsimit dhe formimit profesional që ushtrojnë aktivitetin në Rajonin Durrës, si shkolla  profesionale “Beqir Çela”; shkolla teknologjike “Hysen Çela” dhe Qendra e Formimit Profesional Durrës; institucione të Arsimit të Lartë, Universiteti “Aleksandër Moisiu”; përfaqësues të projekteve bashkëpunuese në fushën e Arsimit, Formimit Profesional dhe Punësimit, si DIMAK apo Swisscontact; përfaqësues të institucioneve vendore të rajonit të Durrësit.

Zv.Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Dajna Sorensen ishte e pranishme në Panair dhe u shpreh se panairet e punësimit po kthehen në traditë për të mundësuar personat që janë të gatshëm për tu punësuar të integrohen në tregun e punës.

“Synimi ynë është që të ndihmojmë të gjithë ata që janë të gatshëm për tu punësuar, për tu integruar në tregun e punës. Panairet e Punës kanë një rol shumë të rëndësishëm për të dëshmuar se sektori privat ka nevojë për punonjës dhe, mbi të gjitha, për punonjës të kualifikuar”, u shpreh Zv.Ministrja Sorensen.

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, pjesëmarrja në forcën e punës në qarkun e Durrësit është 64.5% nga 64.0% që ishte një vit më parë; niveli i punësimit është 55.6 %, nga 53.6 % që ishte një vit më parë, ndërsa shkalla e papunësisë është 13.9 % nga 16.2 % që ishte një vit më parë.

Për periudhën 1 Janar – 30 Prill 2019, në qarkun e Durrësit janë shpallur 2168 vende të lira pune dhe janë ndërmjetësuar 1338 punësime.