Postuar më: 02/11/2021

Ministrja Ibrahimaj prezanton Paketën Fiskale 2022: Mbështet politikat për garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik

Ministrja Delina Ibrahimaj prezantoi në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave Paketën Fiskale të vitit 2022.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë u shpreh se Paketa Fiskale shoqëron projektbuxhetin për vitin e ardhshëm dhe mbështet politikat e nisura për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Përmes zbatimit të saj synohet që të ardhurat shtesë në buxhetin e shtetit të jenë në masën 5.2 miliard lekë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka iniciuar hartimin e një Strategjie Afatmesme të të Ardhurave të buxhetit, në konsultim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me qëllim sigurimin në terma afatmesëm të burimeve për financimin e shpenzimeve buxhetore.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se konsolidimi i financave publike, rritja e të hyrave të buxhetit dhe ulja graduale e defiçitit buxhetor dhe borxhit publik në vijim, do të mbështeten në dy shtylla kryesore, të cilat janë:

  • Rishikimi i politikave tatimore, duke korrigjuar përjashtimet dhe tarifat joefektive, si dhe
  • Përmirësimi i administrimit tatimor dhe doganor, duke pasur një sistem të lehtë për tu zbatuar nga tatimpaguesit.

 

Paketa Fiskale e vitit 2022 përbëhet nga disa projektligje përmes të cilave propozohen ndryshime në ligjet: “Për tatimin mbi të ardhurat”; “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”; ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për taksat kombëtare”.

 

Ndryshimet më kryesore të propozuara dhe që prekin në mënyrë direkte qytetarët janë ato në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, të cilat rrisin pagën dysheme të pa tatueshme, nga niveli 30 mijë lekë në nivelin 40 mijë lekë në muaj.

“Për këtë interval pagash tatimi që do të paguhet mbi të ardhurat nga paga është 0%, duke mundësuar që çdo qytetar që siguron më pak të ardhura, të mos paguajë tatim dhe të ketë të ardhura më të larta. Nga ky ndryshim përfitojnë 71,500 qytetarë, në masën totale prej 557 milionë lekë në vit. Shuma e përfitimit është mesatarisht 7,800 lekë për vit për çdo qytetar”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.

Gjithashtu, ndryshimet e propozuara parashikojnë reduktimin e normës tatimore me 50% për tatimpaguesit me të ardhura nga paga nga 40,001 lekë/muaj deri në 50,000 lekë/muaj, ku përfitojnë rreth 58,000 tatimpagues me një shumë përfitimi rreth 11,700 lekë mesatarisht për vit.

Në të njëjtën linjë, mbështetet e gjithë shtresa e mesme duke rishikuar fashën e sipërme të taksimit progresiv. Tatimi 23% parashikohet të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë/muaj, nga 150,000 lekë/muaj që është aktualisht.

 

Fjala e plotë e Ministres Delina Ibrahimaj:

 

I nderuar kryetar i komisionit

Të nderuar deputetë,

 

Më lejoni të paraqes përpara jush Paketën Fiskale të vitit 2022, e cila përfshin disa ndryshime apo ndryshime të disa përjashtimeve të mëparshme në nivelin e tatimeve dhe taksave.

Kjo paketë shoqëron projektbuxhetin e vitit 2022 dhe është në mbështetje të politikave të nisura për të garantuar një zhvillim të gjatë ekonomik.

Së pari, më lejoni t’ju shpjegoj se Paketa e re Fiskale synon që të ardhurat shtesë në buxhetin e shtetit të jenë në masën 5.2 miliardë lekë dhe vjen pasi Ministria e Financave dhe Ekonomisë prej vitesh tashmë ka iniciuar hartimin e një Strategjie Afatmesme të të Ardhurave të buxhetit, duke u konsultuar me FMN dhe në bazë të rekomandimeve të këtij institucioni ndërkombëtar, me qëllim sigurimin në terma afatmesëm të burimeve për financimin e shpenzimeve buxhetore.

