Postuar më: 13/11/2019

Ministrja Denaj: Projektbuxheti 2020 mbështet reformat për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe sektorët prioritarë

 

Projektbuxheti i shtetit për vitin 2020 mbështet reformat e qeverisë për rritje cilësore dhe të qëndrueshme të ekonomisë, rritje të punësimit dhe shërbimeve ndaj qytetarët.

Gjatë prezantimit në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, u shpreh se nëpërmjet Projektbuxhetit 2020 MFE mbetet e angazhuar drejt një kuadri makroekonomik të kujdesshëm dhe realist, për një konsolidim fiskal të vazhduar, financa publike të forta, stabilitet financiar dhe qëndrueshmëri të pozicionit të jashtëm të Shqipërisë.

“Në terma të politikave dhe indikatorëve makroekonomikë, ky buxhet synon realizimin e një rritjeje ekonomike, e cila parashikohet të jetë në nivelin 4.1% në vitin 2020, një rritje e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet. Kjo rritje e parashikuar për 2020 do të përkthehet në më shumë punësim:  krijimin e rreth 35 mijë vendeve të reja pune dhe uljen e mëtejshme të shkallës së papunësisë poshtë nivelit 11%”, u shpreh Ministrja Denaj.

Projektbuxheti i vitit 2020 siguron një nivel të lartë të investimeve publike prej mbi 4.5% e Produktit të Brendshëm Bruto, në mbështetje të rritjes ekonomike dhe punësimit.

Gjithashtu, synohet ruatja e Balancës Primare Pozitive, e cila do të jetë pozitive për të pestin vit rradhazi në nivelin 0.7%, duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse, ndërsa në fund të vitit 2020 borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62.2% të PBB, për të zbritur poshtë 60% të PBB në 2021 dhe më tej në rreth 57% në vitin 2022.

Përmes projektbuxhetit synohet mbajtja e defiçitit buxhetor nën nivelin e 2%, ku për vitin 2020 planifikohet të jetë në nivelin 1.6% të Produktit të Brendshëm Bruto, miveli më i ulët i targetuar në dy dekadat e fundit.

Shpenzimet buxhetore të programuara për vitin 2020 janë rreth 532 miliardë lekë ose rreth 29.7% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje rreth 5.1% krahasur me të pritshmin e vitit 2019.

Ministrja Denaj theksoi se prioritet në projektbuxhetin e vitit 2020 është mbështetja për sektorët prioritarë, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe infrastrukturën, ku sektorit të arsimit është parashikuar t’i alokohen 3.3 miliardë lekë më shumë se buxheti viti 2019; sektorit të shëndetësisë 2.75 miliardë lekë me tëpër se viti 2019; ndërsa sektorit të bujqësisë 1.8 miliardë lekë më shumë se viti 2019 ose rreth 12% më tepër.

Fjala e Ministres Denaj në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat:

I nderuar Kryetar i Komisionit,

Të nderuar Deputetë,

Ditën e sotme fillojmë së bashku prezantimin dhe diskutimin e Projektbuxhetit për vitin e ardhshëm 2020 në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.

Ky Projektbuxhet për vitin 2020 dhe projektbuxheti afatmesëm në tërësi vijnë në mbështetje të vazhdueshme të reformave të Qeverisë Shqiptare për rritje cilësore dhe të qendrueshme të ekonomisë, punësimit, shërbimeve ndaj qytetarëve dhe avancim në procesin e aderimit në familjen evropiane.

Përmes Projektbuxhetit 2020, Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbetet e angazhuar drejt një kuadri makroekonomik të kujdesshëm dhe realist, për një konsolidim fiskal të vazhduar, financa publike të forta, stabilitet financiar dhe qëndrueshmëri të pozicionit të jashtëm të Shqipërisë.

 

Në terma të politikave dhe indikatorëve makroekonomikë, ky projektbuxhet synon:

 

  1. Realizimin e një rritjeje ekonomike, e cila parashikohet të jetë në nivelin 4.1% në vitin 2020, një rritje e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet. Kjo rritje e parashikuar për 2020 do të përkthehet në më shumë punësim:
  • krijimi i rreth 35 mijë vendeve të reja pune,
  • ulje e mëtejshme e shkallës së të papunësisë poshtë nivelit 11%.
  1. Sigurimin e një niveli të lartë të investimeve publike prej mbi 4.5% e Produktit të Brendshëm Bruto, në mbështetje të rritjes ekonomike dhe punësimit.
  2. Ruajtjen e Balancës Primare Pozitive. Kjo balancë do të jetë pozitive për të pestin vit rradhazinivelin 0.7% duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse. Në fund të vitit 2020 borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62.2% të PBB, për të zbritur poshtë 60% të PBB në 2021 dhe më tej në rreth 57% në vitin 2022.
  3. Mbajtjen e defiçitit buxhetor nën nivelin e 2%. Për vitin 2020 planifikohet të jetë në nivelin 1.6% të Produktit të Brendshëm Bruto, miveli më i ulët i targetuar në dy dekadat e fundit.

