Postuar më: 10/11/2021

Ministrja Ibrahimaj: Të ardhurat e projektbuxhetit 2022 parashikohen 536.8 miliard lekë, rriten me 28.7 % të PBB

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, të ardhurat e projektbuxhetit të vitit 2022.

Ministrja u shpreh se programimi i të ardhurave për vitin e ardhshëm mbështetet në synimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për rritjen e të ardhurave dhe mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Ky program, theksoi Ibrahimaj, bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi, duke mbështetur në këtë mënyrë rimëkëmbjen ekonomike dhe duke nxitur prodhimin dhe eksportet.

Ministrja tha se të ardhurat buxhetore në raport me PBB pësojnë një rritje në terma realë në periudhën 2022-2024 me 28.7% të PBB në vitin 2022 dhe me 29.1% të PBB në vitin 2024.

Kjo rritje vjen dhe si pasojë e jetësimit të Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave (MTRS), e cila synon të përmirësojë politikat tatimore për forcimin e mbledhjes së tatimeve, përputhshmërisë dhe sistemeve të monitorimit. Implementimi me sukses i parashikimeve të strategjisë afatmesme të të ardhurave, parashikohet të ketë impakt pozitiv në rritjen e të ardhurat tatimore”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.

Në vitin 2022, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 536.8 miliard lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 500.2 miliard lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të  ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 360.5 miliard lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen në vlerën 111 miliard lekë.

Krahasuar me të pritshmin e vitit 2021, të ardhurat gjithsej të buxheti të shtetit rriten 7.8 %, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat planifikohen të rriten 9.9%  ose +32.5 miliardë lekë.

 

Fjala e Ministres Delina Ibrahimaj:

I nderuar kryetar i komisionit,

Të nderuar deputetë,

Projektbuxheti i vitit 2022 dhe ai afatmesëm bazohen në një kuadër makroekonomik të kujdesshëm dhe realist. Pas recesionit të fortë në vitin 2020, aktualisht në vlerën -4 përqind, ekonomia pritet të rekuperohet ndjeshëm në vitin 2021 dhe në vijim.

Vlerësimet më të fundit për rritjen ekonomike gjatë vitit 2021 kapin vlerën 7.6 përqind, duke vijuar këtë trend pozitiv dhe në periudhën afatmesme 2022-2024 me një mesatare prej 4 përqind në vit.

Rritja ekonomike për vitin 2022 parashikohet në nivelin 4.1 përqind e shoqëruar me një ulje të normës së papunësisë nga 11.4% në 2021 në 10.3% të parashikuar për vitin 2022.  Rritja ekonomike dhe punësimi do të mbështetet në një objektiv tjetër të planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 6.4% e PBB.

Të ardhurat buxhetore në raport me PBB pësojnë një rritje në terma realë në periudhën 2022-2024 me 28.7% të PBB në vitin 2022 dhe me 29.1% të PBB në vitin 2024. Kjo rritje vjen dhe si pasojë e jetësimit të Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave (MTRS), e cila synon të përmirësojë politikat tatimore për forcimin e mbledhjes së tatimeve, përputhshmërisë dhe sistemeve të monitorimit. Implementimi me sukses i parashikimeve të strategjisë afatmesme të të ardhurave, parashikohet të ketë impakt pozitiv në rritjen e të ardhurat tatimore.

 

PARASHIKIMI I TË ARDHURAVE PËR VITIN 2022

 

Në programimin e të ardhurave nga Tatimet dhe Doganat për vitin 2022, janë marrë në konsideratë faktorët kryesorë me ndikim në buxhet, veçanërisht situata ekonomike e krijuar nga pandemia Covid 19, përfshirë efektin e politikave të reja fiskale me qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë si dhe performanca Janar – Gusht 2021 e realizimit të të ardhurave tatimore dhe doganore.

Programimi i të ardhurave për vitin 2022, mbështet në synimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për rritjen e të ardhurave, si dhe mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Ky program bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi, duke mbështetur në këtë mënyrë rimëkëmbjen ekonomike, si dhe duke nxitur prodhimin dhe eksportet.

 

Metodologjia e programimit të të ardhurave është bazuar në modelet bashkëkohore të programimit dhe në analizën e detajuar të faktorëve që ndikojnë në secilën taksë dhe tatim. Modeli i përdorur bazohet në parashikimet makroekonomike për periudhën 2022-2025 si:

-rritja nominale, deflatori, analiza e importeve të grup produkteve kryesore, analiza e serive kohore si dhe modelet e bazuar në koefiçentin e elasticitetit “Buoyancy” dhe “Effective Tax Rate” për çdo taksë.

 

Në planifikim janë harmonizuar faktorët makroekonomikë, me treguesit kryesorë që ndikojnë në taksa specifike. Në mënyrë të detajuar treguesit kryesore për vlerësimin e të ardhurave janë:

 

  • Rritja nominale të PBB-së, duke analizuar këtë efekt në mënyrë të integruar me faktorë të tjerë për çdo taksë në veçanti, të ndërlidhur me të dhënat historike dhe projeksionet e çmimeve në tregjeve ndërkombëtare tek taksat ad-valorem si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Renta minerare dhe Taksa doganore.
  • Kursi i pritshëm i këmbimit të dy monedhave kryesore: USD dhe EURO me Lekun;
  • Çmimet në bursë që ndikojnë në të ardhurat nga TVSH-ja dhe Renta minerare;
  • Sasitë e pritshme të importit të mallrave.

 

Në vitin 2022, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 536.8 miliard lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 500.2 miliard lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të  ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 360.5 miliard lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen në vlerën 111 miliard lekë.