Të ardhurat tatimore për vitin 2020 janë rreth 398 miliardë lekë ose 24.6 % të Produktit të Brendshëm Bruto. Projeksioni për vitin 2022 parashikon rritjen e të ardhurave tatimore në 26.8 % të PBB dhe në vitin 2023 në 27.1 % të PBB.

 

Konsolidimi i financave publike, rritja e të hyrave të buxhetit dhe ulja graduale e defiçitit buxhetor dhe borxhit publik në vijim, do të mbështeten në dy shtylla kryesore:

 

  • Rishikimin e politikave tatimore, duke korrigjuar përjashtimet dhe tarifat joefektive, si dhe
  • Përmirësimin e administrimit tatimor dhe doganor, duke pasur një sistem të lehtë për tu zbatuar nga tatimpaguesit.

 

Paketa Fiskale që ju paraqitet parashikon ndryshime ligjore në ligjin mbi tatimin mbi vlerën e shtuar, në ligjin mbi tatimin mbi të ardhurat, në ligjin për taksat kombëtare dhe në ligjin për akcizat në Republikën e Shqipërisë.

 

  • Rishikimi i ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.

 

Qeveria, që në vitin 2013, mbështeti tatimin progresiv, sipas parimit “kush fiton më shumë, paguan më shumë”. Falë aplikimit të taksës progresive, që nga viti 2013, janë mbështetur më shumë se 90 % e të punësuarve, të cilët kanë paguar më pak taksa. Kjo, në linjë me rritjen e pagës minimale dhe rritjen e pagës mesatare në tërësi, ka rezultuar në më shumë të ardhura të disponueshme për familjet shqiptare.

Nëpërmjet ndryshimit të propozuar në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” rritet paga dysheme e pa tatueshme, nga niveli 30 mijë lekë në nivelin 40 mijë lekë në muaj. Për këtë interval pagash tatimi që do të paguhet mbi të ardhurat nga paga është 0%, duke mundësuar që çdo qytetar që siguron më pak të ardhura, të mos paguajë tatim dhe të ketë të ardhura më të larta.

Nga ky ndryshim përfitojnë 71,500 qytetarë, në masën totale prej 557 milionë lekë në vit. Shuma e përfitimit është mesatarisht 7,800 lekë për vit për çdo qytetar.

Ndryshimi i propozuar gjithashtu parashikon reduktimin e normës tatimore me 50% për tatimpaguesit me të ardhura nga paga nga 40,001 lekë/muaj deri në 50,000 lekë/muaj, ku përfitojnë rreth 58,000 tatimpagues me një shumë përfitimi rreth 11,700 lekë mesatarisht për vit.

Në të njëjtën linjë, mbështetet e gjithë shtresa e mesme duke rishikuar fashën e sipërme të taksimit progresiv. Tatimi 23% parashikohet të fillojë të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë/muaj, nga 150,000 lekë/muaj që është aktualisht.

Numri i përfituesve nga ky ndryshim është rreth 5,900 tatimpagues dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 23,000 lekë për tatimpagues/vit, në vlerën totale prej 135 milionë lekë në vit.

Nëpërmjet këtyre propozimeve lehtësojmë shtresën e ulët dhe të mesme duke qëndruar fort parimit të progresivitetit ku ai që fiton më shumë, paguan më shumë.

  • Paketa Fiskale që ju paraqitet parashikon gjithashtu një ndryshim në ligjin nr. 92/2014 ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”:

 

Trajtimi me shkallë të reduktuar i TVSH-së 10 për qind i furnizimit të inputeve bujqësore, siç janë plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët, përveç hormoneve të klasifikuara në kodet 2937 të Nomeklaturës së kombinuar të mallrave. Lista e kategorive të inputeve bujqësore do të përcaktohet në vijim, me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Numri i subjekteve të cilët preken nga ky ndryshim është 3600 subjekte në vit; Nga trajtimi me shkallë të reduktuar 10 % të TVSH-së i furnizimit të inputeve bujqësore pritet që të ardhurat të rriten me rreth 900 milionë lekë/vit.