Përpara parashtrimit të risive të Projektbuxhetit 2020, po risjell në vëmendje zhvillimet ekonomike në mënyrë të përmbledhur:

Ekonomia ka vijuar të regjistrojë rritje pozitive pёrgjatë gjysmës së parë të vitit 2019, në nivelet e 2.4%. Pavarësisht ngadalësimit të rritjes, sektorët fondamental, strukturor, të ekonomisë kanë pasur një performancë të mirë dhe në linjë me pritshmëritë për të mundësuar një rritje në intervalin 3% – 3.5% për të gjithë vitin 2019, si dhe rikthim mbi nivelin prej 4% në vitin e ardhshëm e në periudhën afat-mesme në vijim.

Në gjysmën e parë të vitit 2019 konsumi final regjistroi një rritje reale prej 2.7%, duke vijuar të njëjtin trend pozitiv të periudhave të mëparshme.

 

Nga pikëpamja e kërkesë agregate pritet që rritja për periudhën afatmesme në vijim të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet. Edhe kërkesa e huaj neto parashikohet të japë një kontribut pozitiv, ndonëse në nivele më të moderuara se kontributi që do vijë nga kërkesa e brendshme.

Më specifikisht, në vitin 2020, parashikohet që konsumi total të rritet në terma real me rreth 2.5% duke dhënë një kontribut prej 2.3 pikë përqindje në rritjen e PBB, investimet totale të rriten me 4.3% ose me kontribut me rreth 1 pikë përqindje, ndërsa kërkesa e huaj neto (eksporte – importe) parashikohet të përmirësohet me rreth 5% ose me një kontribut pozitiv prej 0.8 pikë përdinje në PBB (2.3 + 1 +0.8 = 4.1% rritje e PBB për 2020)

Në anën e ofertës agregate, kontributi pozitiv i atribuohet të gjithë sektorëve, ku kryeson ai i shërbimeve, veçanërisht Tregtia, Holeleria dhe Trasporti në reflektim edhe të performancës së Turizmit, ndjekur nga nga sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë.

Tregu i punës ka shfaqur një ulje tё mëtejshme tё shkallës së papunësisë nën nivelin prej 12% në tremujorin e dytë, niveli më i ulët i regjistruar gjatë dy dekadave e fundit.

Punësimi u rrit me 3.3%, e ushqyer kjo kryesisisht nga rritja e shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës. Rritja e punësimit është kyçe për gjenerimin e të ardhurave të disponueshme të familjeve, e për rrjedhojë për të nxitur konsumin, kursimet e investimet, dhe rritjen e mëtejshme të ekonomisë.

Indeksi tremujor i ndjeshmërisë ekonomike ka ndjekur përgjithësisht një trend pozitiv gjatë tre tremujorëve të këtij viti kundrejt fund-vitit të kaluar dhe qëndron konsiderueshёm mbi mesataren afatgjatë të tij. Kjo është premisë mjaft e rëndësishme për një sjellje dhe vendimarrje aktive për të investuar dhe konsumuar.

Kreditё me probleme (NPL) kanë vijuar të ulen, tashmë deri nё nivelin rreth 11%, nga 24% vite më parë. Gjithashtu, kreditimi i sektorit privat të ekonomisë ka regjistruar një rritje prej mbi 7% kundrejt një viti më parë, e cila i atribuohet si kredisë drejt bizneseve, ashtu edhe asaj drejt konsumatorëve.

Më tej, në 2019 ka pasur një zgjerim të defiçitit të llogarisë korente për gjysmën e parë të këtij viti, duke reflektuar kryesisht importe më të larta të mallrave me + 3% dhe një tkurrje të eksporteve me -2.8% në 9 Mujor të 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Thellimi i defiçit tregtar gjatë gjysmës së parë të vitit është kompensuar në një masë të konsiderueshme nga rritja e sufiçitit të balancës së shërbimeve, ku reflektohet kryesisht performanca mjaft e mirë e shërbimeve të turizmit edhe gjatë këtij viti.

