Postuar më: 22/11/2021

Ministrja Ibrahimaj: Buxheti 2022 mbështet biznesin e vogël, 250 milionë lekë për sipërmarrjet Start Up

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, zhvilluan një takim me përfaqësues të biznesit të vogël në vend, në kuadër të takimeve që qeveria ka ndërmarrë për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se mbështetja dhe nxitja e biznesit të vogël ka qenë në fokus të qeverisë shqiptare që prej vitit 2013. Në këtë drejtim, nga kësaj kategorie biznesesh janë ndërmarrë nisma të ndryshme si në drejtim të lehtësive fiskale, ashtu edhe të lehtësimit të procedurave. Këto politika në mbështetje të biznesit të vogël, tha Ibrahimaj, kanë bërë që numri i bizneseve të vogla të rritet me 155% në 8 vite, duke u shtuar me 67 174 biznese.

“Ne mbështetëm biznesin e vogël me pagat e luftës, rreth 67 mijë biznese. Në takimet me biznesin ne kuptuam se kishte nevojë për një lehtësim fiskal ekstra dhe morëm vendimin që të gjitha bizneset që kishin xhiro 10 milionë lekë të përjashtoheshin nga TVSH dhe të gjithë bizneset deri 14 milionë lekë të përjashtoheshin nga tatimfitimi. Janë miliarda lekë që paguheshin nga biznesi i vogël dhe tashmë nuk janë më në buxhetin e qeverisë, por në buxhetin e biznesit. Gjatë viteve 2005-2013 janë 19 miliardë lekë që janë paguar nga biznesi i vogël për taksa dhe tatime. Që në vitin 2014, ne e reduktuam normën e tatimfitimit me qëllim që këto taksa të mos shkonin në buxhet, por të mbaheshin nga biznesi me qëllim nxitjen e biznesit. Me fillimin e pandemisë, morëm një hap tjetër me lehtësimin final të bizneseve nga taksat dhe tatimet. Po ashtu, kemi lehtësuar procedurat e biznesit, me qëllim që biznesi të ketë sa më pak kontakt me administratën. Kemi lehtësuar të gjitha deklarimet që bëhen pranë administratës tatimore”, vijoi Ibrahimaj.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë tha se mbështetja ndaj biznesit të vogël do të vijojë edhe përmes projektbuxhetit të vitit 2022, përmes fondeve të ndryshme, ku veçoi fondin prej 250 milionë lekë në mbështetje të sipërmarrjeve Start Up.

“Në buxhetin e vitit 2022 janë parashikuar 250 milionë lekë të cilat do të shkojnë në mbështetje të Start Up-eve dhe do të shkojnë në zhvillim të ideve të biznesit. Kjo është mbështetja që qeveria shqiptare ka parashikuar në buxhet, por ndërkohë janë një sërë donatorësh ndërkombëtarë të cilët mbështesin biznesin e vogël dhe iniciativën e lirë të biznesit”, u shpreh Ibrahimaj, ndërsa vlerësoi me rëndësi mbështetjen e biznesit për rritjen e produktivitetit.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj u ndal edhe te programet e nxitjes së punësimit në buxhetin e vitit 2022. Përmes këtyre programeve synohet të rritet punësimi dhe të nxitet krijimi i bizneseve të reja.

“Janë shtatë programe me të cilët synohet të nxiten rreth 5 mijë individë që do të zhvillojnë aftësimin e tyre me idenë se do të hapin bizneset e tyre. Gjatë gjithë qeverisjes AIDA i ka ardhur në ndihmë Start Up-eve, i ka ardhur në ndihmë bizneseve të reja duke dhënë rreth 350 milionë lekë fonde dhe për vitin e ardhshëm kemi menduar që pranë AIDA-s të hapet një sektor i veçantë i cili do të merret më trajnimin e bizneseve duke menduar dhe programet e suksesshme që kanë pasur donatorët ndërkombëtarë. Me mbështetjen e BE-së, do kemi një fond të veçantë për garancinë rinore, nëpërmjet të cilit do t’i bëjmë një premtim çdo të riu deri 29 vjeç i cili brenda katër muajsh ose do të mbështetet nga një program punësimi, ose nga një program formimi apo arsimimi”, tha Ministrja.