Postuar më: 26/01/2022

Miratohet “Plani i veprimit për punësimin dhe integrimin social të individëve në moshë aktive pune”

Qeveria shqiptare ka hartuar një “Plan veprimi për punësimin dhe integrimin social të individëve në moshë aktive pune”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë firmosur urdhrin e përbashkët “Për miratimin e planit të veprimit për punësimin dhe integrimin social të individëve në moshë aktive pune”.

Zbatimi i këtij Plani synon punësimin dhe aftësimin profesional të punëkërkuesve të papunë, përfitues në programin e Ndihmës Ekonomike, duke synuar integrimin e tyre në tregun e punës.

Përmes këtij mekanizmi do të mundësohet dhënia në kohë e informacionit përmes sistemeve të integruara; përgatitja e planeve individuale të mbështetjes për çdo përfitues në moshë aktive pune që merr ndihmë ekonomike; trajnime profesionale dhe aftësim për punësim; si dhe punësimi i tyre me synim rritjen mbështetjen e familjes dhe ri-integrimin social të tyre.

Plani do të zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Shërbimi Social Shtetëror.