Postuar më: 18/05/2022

Ministrja Ibrahimaj: Dixhitalizimi, i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik

Dixhitalizimi duhet të shtrihet në të gjithë sektorët e ekonomisë, përfshirë sektorin e bujqësisë.

Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në fjalën e saj gjatë aktivitetit të zhvilluar në mbyllje të projektit “FiAS “Përfshirja Financiare e Familjeve Sipërmarrëse të Vogla në Shqipëri”, financuar nga Qeveria Japoneze.

Projekti u zbatua me sukses falë bashkëpunimit të suksesshëm mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar- JICA dhe FedInvest. Qëllimi i tij ishte përmirësimi i përfshirjes financiare të ekonomive dhe fermave familjare në zonat rurale në Shqipëri, duke zhvilluar produkte dhe shërbime të reja financiare dhe jofinanciare, të cilat i përgjigjen nevojave të fermerëve. Kjo u arrit duke forcuar kapacitetin e Shoqërisë së Kursim-Kreditit, FedInvest, për të ofruar shërbime financiare dhe jo financiare në zonat rurale të vendit.

“Zbatimi i këtij projekti ka qenë dhe vazhdon të jetë në përputhje me reformat më të rëndësishme që qeveria shqiptare ka pasur, si reformën e dixhitalizimit, që tashmë është bërë i domosdoshëm”, tha Ministrja Ibrahimaj.

Ministrja theksoi, se përmbyllja me sukses e këtij projekti dëshmoi për bashkëpunimin e shkëlqyer mes sektorit publik, partnerëve ndërkombëtarë dhe sektorit privat.

Ajo falënderoi qeverinë japoneze për bashkëpunimin në projekte të ndryshme, një pjesë e të cilave në formën e granteve apo garancive, të cilat kanë ndihmuar qeverinë për të çuar përpara reformat e saj.

Ministrja Ibrahimaj tha,  se sektori i bujqësisë është një ndër sektorët që ka më shumë nevojë për mbështetje sa i përket edukimit financiar, rritjes së aksesit në financë dhe dixhitalizimit, elementë të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë.

“Dixhitalizimi duhet të futet në të gjithë fushat e ekonomisë dhe ne do të punojmë fort që të arrijë të gjithë ato sektorë ku është më e vështirë të mundësohet, në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme apo në sektorin bujqësor, që faktikisht përbën 20 % të Produktit të Brendshëm Bruto, ka një pjesë shumë të madhe të të punësuarve në vend dhe përbën një pjesë shumë të madhe të të mirave të familjeve shqiptare”, tha Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë që ka aksesi në kreditim i sektorit bujqësor dhe shprehu besimin se përmes bashkëpunimeve të suksesshme mes qeverisë, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë do të bëhet e mundur zhvillimi i mëtejshëm i tij.

“Objektivi ynë i përbashkët është ndërtimi i një modeli, me qëllim që t’i japim një frymë tjetër këtij sektori të rëndësishëm, të ndihmojmë të nxisim bizneset në kredidhënie, pasi besojmë se vetëm nëpërmjet kredidhënies dhe kësaj forme të financimit do të arrihet rritja e produktivitetit të këtij sektori, që është kaq i nevojshëm”, u shpreh Ministrja.

Përmes zbatimit të Projektit FiAS u mundësua themelimi i Qendrës së Asistencës së Biznesit Agri (ABA), e cila ka mundësuar deri më tani ofrimin dhe zhvillimin e disa produkteve jo-financiare si Informacioni, dhënie njohurish, eskpertizë agri, ndërlidhje dhe mundësi krijimi kontaktesh dhe rrjetësimi, trajnime, edukim financiar, akses në tregun online.

Aktualisht po punohet për projektimin e një faze tjetër të projektit, e cila do të jetë më e zgjeruar se faza e parë dhe do të bazohet në gjetjet e saj. Në këtë fazë të re, sipas Ministres, duhet të përfshihen veçanërisht gratë në zonat rurale.