Postuar më: 06/05/2022

Ministrja Ibrahimaj: Dixhitalizimi, të unifikohen strategjitë me bankat e nivelit të dytë, reduktohen kostot dhe lehtësohen shërbimet

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, zhvilluan një takim me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë në vend, në kuadër të dixhitalizimit të shërbimeve.

Gjatë takimit u diskutua mbi nevojën dhe mundësitë që bankat e nivelit të dytë t’i bashkohen Revolucionit Dixhital të ndërmarrë nga qeveria, në mënyrë që qytetarët dhe sipërmarrja të lehtësohen nga pengesat në vonesën e marrjes së shërbimeve.

Përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë u ftuan të jenë pjesë në grupin e punës të ngritur mes institucioneve qeveritare dhe Bankës së Shqipërisë, i cili do të kontribuojë në thjeshtimin e procedurave dhe reduktimin e dokumenteve, në mënyrë që marrëdhëniet e qytetarëve dhe biznesit me bankat të lehtësohen.

Ministrja Delina Ibrahimaj shprehu kënaqësinë që bankat e nivelit të dytë kanë investuar në dixhitalizim dhe kanë vullnetin për të bashkëpunuar me institucionet shtetërore në kuadër të dixhitalizimit të ofrimit të shërbimeve.

Ministrja u shpreh se periudha e pandemisë tregoi se kërkesa për të përdorur shërbimet online nga ana e qytetarëve është një kërkesë e kohës, ku për vitin e kaluar është rritur me 43 % përdorimi i pagesave elektronike.

Ibrahimaj theksoi domosdoshmërinë e unifikimit të strategjive me bankat e nivelit të dytë, në linjë me zhvillimet teknologjike, në mënyrë që të reduktohen kostot dhe lehtësohen shërbimet.

“Nga ana e Ministrisë së Financave, por edhe nga ana e Bankës së Shqipërisë, jemi të gatshëm të punojmë së bashku që të zhvillojmë sistemet jo vetëm për sistemin e-commerce dhe formën e pagesës nëpërmjet e-commerce, por edhe nëpërmjet online banking, ku të sigurojmë një komunikim dinamik, në kohë reale, mes bankave dhe institucioneve shtetërore”, tha Ministrja.

Gjithashtu, Ministrja shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që komunikimi dinamik dhe në kohë reale me bankat të vendoset edhe sistemin e thesarit, i cili është i rëndësishëm si për ofrimin e shërbimeve, ashtu edhe për ndërveprimin mes bankave.

“Unë jam e bindur që nëpërmjet krijimit të grupit të punës, duke qenë se vullneti ekziston nga të dy palët, ne do të kemi mundësi që të japim afate kohore të shpejta për zhvillimin e sistemeve, të bëjmë ato zhvillime për reduktimin e kostove dhe jam e bindur se i gjithë ky bashkëveprim dhe komunikim do të sjellë rritje të konkurrencës në ofrimin e këtyre shërbimeve, ulje të mëtejshme të kostove, dhe do të nxisë inovacionin në sektorin financiar, i cili është i rëndësishëm”, vijoi Ibrahimaj.

Ministrja shprehu bindjen se përmes bashkëpunimit me bankat e nivelit të dytë do të mundësohet jo vetëm ndërlidhja e sistemeve dhe reduktimi i kostove, por do të marrin zgjidhje problematika si ulja e informalitetit dhe reduktimi i qarkullimit të parasë “cash” në ekonomi.

“Jam e bindur se bashkërisht do të arrijmë që në një kohë të shkurtër të japim zgjidhje qoftë teknike ndërlidhjes së sistemeve dhe reduktimit të kostove, por edhe problematikave të tjera që na lidhin të gjithë bashkë, siç është reduktimi i Cash-it në ekonomi apo ulja e informalitetit. Vetëm nëpërmjet sistemeve dhe vetëm nëpërmjet një sinergjie më të mirë të sistemeve tona me format e pagesave ne do të arrijmë që t’i luftojmë këto dukuri dhe do të arrijmë mbi të gjitha të ofrojmë shërbimin e duhur për të gjithë qytetarët”, tha Ibrahimaj.

Aktualisht 95% e shërbimeve publike ofrohen online përmes platformës e-Albania dhe një pjesë e tyre lidhen ngushtësisht me digjitalizimin e pagesave për këto shërbime.