Postuar më: 01/05/2019

Nënshkruhet marrëveshja për Sigurimet Shoqërore midis Shqipërisë dhe Kanadasë, nga ku përfitojnë rreth 60 mijë qytetarë shqiptarë.

Nënshkruhet marrëveshja për “Mbrojtjen Shoqërore mes Shqipërisë dhe Kanadasë si edhe Rregullores Administrative” ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë dhe Departamentit të Punësimit dhe Zhvillimit Social të Kanadasë. Për Kanadanë nënshkroi Ministrja e Punëve të Jashtme zj. Chrystia Freeland, ndërsa për Republikën e Shqipërisë nënshkroi Ambasadori i Shqipërisë në Kanada, z. Ermal Muça.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është shmangja e mbulimit të dyfishtë për të njëjtën përiudhë dhe bashkimi i periudhave të sigurimit të realizuara në dy vendet. Në bazë të marrëveshjes asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

Gjithashtu, pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe eksporti i pensioneve, që do të thotë që pensioni do t’ju paguhet qytetarëve shqiptarë në vendin që do të zgjedhin të jetojnë. Kështu, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi që të marrin pensionin kanadez edhe nëse zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke mos humbur asnjë të drejtë.

Nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të përfitojnë rreth 60 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada. Nënshkrimi përfundimtar i kësaj marrëveshjeje erdhi pas një periudhe të gjatë negociatash për njohjen reciproke të skemave të sigurimeve shoqërore dhe hartimit të marrëveshjeve administrative, duke nisur që prej vitit 2013.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Kanada, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kanadasë si edhe u trajtuan disa çështje me interes të ndërsjellë si dhe u theksua vullneti i përbashkët i të dy vendeve tona për forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh. Ndërkohë që Ambasada Shqiptare në Kanada dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të jenë të gatshëm të asistojnë me informacion komunitetin e interesuar shqiptar të Kanadasë në lidhje me procedurat e mëtejshme për njohjen e kontributeve.

Që nga viti 2015 Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje me 7 vende të Evropës, dhe aktualisht ndodhet në proces negociatash dhe me 4 vende të tjera ku jetojnë dhe punojnë qyetarë shqiptar.