Postuar më: 12/01/2022

Ministrja Ibrahimaj: Ekonomia ka shënuar rritje, presim të jetë 8.6 % në vitin 2021

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, paraqiti në një konferencë për shtyp, përmbledhjen e  treguesve kryesorë të ekonomisë për vitin 2021 dhe prioriteteve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për vitin 2022.

Ministrja u shpreh se rritja ekonomike për vitin 2021 parashikohet të jetë në nivelin 8.6 %, në rritje në krahasim me parashikimet e fillimit të vitit prej 5 % dhe parashikimet e muajit korrik me 7.6 %. Ky parashikim, theksoi Ministrja, mbështetet në përmirësimin e treguesve makroekonomikë dhe performancën e mirë të thuajse gjithë sektorëve ekonomikë.

Ministrja Ibrahimaj tha se të ardhurat e vitit 2021 priten të jenë rreth 21 % më shumë në krahasim me vitin 2020 dhe 11 % më shumë në krahasim me vitin 2019, ndërkohë që për vitin 2022 parashikohet një rritje e të ardhurave me 6 % në krahasim me vitin 2021.

“Për vitin 2021 ne mendojmë që niveli i të ardhurave do të mbyllet me rreth 506 miliardë lekë, duke e çuar treguesin e të ardhurave ndaj GDP në 28.6 %. Është një tregues i cili sigurisht është optimist për atë synim që ne kemi, që në periudhë afatmesme të arrijmë në një nivel të të ardhurave prej 30 % të GDP-së. Kjo sigurisht arrihet si me një ecuri të mirë ekonomike dhe krijimin e kushteve për një klimë të mirë ekonomike, por gjithashtu me të gjitha politikat fiskale dhe të mirë administrimit fiskal të cilat tashmë prej kohësh kanë filluar”.

Duke u ndalur në prioritetet për vitin 2022, Ministrja Ibrahimaj theksoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të ndjekë një politikë fiskale të kujdesshme duke synuar reduktimin e borxhit publik dhe deficitit.

Planifikojmë të arrijmë një rritje ekonomike me rreth 4.1 % për vitin 2022, ndërkohë që në vijim rritja do të normalizohet në nivelin 4 %. E besojmë fort këtë pasi kemi ndërmarrë disa nisma të politikës fiskale dhe të mirë administrimit fiskal, të cilat do të sjellin një rritje të qëndrueshme”, vijoi Ministrja.

Gjithashtu, Ministrja renditi disa nga nismat që planifikohen të merren në kuadër të politikës ekonomike, me synim krijimin e kushteve për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe lehtësuar klimën e biznesit.

 

Fjala e Ministres Delina Ibrahimaj:

Përshëndetje të gjithëve,

Duke ju uruar një vit të mbarë unë kam thirrur këtë konferencë për shtyp me qëllim që të fillojmë një traditë, e cila është ndjekur edhe më parë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, për të bërë një analizë të treguesve kryesorë ekonomikë të vendit, por edhe për të diskutuar mbi projektet madhore dhe prioritet kryesore të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për vitin 2022.

Siç jeni edhe në dijeni, ekonomia shqiptare kaloi dy kriza jo të vogla, tërmetin e vitit 2019 dhe pandeminë e vitit 2020, të cilat kanë reflektuar në ecurinë ekonomike të vitit 2020, ndërkohë që për vitin 2021 kemi përjetuar një ecuri e cila ka qenë më e mirë se sa ajo e parashikuar në fillim të vitit, por edhe më e mirë se sa e kemi parashikuar edhe në mes të vitit.

Rritja ekonomike për vitin 2021, në bazë të informacioneve dhe të të dhënave të tërthorta që Ministria e Financave ka, parashikohet të jetë në nivelin 8.6 %. Besoj e mbani mend se parashikimi i mëparshëm, i muajit korrik, me të dhënat që kishim deri në atë moment, ishte 7.6 %, ndërkohë që në fillim të vitit jo vetëm ne por edhe institucionet ndërkombëtare që merren dhe janë teknike të analizave ekonomike, si FMN apo BB, parashikonin në rritje rreth 5 % për vitin.

Niveli i lartë i rritjes ekonomike ka ardhur sigurisht si pasojë e treguesve të ndryshëm makroekonomikë të cilët shoqërojnë rritjen ekonomike dhe janë të pandashëm nga ajo.