 

Krahasuar me të pritshmin e vitit 2021, të ardhurat gjithsej të buxheti të shtetit rriten 7.8 %, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat planifikohen të rriten 9.9%  ose +32.5 miliardë lekë.

 

Të ardhurat doganore janë parashikuar bazuar në bazën e analizës së trendit historik të 60 grup-produkteve kryesore, për një periudhë shumëvjeçare. Ky parashikim është korrektuar me efektet e faktorëve të tjerë të jashtëm në secilën taksë. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për të ardhurat nga tatimet, duke marrë për bazë modelin statistikor të projeksionit të të ardhurave të pritshme si dhe faktorët ekzogjenë me ndikim në çdo taksë.

 

Faktorët e jashtëm të marrë në konsideratë të cilët ndikojnë në rritjen e të ardhurave për vitin 2022 janë:

 

Kuadri Makroekonomik

 

Rritja nominale e Prodhimit të Brendshëm Bruto e skontuar me Koeficientin e Elasticitetit, është aplikuar duke analizuar këtë efekt në mënyrë të integruar me faktorë të tjerë për çdo taksë në veçanti, të ndërlidhur me të dhënat historike dhe projeksionet e çmimeve në tregjeve ndërkombëtare tek taksat ad-valorem si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Renta minerare dhe Taksa doganore. Në projeksion janë përfshirë, faktorë që lidhen me rritjen nominale të PBB-së, kursin mesatar të këmbimit EURO–Lek dhe USD-Lek, si dhe çmimet brent të naftës bruto dhe mineraleve të tjera.

 

 

Parashikimi i të ardhurave sipas zërave për vitin 2022

 

Të ardhurat nga “T.V.SH-ja” parashikohen të jenë 161.1 miliardë lekë, 14.6 miliardë lek ose 9.6% më shumë se pritshmëria për vitin 2021. Burimet e rritjes së TVSH-se në vitin 2022 do të jenë:

  • TVSH-së që do të gjenerohet si rezultat i rimëkëmbjes ekonomike;
  • TVSH nga rritja e volumit të importeve dhe konjuktura e çmimeve ndërkombëtare;
  • TVSH nga përmirësimi i administrimit, lufta ndaj informalitetit dhe kontrolli i zinxhirit të transaksioneve ndërmjet operatorëve;
  • TVSH si rezultat i efekteve të paketës fiskale 2022

 

Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” vlerësohen me rritje 6.5% ose 1.9 miliardë lekë më shumë se viti 2021, pra parashikohet të arkëtohen 35.6 miliardë lekë. Rritja e parashikuar në tatimin mbi fitimin bazohet:

  • Në rikuperimin e ekonomisë dhe rritjen e saj, çka do reflektohet edhe në deklaratat e tatimpaguesve;
  • Në forcimin e kontrollit të deklaratave, bazuar në kriteret e riskut;
  • Efektet e paketës fiskale 2022 .

 

Të ardhurat nga “Akciza” vlerësohen të jenë 56.8 miliardë lekë, me një rritje prej 4.6 miliardë lekë ose 9% më shumë se pritshmëritë për vitin 2021. Faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e parashikuar të të ardhurave nga akciza  lidhen me:  rritjen e importit të mallrave të fortë si karburante dhe cigare, si dhe forcimin e luftës kundër informalitetit,  nëpërmjet kontrollit rrigoroz të subjekteve të akcizës si dhe disiplinimit të mëtejshëm të procedurave të përfitimit të përjashtimeve dhe rimbursimeve nga kjo taksë.

 

Të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” parashikohen 45.2 miliardë lekë, me një rritje prej 2.5 miliardë lekë ose 5.8% më shumë se pritshmëritë për vitin 2021.  Në parashikimin e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale janë marrë në konsideratë rimëkëmbja ekonomike,  impakti i saj në nivelin e pagës mesatare, rritja e numrit të të punësuarve në sektorin privat, si dhe incentivat për nxitjen e punësimit.

 

Të ardhurat nga “Taksa Nacionale dhe të tjera” vlerësohen të jenë 49.7 miliardë lekë. Parashikimet për këtë taksë për vitin 2022 janë 21.6% ose 8.8 miliardë lekë më shumë se i pritshmi 2021 dhe bazohen në rritjen e mbledhjes së taksës së qarkullimit të automjeteve si dhe rezultat i rritjes sq sasive të karburantit që do të hidhen në treg.

 

Të ardhurat nga “Taksa Doganore” në vitin 2022 vlerësohet të jenë 7.5 miliardë lekë, me rritje 8 milionë lekë krahasuar me vitin 2021. Në programimin e të ardhurave janë marrë në konsideratë efektet e rritjes së importeve të tatueshme, si dhe disa efekte minimale nga lëvizja e tarifave doganore.

 

Të ardhurat nga “Kontributet për Sigurime Shoqërore e Shëndetësore” në vitin 2022 parashikohet të rriten me 6.7%, ose 7 miliardë lekë krahasuar me të pritshmin e vitit 2021. Të ardhurat gjithsej nga kontributet pritet të jenë në total, së bashku me të ardhurat që mbledhin ISSH dhe ISKSH 111 miliardë lekë, nga 104 miliardë lekë që do arkëtohen në vitin 2021. Të ardhurat totale 111 miliardë lekë parashikohet të mblidhen :

  • 1 miliard lekë nga DPT dhe DPD
  • 8 miliard nga ISSH
  • 100 milionë nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Rritja e programuar e të ardhurave mbështetet në këta faktorë:

  • rritjen ekonomike çka do reflektohet në rritjen e numrit të të punësuarve
  • forcimin e administrimit nëpërmjet kontrollit të nivelit të pagës të deklaruar dhe deviacionit të saj nga paga reale që përfitohet;

 

Ju faleminderit.