Postuar më: 09/12/2021

Ministrja Ibrahimaj: Synojmë rritjen e eksporteve dhe ndërkombëtarizimin e produkteve Made in Albania

Qeveria shqiptare ka si qëllim krijimin e një ambienti sa më të përshtatshëm për të rritur eksportet e produkteve Made in Albania dhe ndërkombëtarizimin e tyre.

Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në fjalën e saj në Kuvend, ku prezantoi projektligjin për disa ndryshime në ligjin Nr.99, të datës 7 korrik 2021, mes të cilit u miratuan rregullat tranzitore të origjinës për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë EFTA dhe marrëveshjet bilaterale për bujqësinë me Konfederatën e Zvicrës, Principatën e Lihtenshtejnit dhe Republikën e Islandës.

Amendimi i ligjit shton si pjesë përbërëse të Marrëveshjes EFTA edhe ndryshimin e marrëveshjes bilaterale për bujqësisë me palën Norvegjeze, me qëllim aplikimin e rregullave tranzitore të origjinës, si rregulla alternative, edhe për produktet agrare primare.

Ministrja theksoi se këto rregulla do të lehtësojnë tregtinë e ndërsjellë jo vetëm ndërmjet Shqipërisë dhe Norvegjisë, por me vendet EFTA dhe të gjitha vendet pjesëmarrëse në Konventën PEM, me të cilat vendi ynë zbaton një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë.

Kjo pasi, këto rregulla janë më të thjeshta për tu kuptuar dhe plotësuar nga operatorët ekonomikë, si dhe janë më fleksibël, sepse një produkt ka disa opsione rregullash dhe operatori mund të zgjedhë.

“Ndër produktet bujqësore që ne eksportojmë drejt Norvegjisë janë produktet e peshkut, por edhe frutat dhe perimet. Prodhuesit shqiptarë të produkteve bujqësore që eksportojnë në Norvegji, të cilët përdorin materiale apo lëndë të parë të importuar nga këto vende me të cilat Shqipëria ka marrëveshje të tregtisë së lirë, kanë mundësi që duke përdorur këto rregulla tranzitore origjine të mund të marrin statusin si produkte shqiptare dhe të eksportojnë këto produkte me taksë doganore zero në Norvegji”, u shpreh Ibrahimaj.

Gjithashtu, një risi tjetër është që këto rregulla rrisin periudhën e vlefshmërisë së provave të origjinës nga 4 muaj në 10 muaj, duke i dhënë më tepër kohë biznesit t’i përdorë ato.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja theksoi se parashikimi i qeverisë për një rritje shumë shifrore të eksporteve është tejet ambicioz dhe hartimi i strategjisë së eksporteve do të kërkojë një kujdes të veçantë nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, me qëllim që të arrihen objektivat e duhura.

Sipas Ibrahimaj, kujdes nuk duhet treguar vetëm në drejtim të hartimit të politikave dhe ndjekjen e planeve të veprimit, por duhet të hidhen hapa konkretë, të cilët sjellin një klimë më të mirë biznesi dhe oportunitete për biznesin shqiptar, me qëllim që të zhvillohet, pasi është biznesi ai që eksporton.

 

                          

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

 

E nderuar Kryetare e Seancës,

Të nderuar Deputetë,

Të nderuar Qytetarë,

 

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka ndjekur një politikë konstante të hapjes së ekonomisë së saj drejt tregjeve globale në funksion të rritjes së eksporteve shqiptare.

 

Identifikimi i burimeve të reja të rritjes ekonomike dhe bashkëpunimi rajonal, nëpërmjet rritjes së eksporteve të produkteve shqiptare dhe ndërkombëtarizimit të bizneseve tona mbeten prioritete të programit të qeverisjes.

 

Parashikimi i qeverisë për një rritje shumë shifrore të eksporteve është tejet ambicioz dhe patjetër që hartimi i strategjisë së eksporteve do të kërkojë një kujdes të veçantë nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, me qëllim që të arrihen objektivat e duhura.

 

Kujdesi sigurisht nuk duhet vetëm në drejtimin e hartimit të politikave dhe ndjekjen e planeve të veprimit, por duhet të jetë i përqendruar në hapa konkretë, të cilët sjellin një klimë më të mirë biznesi, sjellin oportunitete për biznesin shqiptar, me qëllim që të zhvillohen, pasi është biznesi ai që eksporton dhe jo qeveria.

 

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë veprimesh dhe hapash në kuadër të Planit të tregut të përbashkët rajonal. Ne kemi qenë pjesë aktive e zbatimit të këtij plani, duke mbajtur pozicione negociuese në favor të interesave tona ekonomike dhe kemi bërë një zë të rëndësishëm në takimet rajonale për uljen e tarifave në lidhje me importin dhe eksportin.

 

Në krahasim me vitin 2013, masat që kemi marrë ndër vite për të rritur eksportet tona kanë rezultuar në rritje prej rreth 52% të vlerës së tyre, në saj të politikës sonë të hapur tregtare.

 

Politikat tona të brendshme si politikat fiskale, subvencionet, thjeshtimi i procedurave për bizneset, janë të nevojshme për të mbështetur dhe politikat e jashtme tregtare në mënyrë që bizneset të rrisin mundësinë që të eksportojë produktet shqiptare dhe të rrisin tregjet e tyre në to.