Si fillim unë dua të flas për të ardhurat, të cilat kanë pasur gjatë gjithë vitit një vijueshmëri dhe ecuri shumë të kënaqshme. Për vitin 2021 ne mendojmë që niveli i të ardhurave do të mbyllet me rreth 506 miliardë lekë, duke e çuar treguesin e të ardhurave ndaj GDP në 28.6 %. Është një tregues i cili sigurisht është optimist për atë synim që ne kemi, që në periudhë afatmesme të arrijmë në një nivel të të ardhurave prej 30 % të GDP-së. Kjo sigurisht arrihet si me një ecuri të mirë ekonomike dhe krijimin e kushteve për një klimë të mirë ekonomike, por gjithashtu me të gjitha politikat fiskale dhe të mirë administrimit fiskal të cilat tashmë prej kohës kanë filluar. Në krahasim me vitin 2020, të ardhurat e këtij viti do të mbyllen me një rritje prej 21 %. Viti 2020 ka qenë një vit i vështirë dhe atipik dhe ecuria e mirë nuk do të tregohej vetëm në krahasim me vitin 2020. Por, nëse do të krahasonim me vitin 2019, i cili është një vit normal dhe me një ecuri normale të ekonomisë, të ardhurat janë rritur me 11 %.

Në bazë të treguesve dhe analizave që kemi bërë, besojmë se ky rezultat ka ardhur si i ndikuar nga ecuria e mirë e bizneseve, por gjithashtu i ndikuar edhe nga Fiskalizimi, i cili është një proces që tashmë ka filluar, është në fazat e tij përfundimtare dhe ka filluar të japë efektin e tij, sidomos në bizneset e mëdha, ku përqindja e subjekteve të fiskalizuara është e lartë në krahasim me numrin total të bizneseve.

Duke iu rikthyer treguesve makroekonomikë, unë dua të ndalem te treguesit e punësimit, të cilët gjithashtu kanë treguar një ecuri shumë të mirë. Norma e papunësisë në tremujorin e tretë arriti nivelet e vitit 2019 dhe gjithashtu treguesit e punësimit kanë arritur në nivelet e vitit 2019, duke treguar që ekonomia është rigjallëruar dhe nuk flasim më për një rimëkëmbje të ekonomisë, por në vitin 2022 do të flasim për reforma strukturore që do të çojnë në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, në ato sektorë që janë prioritarë për vendin.  Dhe nga ana e financimit të konsumit, pra pagat, kemi pasur një ecuri të mirë. Në tremujorin e tretë pagat u rritën me 6.4 % në krahasim me një vit më parë dhe është një tregues i cili ka ardhur vazhdimisht në rritje.

GDP-ja për frymë është një tjetër tregues që tregon për mirëqenien e qytetarëve dhe të konsumit. Pritet që për vitin 2022 të jetë në nivelin 600 e 61 mijë lekë për banor.

Nga ana tjetër, edhe treguesit e tregtisë së jashtme, shumë të rëndësishëm për të analizuar shëndetin e biznesit, kanë qenë në rritje. Në nivel 11 mujor ne kemi pasur një rritje të eksporteve me 35.4 % dhe një rritje të importeve me 31.1 % në krahasim me vitin 2020.

Të gjithë sektorët e ekonomisë kanë qenë në rritje. Pra nëse e ndajmë rritjen ekonomike në sektorë, ajo ka qenë gjithëpërfshirëse, ku të gjithë sektorët kanë treguar rritje dyshifrore, duke u nisur nga: industria e cila për 11 mujorin është rritur me 24.5 %; e ndjekur nga tregtia me 14.4 %; ndërtimi me 22 %, i cili është shumë i rëndësishëm për rritjen ekonomike; duke e ndjekur nga aktivitetet financiare dhe të sigurimit; arte, argëtim dhe çlodhje, të cilat të gjitha kanë pasur një rritje dyshifrore. I vetmi sektor që nuk ka pasur ecuri të kënaqshme ekonomike është sektori i bujqësisë, por siç e kemi diskutuar edhe më parë, ky është një sektor që edhe gjatë vitit 2020 ka pasur një ecuri të mirë, pra përmban dhe efektin e bazës në të.

Edhe numri i bizneseve, në linjë me zhvillimet ekonomike, ka ardhur në rritje ku numri i bizneseve të reja të çelura për vitin 2021 ka qenë 16.090 biznese.