Në të njëjtën kohë, flukset e larta të IHD-ve, me një rritje prej mbi 10% kundrejt një viti më parë, kanë sjellë një zgjerim të sufiçitit të llogarisë financiare dhe kapitale.

Për rrjedhojë, bilanci i përgjithshëm i pagesave dhe pozicioni i jashtëm i ekonomisë mbetet mjaft i qëndrueshëm.

Konsolidimi fiskal është materializuar në një trajektore pozitive për borxhin publik dhe deficitin buxhetor me pritshmëri nën 2% nga 5% të PBB-së në vitin 2013.

Rezultatet paraprake fiskale deri në Tetor 2019 tregojnë se realizimi i përgjithshëm i buxhetit mbetet plotësisht në përputhje me objektivat dhe parametrat kryesorë fiskalë.

Ka pasur një mungesë të të ardhurave prej rreth 1.8 % në krahasim me planin e periudhёs, sidoqoftë, një mungesë e tillë e të ardhurave është absorbuar plotësisht brenda hapёsirave “amortizuese” të krijuara që në buxhetin fillestar.

Arritja e plotë e objektivave kryesore fiskalë (objektivi fillestar i defiçitit të përgjithshëm prej 1.9% e PBB, një bilanc primar pozitiv dhe një ulje tё borxhit prej rreth 2 pikë përqindje), mbetet mjaft e sigurt.

Rrjedhimisht, bazuar në gjithë sa më sipër, vlerësojmë se ekzsitojnë të gjitha premisat për një rritje ekonomike në fashën e 4 përqindëshit, si në vitin 2020, ashtu edhe për periudhën afatmesme në vijim.

Edhe e vendosur në një perspektivë rajonale se rezulton se rritja ekonomike e Shqipёrisё ka ndjekur njё trajektore rritёse tё qёndrueshme qё prej vitit 2013, duke e tejkaluar dhe mesataren e rajonit nё tre vitet e fundit. Po ashtu, edhe norma e papunësisë në Shqipëri vijon të mbetet poshtë mesatares së rajonit.

Parashikimi i të ardhurave për buxhetin e 2020 është bazuar në vlerësimin rigoroz të rezultatit të pritshëm për vitin 2019. Në parashikimin e të ardhurave janë faktorizuar në mënyrë të ndërlidhur edhe variablat makroekonomikë me faktorët kryesorë që ndikojnë në taksa specifike. Elementët kryesorë që janë faktorizuar në parashikimin e të ardhurave janë:

  • Rritja nominale e Produktit të Brendshëm Bruto, duke analizuar këtë efekt në mënyrë të integruar me faktorë të tjerë për çdo taksë në veçanti, të ndërlidhur me të dhënat historike, si dhe me projeksionet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare me impakt tek taksat ad-valorem, si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Renta minerare dhe Taksa doganore.
  • Kursi i pritshëm i këmbimit;
  • Sasitë e pritshme të importit të mallrave në përgjithësi, dhe atyre me regjim akcize në veçanti
  • Si dhe programimi i fondeve të nevojshme për rimbursimin e tatimpaguesve, me qëllim uljen e stokut në fund të vitit 2020 me rreth 67 % krahasuar me stokun e pritshëm në fundin e vitit 2019.

 

Të ardhurat totale të buxhetit të shtetit në fund të vitit 2019 pritet të jenë rreth 474 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2018, rritja rezulton +5.3% ose 24 miliardë lekë më shumë. Totali i të ardhurave të pritshme në raport me PBB-në në fund të këtij viti rezulton 27.8%,  nga 27.6 % që ishte në vitin  2018.

Rritja me +0.2 pikë përqindje ndaj PBB-së e të ardhurave të buxhetit të shtetit është tregues i përmirësimit edhe në mbledhjen e të ardhurave dhe luftës ndaj informalitetit, e cila ka kompensuar edhe disa faktorëve të përkohshëm me efektete negative.

Të ardhurat totale për vitin 2020 parashikohen me një rritje prej 6.2% mbi të ardhurat e pritshme të vitit 2019 ose rreth 29.2 miliard lek më shumë.

Shpenzimet buxhetore të programuara për vitin 2020 janë rreth 532 miliardë lekë ose rreth 29.7% e Produktit të Brendshëm Bruto. Ato rriten me rreth 5.1% krahasur me të pritshmin e vitit 2019.

Prioritet në Buxhetin 2020 mbetet mbështetja për sektorët prioritarë, për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe infrastrukturën. Këto sektorë janë kyç në ecurinë e një modeli ekonomik që sjell zhvillim të qëndrueshëm dhe ndikon në jetesën e qytetarëve.