Subjektet që ofrojnë këtë furnizim nuk mund të zbresin TVSH e paguar për blerjet brenda vendit dhe në import, të kryera në funksion të furnizimit të përjashtuar, ndryshe nga subjektet që kryejnë furnizime të ndryshme dhe mund të zbresin TVSH e paguar në blerje.

Trajtimi i furnizimit të inputeve bujqësore me një normë të reduktuar të TVSH-së do të kontribuojë në zbutjen e informalitetit, forcimin e ekonomisë dhe sigurimin e garancinë së produkteve bujqësore.

Norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor nga 6 për qind bëhet 0 për qind.

Numri i subjekteve që preken nga ky ndryshim ligjor është rreth 140 subjekte të kategorisë grumbullues;

Nga sistemi aktual për vitin 2020 janë miratuar dhe rimbursuar 138 kërkesa me 1.2 miliard lekë.

Nga ndryshimi i normës së kompensimit të prodhuesit bujqësor nga 6% në 0% pritet që të ardhurat të rriten minimalisht me 750 milionë lekë në vit, kjo bazuar në deklaratat e TVSH që kemi në dispozicion

 

Ndryshimet e parashikuara në ligjin e TVSH vijnë si shkak i rekomandimeve në mënyrë të vazhdueshme të FMN-së për heqjen e të gjithë përjashtimeve dhe normave të reduktuara tatimore, si dhe përkrahjen e sektorëve prioritarë duke gjetur mënyra të tjera mbështetjeje, por pa cënuar sistemin tatimor.

 

Theksojmë se Bujqësia vazhdon të mbetet një nga sektorët prioritarë të qeverisë dhe mënyra e ndjekur për mbështetjen e këtij sektori gjatë periudhës afatmesme është kanalizuar nëpërmjet subvencionimit buxhetor.

Strategjia e ndjekur nga qeveria për përkrahjen e sektorit bujqësor është fokusuar në politikat e reja të financuara për Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvilimit Rural.

Në projektbuxhetin që kemi paraqitur në Kuvend kemi parashikuar:

  • Shtesë për Skemat e mbështetjes së fermerëve prej 25 miliardë lekë;
  • Shtesë për skemën e rimbursimit të naftës me 200 milionë lekë;
  • Fond i bashkëfinancuar me qeverinë gjermane, ku qeveria parashikon 200 milionë lekë, ndërkohë që kontributi i qeverisë gjermane është 6.8 milion euro.
  • Fond Garancie Sovrane prej 1 miliardë lekë për mbështetjen e fermerëve.

 

Gjithashtu, ligji për TVSH ndryshon duke hequr përjashtimin nga TVSH-ja në import për makineritë dhe pajisjet e importuara në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë.  Më parë ky limit ishte 50 milionë lekë.

Mesatarisht numri i përfituesve nga kjo inventivë ka qenë 550 subjekte në vit, numër i cili ka ardhur në rritje.

TVSH-ja e përjashtuar për këto subjekte ka qenë rreth 1 miliard lekë në vit, nga të cilat 400 milionë lekë në vit TVSH e përjashtuar parashikohet të vijnë nga kontratat e investimit me vlerë më të vogël se 500 milionë lekë.

Nga kjo masë që do të ndërmerret, pritet që të ardhurat të rriten me 400 milionë lekë në vit.

Dua të theksoj se kjo masë merret në vijim të gjitha procedurave të cilat janë përmirësuar në rimbursimin e TVSH në administratën tatimore. Në kohën kur është vendosur kjo masë, ka pasur një stok të rimbursimit të TVSH dhe një paaftësi të administratës tatimore për të ripaguar TVSH në kohë. Ndërkohë që sot që flasim, stoku i rimbursimit të TVSH është zero dhe nga data 1 janar ky rimbursim do të bëhet automatik duke mos cënuar asnjë investitor shqiptar dhe duke i dhënë mbrapsht atë TVSH që është e tyre dhe e meritojnë.

