Postuar më: 17/06/2021

Ministrja Denaj takon Ambasadorin e Katarit, diskutohet forcimi i bashkëpunimit ekonomik

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, priti në një takim Ambasadorin e Katarit në Tiranë, Ali bin Hamad Al-Marri, ku në fokus

ishte forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Katarit.

Ministrja Denaj falënderoi shtetin e Katarit për ndihmën e ofruar në momentet e vështira që vendi ynë kaloi si pasojë e tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë COVID-19.

Gjatë këtij takimi, Ministrja bëri një prezantim të shkurtër të avantazheve ekonomike që Shqipëria ofron për të investuar, në një kohë që tërheqja e investitorëve të huaj e strategjikë mbetet prioritet i qeverisë në funksion të zhvillimit ekonomik.

Duke iu bërë një ftesë për të rritur prezencën e investimeve të tyre në vendin tonë, Ministrja e njohu Ambasadorin e Katarit me planet e qeverisë për zhvillimin e porteve në vend dhe ndërtimin e aeroporteve të rinj, si ai i Vlorës dhe Sarandës, ndërsa theksoi se Shqipëria është një vend i pasur në burime natyrore.

Nga ana e tij, Ambasadori Ali bin Hamad Al-Marri shprehu gatishmërinë e shtetit të Katarit për të bashkëpunuar me Shqipërinë, duke e konsideruar atë si një vend ku ia vlen të investohet, në mënyrë të veçantë në sektorin e turizmit. Aktualisht disa sipërmarrës nga Katari janë njohur me mundësitë që ofron vendi dhe kanë shprehur interesin e tyre për të investuar.