Postuar më: 19/10/2021

Ministrja Ibrahimaj takon ambasadorin e BE, shpreh angazhimin për përmbushjen e reformave

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, priti në një takim Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, z.Luigi Soreca.

Ministrja Ibrahimaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Europian ka dhënë dhe vijon të japë për vendin tonë.

Gjithashtu, Ministrja shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare në përmbushjen e axhendës së reformave, duke veçuar ato në fushën ekonomike, të cilat do të bëjnë të mundur integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE.

 

Gjatë takimit u vlerësua fakti se ekonomia e Shqipërisë po tregon shenjat e para të rimëkëmbjes dhe u vu theksi në përmbushjen e angazhimeve për ndihmën makrofinanciare që BE ka dhënë për Shqipërinë, ku Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka një rol kryesor në mbështetjen buxhetore dhe koordinimin e donatorëve.