Sektorët Prioritarë

Arsimit i alokohen 3.3 miliardë lekë më shumë se buxheti viti 2019, duke finacuar me përparësi:

  • Tekste shkollore falas për rreth 230-250 mijë nxënës të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë (me një efekt prej rreth 500 milionë lekë në vit);
  • Trajtim me kuotë ushqimore për 1300-1400 nxënës të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë;
  • Investim në arsim mesatarisht 750 milionë lekë në vit përgjatë 2020 – 2022, 2 herë më tepër nga 340.5 milionë në vit që kanë qenë më parë;
  • Mbështetje e vazhdueshme për studentët në kuadër të Paktit me Universitetin.

Sektori i dytë po aq i rëndësishëm dhe me një mbështetje më të lartë buxhetore është sektori i shëndetësisë, i cili do të ketë 2.75 miliardë lekë me tëpër se viti 2019. Ky buxhet do të mbështesë:

  • Rikonstruksionin e 120 Qendrave shëndetësore për vitin 2020, me një vlerë prej 350 milionë lekë.
  • Ilaçe të rimbursuar për 1000 pacientë më shumë çdo vit, përgjatë 2020-2022;
  • Efektivitet të shtuar në shërbimet shëndetësore (Reduktimin e kohës aktuale prej 45 ditësh të pritjes për ekzaminime të rëndësishme (rezonancë, skaner) etj;

Sektori i tretë prioritar dhe i rëndësishëm është bujqësia, që i alokohen 1.8 miliardë lekë më shumë se viti 2019 ose rreth 12% më tepër.

Sektori i bujqësisë pritet të rrisë produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e produkteve bujqësore dhe blegtorale përgjatë periudhës 2020-2022, duke përmirësuar standardet, duke garantuar sigurinë ushqimore dhe zhvillimin e zonave rurale përmes nxitjes së shumëllojshmërisë së veprimtarive ekonomike në këto zona.

Shpenzimet kapitale ose Investimet Publike do të pësojnë një rritje 4.7% në raport me PBB dhe rreth 4% krahasuar me të pritshmin e këtij viti.

Në planifikimin e investimeve për vitin 2020 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm.

Ashtu si në vitin 2019, edhe në vitin 2020 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim, duke synuar mbylljen e tyre brenda vitit 2021.

Në Infrastrukturën Rrugore, për periudhën 2020-2022, synohet kompletimi i akseve rrugore nacionale dhe segmenteve rrugore:

  • Kompletimi i akseve rrugore nacionale si: Rruga e Arbrit; Milot – Balldren; dhe Orikum – Dukat brenda vitit 2022.
  • Kompletimi i pjesës dërrmuese të segmenteve rrugore në vazhdim me Financim të Brendshëm brenda vitit 2022, si: Kardhiq – Delvinë, Elbasan – Banjë, By – Pass Shkodër, By – Pass Tepelenë, një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës;
  • Kompletimi i segmenteve rrugorë brenda vitit 2021 me financim të huaj si: By Pass i Fierit, By Pass i Vlorës, Qukës – Qafë Plloçë.

Qeveria shqiptare synon në vazhdimësi reduktimin e numrit të aksidenteve me pasojë humbje jetë njerëzish dhe numri i pikave të zeza me 25%.

Balanca korente fiskale për këtë vit programohet gjithashtu ndër nivelet më të larta të dy dekadave të fundit prej +3.1% të PBB, ndryshe për 100 Lek të marra borxh programohen 286 Lekë investime publike, raport i përmirësuar ndjeshëm krahasuar me mesataren e këtij treguesi për periudhën 2014-2019, ku për cdo 100 lek të marra borxh janë shpenzuar për investime publike 193.

Fushën e sigurisë kombëtare kemi rritur buxhetin e mbrojtjes me rreth 2.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me buxhetin e vitit 2019, për të garantuar realizimin e objektivit të qeverisë dhe angazhimet tona në NATO për 2% të PBB në vitin 2024 si Buxhet për Mbrojtjen.

Ky buxhet gjithashtu plotëson të gjitha nevojat financiare të të gjitha institucioneve të reja të krijuara nga paketa e Reformës në Drejtësi si, KLP, KLGJ, Byroja e Hetimit dhe SPAK-u, duke akomoduar plotësisht edhe financimin për reformën në drejtësi dhe duke mundësuar burimet e nevojshme financiare për pagat e rritura të magjistratëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore.