 

  • Në vijim, do ju paraqes ndryshimet e propozuara në ligjin nr. 61/2012 ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”.

 

Ky ndryshim parashikon:

Hartimin i një skeduli të ri për rritjen e nivelit të akcizës së duhanit dhe nënprodukteve të tij për periudhën 2022-2025, me qëllim përafrimin me nivelin e akcizës që aplikohet në BE duke synuar dhe një unifikim të nivelit te akcizës ndërmjet duhanit dhe nënprodukteve të tij.

Në skedulin e ri të akcizës parashikohet një rritje vjetore me 250 lekë për 1000 fije, ose 250 lekë/kg, sipas njësisë së vlerësimit për duhanin.

Gjithashtu parashikohet një rritje vjetore me 2 lekë/ml për nikotinën e lëngshme, si dhe një rritje vjetore me 500 lekë/kg për nikotinën me qese, duhanin me ngrohje dhe shisha, ose nargjilë.

Sasia në ton e produkteve të duhanit dhe nënprodukteve të tij parashikohet të jetë 3100 ton ose shprehur në fije mbi 2,8 milionë fije për vitin 2022.

Nga rritja e akcizës në grupin e duhaneve, parashikohet efekt vjetor në rritjen e të ardhurave nga akciza rreth 750 milion lekë.

 

Gjithashtu, një tjetër ndryshim që propozohet në ligjin për akzicat është: Indeksimi automatik me normën e inflacionit të tarifave specifike të akcizës.

 

Indeksi vjetor i çmimeve në 10 vitet e fundit është rritur mesatarisht 1.5% – 2.2% në vit, me këtë përqindje parashikohet të rriten edhe nivelet e akcizave të mallrave të akcizueshme,

Ky indeksim do të bëhet për produktet e akcizës me përjashtim të produkteve dhe nënprodukteve të duhanit të cilat kanë një skedul të rritjes së tyre.

Niveli i akcizës që është mbledhur zakonisht në një vit, pa përfshirë produktet dhe nënproduktet e duhanit, llogaritet në 29 milionë lekë, ndërkohë që inflacioni faktik për 9-mujorin e parë të 2021 është 1,7%.

Nga indeksimi automatik vjetor i tarifave specifike të akcizës së mallrave të akcizueshme, pritet që të ardhurat nga akciza të rriten minimalisht me 500 milion lekë në vit.

 

Një tjetër ndryshim i propozuar është:

Unifikimi i akcizës për ‘”Gazet e naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoikepër të gjitha destinacionet e përdorimit të tij në nivelin 6 lekë për litër.

Aktualisht niveli i akcizës për këtë nënprodukt është 8 lekë për litër nëse ai përdoret si lëndë djegëse për automjetet, dhe 0 lekë për litër nëse ai përdoret nga konsumatorët e tjerë për çdo qëllim.

Nga unifikimi i akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarburet e tjera gazoike në nivelin 6 lekë/litri pritet të arkëtohen rreth +375 milion lekë akcizë në vit.

Më lejoni të theksoj se, nga sasia e importuar e kësaj lënde djegëse rezulton se:

  • Rreth 2/3 (350 milionë litra) nuk ngarkohet me akcizë, që presupozon se nuk përdoret si karburant për automjetet;
  • Rreth 1/3 (180 milionë litra) e sasisë së importuar deklarohet për përdorim automjetesh dhe ngarkohet me akcizë;

Përvoja disa vjeçare ka treguar se administrimi i deklarimit të destinacionit të përdorimit të këtij nënprodukti është shumë i vështirë, duke krijuar mundësi për shmangie nga pagesa e akcizës, prandaj propozohet dhe unifikimi i akcizës për këto produkte.