 

Aktualisht kemi në zbatim Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë me Bashkimin Europian, me vendet CEFTA dhe EFTA, si dhe me Turqinë.

 

Në të gjitha marrëveshjet e  tregtisë së lirë që kemi në fuqi, reduktimi i tarifave doganore apo masa të tjera liberalizuese tregtare që kemi negociuar kanë në thelb të tyre faktin se mallrat duhet të jenë me origjinë shqiptare.

 

Në rast se produkti nuk përfiton origjinën shqiptare, ai nuk mund të përfitojë nga këto marrëveshje.

 

Për këtë arsye, çdo Marrëveshje e Tregtisë së Lirë ka një set të detajuar rregullash që quhen ‘Rregullat e origjinës’, që përshkruajnë kërkesat që duhet të plotësojnë mallrat që të mund të përfitojnë nga trajtimi tarifor preferencial.

 

Rregullat e origjinës janë rregullat që duhet të plotësoj një mall që të quhet origjinues në një vend (psh në Shqipëri) dhe kur të eksportohet të përfitoj tarifa preferenciale 0% në vendin  pritës, duke e bërë konkurrues më pas në këtë treg.

 

Nga viti 2013, vendet anëtare të Konventës PEM (vendet e EFTA, Turqia, Ballkani Perëndimor, vendet e Partneritetit Lindor dhe vendet e Mesdheut), nën drejtimin e Komisionit Europian kanë punuar për të dakordësuar një set të ri rregullash origjine me qëllim thjeshtimin dhe liberalizimin e tyre, duke zëvendësuar protokollet e origjinës në Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë me Konventën PEM.

Në fund të vitit 2019, vendet dakordësuan për të zbatuar një set të ri rregullash tranzitore origjine derisa Konventa e rishikuar të miratohet dhe të hyjë në fuqi nga të gjitha Palët e saj.

Qeveria iu bashkua kësaj iniciative ndërkombëtare për arsye të përfitimeve që këto rregulla sjellin për biznesin shqiptar. Këto rregulla të reja do të rrisin shanset dhe mundësitë për të eksportuar produkte “Made in Albania” në tregjet adresues të Konventës, pra BE, CEFTA, EFTA dhe vende të tjera.

Biznesit dhe industrisë sonë do t’ju ofrohet tanimë një mundësi shtesë, ajo e zbatimit të rregullave të reja të Konventës PEM (Preferenciale pan–Euro- Mesdhetare) për mallrat që ata eksportojnë, sa herë që kjo u përshtatet atyre.

Për këtë arsye, gjatë këtij viti ne kemi sjellë për miratim në këtë parlament  ndryshimet për këto rregulla origjine në marrëveshjet e tregtisë së lirë që Shqipëria ka me Bashkimin Europian, CEFTA, EFTA dhe marrëveshjet bilaterale për bujqësinë me Konfederatën e Zvicrës, Principatës së Lihtenshtejnit dhe Republikën e Islandës. Gjithashtu, jemi në proces negociatash edhe me palën turke.

 

 

Të nderuar Deputetë,

 

 

Në vijim të këtij procesi, sot ju kemi paraqitur për miratim një ndryshim në ligjin nr. 99, të datës 7 korrik të këtij viti, i cili miratoi rregullat tranzitore të origjinës për EFTA dhe marrëveshjet bilaterale për bujqësinë me Konfederatën e Zvicrës e Principatës së Lihtenshtejnit dhe Republikën e Islandës.

 

Projektligji i propozuar sot lidhet me amendimin e këtij ligji, duke shtuar si pjesë përbërëse të Marrëveshjes EFTA edhe ndryshimin e marrëveshjes bilaterale për bujqësisë me palën Norvegjeze, me qëllim aplikimin e rregullave tranzitore të origjinës, si rregulla alternative, edhe për produktet agrare primare.

 

Këto rregulla do të lehtësojnë tregtinë e ndërsjellë jo vetëm ndërmjet nesh dhe Norvegjisë, por me vendet EFTA dhe të gjitha vendet pjesëmarrëse në Konventë, me të cilat vendi ynë zbaton një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë, pasi janë :

  • më të thjeshta për tu kuptuar dhe plotësuar nga operatorët ekonomikë;
  • janë më fleksibël, sepse një produkt ka disa opsione rregullash dhe operatori mund të zgjedhë;
  • lejojnë vazhdimin e zbatimit të kumulimit diagonal dhe parashikojnë kumulimin e plotë diagonal të origjinës, etj.

 

Ndër produktet bujqësore që ne eksportojmë drejt Norvegjisë, janë produktet  e peshkut, por edhe frutat dhe perimet.

Prodhuesit shqiptarë të produkteve bujqësore që eksportojnë në Norvegji, të cilët përdorin materiale apo lëndë të parë të importuar nga këto vende me të cilat Shqipëria ka marrëveshje të tregtisë së lirë, kanë mundësi që duke përdorur këto rregulla tranzitore origjine të mund të marrin statusin si produkte shqiptare dhe të eksportojnë këto produkte me taksë doganore zero në Norvegji.

 

Një risi tjetër është që këto rregulla rrisin periudhën e vlefshmërisë së provave të origjinës nga 4 muaj ne 10 muaj, duke i dhënë më tepër kohë biznesit t’i përdorë ato.

Ju faleminderit!