Postuar më: 07/07/2021

Ministrja Denaj: Reforma e Fiskalizimit synon të ulë informalitetin, mbështesim biznesin me mos aplikim penalitetesh deri në 1 janar 2022

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancë plenare Aktin Normativ nr. 27, për një shtesë në ligjin “Për procedurat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi para deputetëve Aktin, synimi i të cilit është që, deri në 1 janar të vitit 2022, mos aplikojë penalitete ndaj tatimpaguesve, të cilat rrjedhin si pasojë e mosimplementimit në kohë të ligjit nr.87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.

 

Ministrja tha se Akti Normativ vjen në mbështetje të bizneseve në një fazë të rëndësishme të aplikimit të procesit të Fiskalizimit.

Ndërsa vlerësoi se Fiskalizimi është një reformë madhore e qeverisë, Ministrja Denaj ftoi bizneset që ta shfrytëzojnë periudhën 6 mujore të mos aplikimit të penaliteteve për të përmbushur detyrimet që rrjedhin si pasojë e zbatimit të ligjit.

“Në 1 janar të këtij viti ka filluar zbatimi i fazës së parë të këtij projekti, në 1 korrik të këtij viti ka filluar zbatimi i fazës së dytë dhe konkretisht të marrëdhënieve që ndodhin nëpërmjet sistemit bankar, ndërsa në datën 1 shtator do implementohet faza e tretë, e cila përfshin të gjitha marrëdhëniet me para në dorë apo qarkullimi që ndodh në çdo kasë fiskale. Dua të theksoj edhe njëherë se, vërtet aplikimi i gjobës fillon në 1 janar të vitit 2022, por kjo nuk do të thotë që Fiskalizimi të mos jetë objektiv i çdo biznesi, ndaj çdo dite që kalon”, u shpreh Denaj, ndërsa shtoi se Administrata Tatimore vijon punën e saj për ndërgjegjësimin dhe trajnimin e tatimpaguesve.

Ministrja nënvizoi faktin se ulja e informalitetit është objektiv madhor i qeverisë dhe, në këtë kuadër, reforma e Fiskalizimit, e cila do të mundësojë raportim në kohë reale të transaksioneve që kryejnë bizneset, do ndihmojë në këtë proces.

“Sot është koha ku sistemet dhe leximi i duhur i gjithë të dhënave të qarkullimit të informacionit të ndodhë, si një domosdoshmëri e kohës, por edhe si një domosdoshmëri e buxhetit të shtetit për të realizuar më shumë të ardhura, për të realizuar më shumë punë publike dhe për të konsoliduar financat e këtij vendit, drejt uljes së borxhit dhe deficitit”, theksoi Denaj.

 

Nga ana tjetër, Ministrja ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e uljes së informalitetit në ekonomi, duke kërkuar faturat për shërbimet që marrin, dhe ftoi bizneset të përmbushin detyrimet ligjore që rrjedhin nga zbatimi i Fiskalizimit, të cilat qeveria i mbështet duke mos aplikuar penalitete deri në 1 janar të vitit 2022.

 

Fjala e Ministres Denaj:

 

Ky Akt Normativ është shumë i rëndësishëm pasi vjen në mbështetje të bizneseve, në një fazë shumë të rëndësishme të aplikimit të ligjit nr.87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, apo thënë ndryshe Fiskalizimit.

 

Akti Normativ që paraqesim sot ka si synim të mos aplikojë penalitete, të cilat janë të detyrueshme dhe janë rrjedhojë e mosimplementimit në kohë të këtij ligji. Për arsye të mbështetjes së bizneseve në një fazë shumë të rëndësishme të implementimit të protokollit të IT brenda këtij procesi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, qeveria Rama ka gjykuar që një periudhë kohe 6-mujore është e nevojshme për ta vënë në dispozicion të biznesit, ku mos aplikimi i gjobës është pjesë e këtij Akti Normativ.

Nga data 1 janar e vitit 2022 të gjitha bizneset do të jenë subjekt i gjobës për të gjithë ata që nuk kanë filluar projektin e Fiskalizimit.

Dua të theksoj këtu rëndësinë e këtij procesi dhe rëndësinë e kësaj reforme, e cila nuk ka nisur sot.

Ne kemi aprovuar në këtë Parlament të nderuar në vitin 2019, konkretisht më 18.12.2019, këtë ligj dhe e kemi ndryshuar vitin e kaluar, në muajin korrik të vitit 2020, pasi gjykuam që nuk ishte e përshtatshme që bizneset të ballafaqoheshin në një moment kur po dilnin nga një mbyllje tremujore me një proces implementimi të një sistemi të ri të përcjelljes së informacionit. Në atë moment ne gjykuam se edhe radha do të ishte e ndryshme, duke vendosur që marrëdhëniet e enteve publike me bizneset të përfshiheshin në fazën e parë të procesit të Fiskalizmit.

Kështu, në 1 janar të këtij viti ka filluar zbatimi i fazës së parë të këtij projekti. Në 1 korrik të këtij viti ka filluar zbatimi i fazës së dytë të këtij projekti dhe konkretisht të marrëdhënieve që ndodhin nëpërmjet sistemit bankar dhe në datën 1 shtator do të jetë faza e tretë, ajo e implementimit të të gjithë marrëdhënieve me para në dorë apo qarkullimi që ndodh në çdo kasë fiskale.

Dua të theksoj edhe njëherë se vërtet aplikimi i gjobës fillon në 1 janar të vitit 2022, por kjo nuk do të thotë që Fiskalizimi të mos jetë objektiv i çdo biznesi, ndaj çdo dite që kalon.

Administrata Tatimore është në një proces shumë të rëndësishëm ndërgjegjësimi të të gjithë bizneseve, ashtu sikurse edhe trajnimi, pasi është shumë e rëndësishme që protokollet e aprovuara të jenë dhe të bëhen bazë e të gjithë punës së raportimit të çdo biznesi.

Në flasim për një objektiv madhor të qeverisjes, të Kryeministrit Rama, për të ulur informalitetin. E kemi provuar në format nga më të ndryshmet dhe kuptohet që sot është koha ku sistemet dhe leximi i duhur i gjithë të dhënave të qarkullimit të informacionit të ndodhë, si një domosdoshmëri e kohës, por si një domosdoshmëri e buxhetit të shtetit për të realizuar më shumë të ardhura, për të realizuar më shumë publike dhe për të konsoliduar financat e këtij vendit, drejt uljes së borxhit dhe deficitit.

Prandaj dua të ftoj të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e këtij procesi, jo thjesht të Fiskalizimit, por të uljes së informalitetit, nëpërmjet kërkesës së çdo fature, në çdo shërbim që ata marrin.

Gjithashtu, bizneset të mos lënë për ditën e fundit asnjë nga aplikimet që ky ligj i kërkon dhe pikërisht në mbështetje të biznesit këto 6 muaj nuk do të ketë aplikim gjobash.