Të gjithë këto tregues do të vijojnë të ndiqen dhe analizohen me kujdes nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në të gjitha konferencat që ne do të bëjmë në muajt në vijim.

Nga ana tjetër, si nga ana e prodhimit kemi pasur një ecuri shumë të mirë në të gjithë sektorët ekonomikë, ashtu edhe nga ana e shpenzimeve, ku rritja është ndikuar kryesisht nga kërkesa e brendshme, ku si konsumi, ashtu edhe investimet kanë ardhur në rritje. Investimet janë ndikuar si nga investimet publike, duke qenë se viti 2021 ka qenë një vit i cili është shoqëruar me një stimul fiskal të shtuar nga ana e qeverisë dhe MFE, ndërkohë që edhe investimet private kanë shënuar rritje të konsiderueshme.

Ne mendojmë që kjo rritje dhe gjithë perspektiva që na pret për vitin 2022, rritja ekonomike do të vazhdojë, sigurisht jo në nivelet e vitit 2021, që ka një bazë të vitit 2020 shumë të ulët, por planifikojmë të arrijmë një rritje ekonomike me rreth 4.1 % për vitin 2022, ndërkohë që në vijim rritja do të normalizohet në nivelin 4 %.

E besojmë fort këtë pasi kemi ndërmarrë disa nisma të politikës fiskale dhe të mirë administrimit fiskal, të cilat do të sjellin një rritje të qëndrueshme. Dëshiroj të theksoj se gjatë vitit 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të ndjekë një politikë fiskale të kujdesshme duke synuar reduktimin e borxhit publik. Niveli i borxhit publik, ashtu si e kemi diskutuar edhe herë të tjera, është në nivele shumë të larta. Në vitin 2021 ai do të mbyllet me një nivel rreth 80.1 %, ndërkohë që duke nisur që nga viti 2022 ne parashikojmë që niveli borxhit të shkojë rreth 78.8 % të DGP-së dhe gjithashtu edhe treguesi i deficitit të arrijë në 5.4 %, duke synuar në reduktim të këtyre treguesve nga viti në vit, me qëllim që të krijojmë të gjitha hapësirat e mundshme të cilat në fakt, gjatë gjithë qeverisjes ishin krijuar dhe qeverisja ka treguar që politika fiskale ka qenë e kujdesshme dhe ka synuar reduktimin e borxhit dhe reduktimin e deficitit.

Nga ana tjetër, dua të ritheksoj disa politika fiskale të cilat janë ndërmarrë tashmë dhe do të hyjnë në fuqi që prej datës 1 korrik. Ne, në vijim të politikave të pagave që synojnë proporcionalitetin dhe taksimin e pagave me parimin “ai që fiton më shumë, paguan më shumë”, kemi ndërmarrë një sërë nismash në paketën fiskale që do të implementohet në vitin 2022, të cilat synojnë reduktimin e bazës së taksueshme dhe të taksave për shtresat me të ardhura më të ulëta dhe me të ardhurave të mesme. Sigurisht jeni në dijeni që tashmë kufiri i taksimit për të ardhurat personale nuk është më 30 mijë lekë, por nga data 1 korrik do të jetë 40 mijë lekë, ndërkohë që është përgjysmuar tatimi për individët që kanë të ardhura nga 40 deri në 50 mijë lekë dhe është rritur tavani i taksimit nga 150 mijë në 200 mijë lekë duke synuar, siç thashë dhe më sipër, që shtresa e mesme e popullsisë dhe shtresa me të ardhura të ulëta të ketë një reduktim të mëtejshëm të tatimit mbi pagat.

Nga ana tjetër, në fund të vitit, ne morëm disa nisma ligjore të cilat synojnë mbështetjen e biznesit. E kam fjalën për shtyrjen e afatit për vendosjen e penaliteteteve për biznesin e vogël kryesisht, për Fiskalizimin.

