Postuar më: 15/06/2021

Nënshkruhet marrëveshja, KfW financon 100 milion euro për sistemin elektroenergjetik

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Qeverisë Shqiptare dhe  KfW për financimin  e një fondi  prej 100 milion euro për sistemin elektroenergjetik shqiptar.

 

Marrëveshjen për palën shqiptare e nënshkroi Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ndërsa për palën gjermane Drejtori i Zyrës Rajonale të KfW-së për Shqipërinë, z. Björn Thies, në praninë edhe të Ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, z. Peter Zingraf.

 

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Ministrja Denaj u shpreh,  se sektori energjetik në Shqipëri dhe reformimi i tij ka qënë dhe mbetet një nga prioritetet thelbësore në reformat strukturore të ndjekura për ekonominë Shqiptare, ndaj dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është në zbatim të planit strategjik për reformimin e sektorit të energjisë në Shqipëri.

 

Sipas Denajt, ky plan strategjik përmban një sërë masash me qëllim krijimin e një tregu të organizuar sipas modelit të Bashkimit Evropian, i cili bazohet në çmime konkurruese dhe udhëhiqet nga parimet e të qenit transparent, jodiskriminues dhe i qëndrueshëm.

 

Duke falënderuar donatorin Ministrja Denaj, theksoi se marrëveshja e huasë, prej 100 milionë euro, është një mbështetje e madhe e Qeverisë së Republikës Federale për të përmirësuar proceset e reformës sektoriale në sektorin energjetik në Shqipëri.

“Qeveria ka marrë zotimin që të vijojë punën prej disa vitesh  tashmë, një punë e cila ka disa rezultate konkrete, duke bërë realitet të plotë funksionimin e Bursës së Energjisë apo ndryshe APEX dhe hapjen graduale të tregut të shitjes me pakicë, së bashku me krijimin e një tregu konkurrues të energjisë”, tha Denaj.

Ministrja vlerësoi se sektori i energjisë do të jetë prioritet strategjik edhe në mandatin e tretë qeverisës, vazhdimësi e reformës së nisur edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

 

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Peter Zingraf, shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm me qeverinë shqiptare, ndërsa vlerësoi se reformat e ndërmarra nga kjo e fundit janë mbresëlënëse.  Ambasadori u shpreh,  se përmes kësaj marrëveshje qeveria gjermane mbështet reformën e transformimit të tregut të energjisë në Shqipëri, që është një hap i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, pasi synohet të krijohet një treg transparent që do nxisë rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe do të lehtësojë investimet e sektorit privat në tregun e energjisë.

Një moment të rëndësishëm për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe KfW e konsideroi marrëveshjen edhe Drejtori i Zyrës Rajonale të KfW-së për Shqipërinë, z. Björn Thies, i cili u shpreh,  se energjetika është një sektor me rëndësi në kuadër të këtij bashkëpunimi. Sipas tij, me nënshkrimin e marrëveshjes hapet një kapitull i ri i bashkëpunimit të përbashkët.

 

Huaja me terma të butë prej 100 milion euro ka një maturim prej 12 vjet,  duke përfshirë periudhën prej 3 vitesh pa pagesë principali.