Në vijim parashikohet:

Heqja e rimbursimit të akcizës së lëndëve djegëse për industrinë, të cilat përdoren për nevoja teknologjike të prodhimit të produkteve në këta sektorë si: farmaceutika, tullat, çimeto, birra dhe nafta bruto.

 

Konkretisht, nga të dhënat rezulton se, nga kjo skemë rimbursimi ka përfituar vetëm industria, pasi në fillim duhet të kishte përfituar dhe agroindustria, por kjo skemë për këtë sektor nuk ka gjetur zbatim, si rezultat i mos kërkesës së subjekteve për të përfituar nga ky rimbursim.

Aktualisht janë 11 subjekte përfituese nga kjo skemë rimbursimi për vitet 2020-2021, të cilët rezultojnë të jenë pjesë e industrisë hidorkarbure, tullave dhe industrisë farmaceutike.

Nga heqja e rimbursimit të akcizës së lëndëve djegëse për industrinë efekti i parashikuar në buxhetin e shtetit është 800 milion lekë.

Përveç këtyre ndryshimeve në norma, në Paketën Fiskale ne kemi parashikuar edhe disa Masa të mirëadministrimit doganor, si:

 

Unifikim i procedurave dhe penaliteteve me dispozitat e ligjit nr.102/2014 “Kodit Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Këto ndryshime janë propozuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në cilësinë e organit zbatues, dhe lidhen me mirëadministrimin dhe mirëfunksionimin e administratës doganore, si dhe ndihmojnë në zbatimin e këtij legjislacioni në përputhje edhe me parashikimet e Kodit Doganor;

Me qëllim që mos të ketë mospërputhje midis dispozitave të ligjit nr. 61/2012 “Për akcizat në RSH”, i ndryshuar, me parashikimet e ligjit nr. 102/2014 “Kodi Doganor i RSH”, i ndryshuar, janë propozuar ndryshime në afatet lidhur me verifikimin e shkeljes, njoftimin nga autoriteti doganor për shkeljen dhe ankimimin ndaj vendimit të autoritetit doganor nga ana e shkelësit.

 

  • Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”,

 

Projektligji parashikon vendosjen e një takse prej 100 lek/kg për importimin ose prodhimin e qumështit pluhur.

Ky propozim, konkretisht synon që të incentivojë prodhimin dhe tregtimin në vend të qumështit, me synim mbështetjen e fermerëve vendas. Kjo, duke marrë në konsideratë dhe faktin se, sektori i qumështit konsiderohet si sektor me përparësi nisur nga potenciali për zëvendësimin e importit. Duke parashikuar një import mesatar prej rreth 1.000 ton qumësht pluhur në vit, referuar të dhënave të vitit 2019 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2021 (duke qenë se 2020 konsiderohet vit i veçantë për shkak të pandemisë), me vendosjen e taksës 100 lek/kg parashikohet një efekt financiar pozitiv në të ardhurat e shtetit me 100 milion lekë në vit.

 

Gjithashtu, me qëllim shmangien e abuzimeve dhe përfitimeve të padrejta nga mjete lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi që furnizohen me karburant në zonat e lira doganore/magazinat doganore, parashikon vendosjen e një takse prej 65 lekë/litër mbi karburantin që përdoret për furnizimin e këtyre mjeteve lundruese në këto zona.

Duke qenë se parashikohet një furnizim i mjeteve lundruese për argëtim me karburant, mesatarisht në vlerën rreth 18 mijë ton në vit ose thënë ndryshe rreth 21 milion litra karburant në vit, atëherë nga vendosja e taksës në vlerën 65 lekë për litër parashikohet me një efekt financiar pozitiv në të ardhurat e shtetit me rreth 1.3 miliardë lekë në vit.

 

Më lejoni t’ju them se kjo Paketë Fiskale është në proces të konsultimit me të gjithë grupet e interesit dhe biznese të sektorëve të ndryshëm dhe duke ju uruar diskutime të mbara, uroj që ajo të miratohet.