Fiskalizimi është një reformë dhe një proces që do të ndërmarrë kohën e vet. Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë qenë shumë të kujdesshme ta ndjekin procesin hap pas hapi, duke synuar gjithmonë një qasje sa më shumë këshilluese dhe sa më pak penalizuese, me qëllim arritjen e objektivit tonë që është përfundimi me sukses i reformës së Fiskalizimit. Pra, ka pasur një shtyrje të vendosjes së penaliteteve deri në 1 korrik, i cili është dhe afati përfundimtar kur ne mendojmë që do përfundojë reforma e Fiskalizimit dhe kjo është e bazuar në të gjithë shifrat që kemi, me ecurinë e këtij procesi, me ecurinë dhe interesimin e bizneseve për të filluar këtë process, për të marrë certifikatat elektronike, për të filluar dhe për të lëshuar faturat elektronike.

Një tjetër proces i rëndësishëm përsa i përket administratës tatimore është dhe rimbursimi i TVSH-së. Ne kemi arritur që të zerojmë stokun e rimbursimit të TVSH-së që para fundit të vitit 2021 dhe objektivi ynë ishte që deri në fund të vitit 2021 stoku të ishte zero dhe këtë objektiv e kemi realizuar. Nga ana tjetër, përsa i përket shifrave të rimbursimit, kemi pasur një ulje të kohës së dhënies së rimbursimit, në krahasim me vitet e kaluara dhe gjatë vitit 2022 koha e dhënies së rimbursimit synohet të ulet akoma më tej, duke synuar rimbursimin automatik. Gjithashtu, synohet një ndryshim irregullores së rimbursimit, ku pjesa më e madhe, rreth 80 % e bizneseve, do ta marrë rimbursimin pa pasur nevojë t’i ushtrohen një kontrolli, i cili ka qenë në historikun e DPT dhe ka qenë si shkaktar i vonesave në dhënien e rimbursimit, por gjithashtu edhe shkaktar i pakënaqësive nga ana e biznesit. Vetëm ato biznese të vilat do të jenë me risk të lartë do t’i ushtrohen kontrollit, i cili do të jetë pas dhënies së rimbursimit dhe do të jetë një kontroll i thelluar dhe jo vetëm i përqendruar në shifrën e rimbursimit të TVSH, por do të jetë një kontroll i thelluar i shtrirë në të gjitha fushat me risk të subjekteve tatimpagues.

Po jap disa shifra për procesin e Fiskalizimit.  Dua të theksoj se rreth 86 % e biznesit të madh ka filluar procesin e Fiskalizimit dhe lëshimin e faturave, ndërkohë që 70 % e biznesit të vogël ka filluar procesin e Fiskalizimit. Administrata Tatimore ka marrë masa që deri në fund të muajit qershor këto të jenë 100 %.

Nga ana tjetër, gjatë vitit 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të fillojë një proces konsultimi për Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave. Janë një sërë masash të cilat janë konsultuar gjerësisht dhe gjatë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të cilat synojnë reduktimin dhe heqjen e përjashtimeve, të cilat nuk nxisin rritje ekonomike dhe nuk nxisin zhvillim.

Në bazë të strategjisë Afatmesme të të Ardhurave që ne do të fillojmë të konsultojmë që këtë muaj dhe synojmë ta përmbyllim procesin e konsultimit brenda muajit qershor, që nga viti 2023 ne do të fillojmë të ndërmarrim ato masa që shumë shpejt do të prezantohen.

Por, dua të theksoj këtu që rreth 30 % e masave të rekomanduara nga FMN kanë qenë pjesë e paketës fiskale, e cila fillon zbatimin që në vitin 2022

Ne parashikojmë që për vitin 2022 të kemi një rritje të të ardhurave rreth 6% në krahasim me vitin 2021, e cila është një shifër e kënaqshme duke marrë parasysh që viti 2021 ka një bazë shumë të mirë të ardhurash. Kjo rritje do të vijë pjesërisht nga politika fiskale dhe pjesërisht nga miradministrimi fiskal. Për vitin 2022, sigurisht që deri më tani kam folur kryesisht për pjesën fiskale dhe ekonomike.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka si pjesë përbërëse të saj edhe çështjet e punësimit dhe gjatë vitit 2022 do të ndërmarrim një sërë reformash kryesore ekonomike.

Kështu, do të hartojmë një plan veprimi për rritjen e investimeve në vend, këtu e kam fjalën jo vetëm për investimet e huaja por edhe vendase. Ka shumë rekomandime të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare por edhe të dhomave të ndryshme të tregtisë që rekomandojnë si ndryshime në legjislacion ashtu edhe në procedura të cilat do të fillojnë të implementohen gjatë këtij viti.

