Postuar më: 07/07/2021

Miratohen ndryshimet ligjore për pronësinë industriale, Denaj: Mbështesim biznesin dhe konkurrencën e ndershme

Kuvendi miratoi në seancën e fundit të sesionit parlamentar projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për pronësinë industriale” të ndryshuar.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi para deputetëve ndryshimet ligjore dhe u shpreh se projektligj vjen në mbrojtje të biznesit dhe të konkurrencës së ndershme në treg, dhe në frymën e përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian.

 

Ndryshimi kryesor në ligj lidhet me “plotësimin e kuadrit ligjor lidhur me Sekretin tregtar, si një element që ofron siguri në veprimtarinë tregtare industriale të biznesit vendas dhe të huaj; rritjen e transparencës në dhënien e shërbimeve duke ngritur sistemin kompjuterik të administrimit të pronësisë industriale; apo rritjen e cilësisë së punës dhe shkurtimin e afateve për dhënien e këtij shërbimi në kohë.

Ndryshimet dhe saktësimet ligjore të projektligjit janë në përmbushje të rekomandimeve të Komisionit Evropian, dhe të përshtatura me praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Flitet shumë pak për pronësinë industriale. Si Ministre e kam pasur në fokus dhe në promovim gjatë punës sime, se çfarë do të thotë markë, pse duhet regjistruar dhe mbrojtur marka dhe besoj se puna që ka bërë DPPI është një punë e shkëlqyer, ku gjatë vitit të kaluar kemi regjistruar një numër të konsiderueshëm markash si rezultat i detyrimeve ligjore, por edhe i ndërgjegjësimit të bizneseve”, u shpreh Ministrja Denaj.

Përgjatë viteve, numri i regjistrimeve për objektet e pronësisë industriale, kryesisht për markë është rritur.

Nga vëmëndja e shtuar e qytetarëve tek regjistrimi i markave veçanërisht të  shërbimit si bizeset prodhuese, kryesisht vendase, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale shënoi përkatësisht:

1555 marka, prej të cilave 475 me pronarë Shqiptar u regjistruan gjatë vitit 2018;

3208 regjistrime prej të cilave 651 prej tyre me pronarë Shqiptar gjatë vitit 2019; 3645 marka, prej të cilave 718 me pronarë Shqiptar, u regjistruan gjatë vitit 2020, i cili ishte një vit sfidues dhe shumë i vështirë për ekonominë.