Ne synojmë që të hartojmë strategji të eksporteve, e cila do të synojë rritjen e eksporteve shqiptare.

Ne synojmë që të hartojmë një strategji gjithëpërfshirëse të informalitetit duke synuar që mos të kemi një aksion të lidhur me informalitetin por një plan masash të kuadruar në një strategji me qëllim zgjidhjen përfundimtare të kësaj gangrene të ekonomisë shqiptare.

Do të hartojmë strategjinë për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbikëqyrjen e tregut.

Do të kemi një plan masash specifik për rritjen e produktivitetit dhe gjithashtu do të hartojmë strategjinë e punësimit për vitet në vijim.

Përsa i përket mbështetjes së start up-eve dhe bizneseve, ne do të synojmë zhvillimin e një kuadri ligjor në mbështetje të start up-eve dhe do të akordojmë garancitë sovrane të cilat janë të buxhetuara në vlerën 3 miliardë lekë për bizneset me qëllim zhvillimin e tyre.

Së fundmi, dua të ndalem sërish tek informaliteti dhe tek ç’ka është anoncuar edhe nga kryeministri përsa i përket pagave dhe informalitetit në paga. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, që prej vitit 2019, ka filluar një punë përsa i përket informalitetit në paga. Puna ka qenë e bazuar në informimin e tatimpaguesve, në kontaktimin e tatimpaguesve me qëllim që kjo dukuri të reduktohet dhe ka pasur ecuri mjaft të mirë.

Në vitin 2020, ndonëse ishte një vit shumë i vështirë, Administrata Tatimore arriti që të rrisë nivelin e pagave për 30% të tatimpaguesve të cilët ishin targetuar si potencial të dukurisë së nën deklarimit të pagave. Në bazë të atij plani që është ndjekur më parë dhe sigurisht duke marrë parasysh atë që ndodhi në lidhje me pagat, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nën drejtimin e Ministrisë së Financave, por edhe me institucione të tjera të cilat veprojnë përsa i përket informalitetin në paga, ka ndërmarrë një plan masash i cili ka filluar me dërgimin e më shumë se 10,550 letrave për subjekte të cilët ne mendojmë që kanë risk në deklarimin e pagave.

Gjithashtu, unë marr rastin të rikujtojë të gjithë bizneset që data 20 janar është afati i fundit i deklarimit të listë pagesave, si për biznesin e madh ashtu edhe për të voglin, dhe në bazë të të dhënave dhe letrave që kemi dërguar presim që bizneset të bëjnë një reagim që në 20 janar për ndryshimin e atyre pagave të cilat janë të nën deklaruara.

Ajo që ndodhi gjatë dhjetorit, me të gjithë të keqen që e shoqëroi duke qenë se dolën të dhëna të cilat janë personale dhe sensitive, pati një efekt pozitiv dhe këtu i referohem sensibilizimit të njerëzve për nivelet e pagave dhe sensibilitetin e njerëzve për këtë dukuri. Është shumë e rëndësishme që deklarimi real të bëhet në bashkëpunim me biznesin dhe sidomos në bashkëpunim me individët. Janë individët ata të cilët me mos deklarimin e pagave apo me deklarimin jo real do të kenë efektet e tyre të cilat do të ndihen në mirëqenien e tyre dhe pensionet që do të marrin në të ardhmen. Nuk duhet menduar për sot por për të gjithë jetëgjatësinë e mirëqenies së familjeve.

Ne kemi ndërmarrë një plan masash të cilat synojnë analizimin e të gjithë të dhënave të pagave, i cili ka filluar. Megjithatë, do të presim datën 20, do të presim se çfarë reagimi do të kenë bizneset në këtë deklarim në mënyrë që të vijojmë me vijimin e planit të masave të cilat do të finalizohen në kontrolle të thelluara apo deri në hetime.

Dua të ritheksoj edhe njëherë sepse është shumë e rëndësishme që bizneset të sensibilizohen. Sistemi tatimor është bazuar në vetë deklarim dhe ne jemi aty që të mbështesim biznesin me qëllim që të ecim përpara dhe të vazhdojmë punën në drejtim të informalitetit. Plani i pagave për pagat minimale është vetëm fillimi i punës për informalitetin dhe në vijim ne do t’ju bëjmë me dije për të gjitha masat që do të ndërmerren në drejtim të reduktimit të kësaj dukurie.

Faleminderit.