Më tej Buxheti alokon një fond të rëndësishëm për:

Shpenzimet e Personelit – të programuara në masën 83.5 miliardë lekë për 2020 ku, përveç financimit të plotë të kostos aktuale të Administratës Publike Qendrore, faktorizohen gjithashtu edhe efektet e plota të politikës së rritjes së pagave për sektorin e shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes, sistemit penitenciar dhe punonjësit e përfaqësive diplomatike, të cilat u realizuan në muajin prill të këtij viti.

Shpenzimet Operative dhe Mirëmbajtjes – të programuara në vlerën 50 miliardë lekë, duke prioritizuar: mbështetjen e skemës së fermerëve, mirëmbajtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit në administratën publike dhe mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar.

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 40.9 miliardë lekë ose 2.3%  të PBB, të cilat përfshijnë kontigjenca të mjaftueshme për të përballuar edhe nëse do të kishte një rritje të normave të interesit nga 1 deri në në 2 pikë përqindje mbi nivelin aktual, edhe pse ne pretendojmë se do të jetë më i ulët se i mëparshmi.

Subvencionet – të programuara në rreth 1.3 miliardë lekë. Këtu është faktorizuar ri-alokimi i një pjese të mirë të subvencionit të parashikuar për ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizime tek investimet publike për rehabilitimin dhe ndërtimin e rrjeteve të ujesjellës-kanalizimeve, në kuadër të përshpejtimit të Reformës së ndërmarrë nga Qeveria për këtë sektor.

Shpenzimet e fondeve speciale që përfshijnë shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 188.6 miliardë lekë për vitin 2020.

Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2020 parashikohet në masën 137.5 miliardë lekë ose 7.7% e PBB, raport thuajse i njëjtë me vitin 2019, nga e cila për indeksimin e pensioneve është parashikuar një fond prej 2.52 miliardë lekë. Siç e kam theksuar edhe më herët, kjo skemë i rëndon më pak buxhetit të shtetit në raport me 5-6 vite më parë, për shkak të uljes së nivelit të informalitetit në tregun e punës; dhe së dyti, rritjes së nivelit të punësimit dhe kontribuesve;

Në skemën e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2020 janë parashikuar në rreth 44 miliardë lekë ose 2.5% e PBB nga rreth 42 miliardë lekë të parashikuara në fund të vitit 2019.

Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total rreth 4,5 miliardë lekë nga rreth 1.9 miliardë lekë që ky fond ishte në vitin 2013, që prej vitit 2016 fondi i kompensimit është planifikuar në rritje nga vit në vit duke kulmuar në vitin 2022 me 5.5 miliardë lekë.

Rritja e fondit të kompensimit në vlerë të pronarëve bëhet në mbështetje të reformës së ndërmarrë nga qeveria për trajtimin e ish-pronarëve pjesë e së cilës është kompensimi në vlerë për t’u realizuar brenda periudhës 10-vjeçare, të parashikuar dhe në ligjin nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit”.

Shpenzime të tjera sociale janë programuar në masën 24.6 miliardë lekë, që përfshijnë:

  • Shpenzimet për pagesën e papunësisë në nivelin 600 milionë lekë;
  • Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe personave me aftësi të kufizuar në nivelin 21 miliardë lekë;
  • Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë;
  • Për bonusin e lindjeve sërish është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë. Edhe në këtë vit, nga kjo politikë pritet të përfitojnë rreth 30 mijë familjë gjatë 2020.

Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2020 planifikohet në masën 1.7 miliardë lekë, përkatësisht 1.4 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 300 milionë lekë fond kontigjence për financimin e reformës në sistemin e drejtësisë.

Buxheti i pushtetit vendor për vitin 2020 është programuar në rreth 57 miliard lekë, rreth 11.2 përqind më i lartë se ai i 2019-ës ose rreth 5.7 miliardë lekë më shumë fonde për shërbime dhe investime publike vendore. Kjo rritje prej 3.2% në raport me PBB-në i shërben:

  • konsolidimit të procesit të menaxhimit të financiar vendore,
  • zbatimit të reformës administrativo territorial,
  • decentralizimit fiskal të njësive të vetëqeverisjes vendore
  • uljes së stokut të detyrimeve të parapambetura të trashëguara nga ndarja e vjetër territoriale.

 

Së fundmi, më lejoni të ritheksoj se Ministria e Financave dhe Ekonomisë në këtë projektbuxhet është angazhuar të shmangë ose eleminojë risqet që burojnë nga faktorët e jashtëm dhe të brendshëm të ekonomisë, duke shfrytëzuar rolin e saj vendimmarrës në kontekstin e menaxhimit të financave publike, mbikëqyrjes së risqeve që burojnë nga PPP-të apo huamarrjes, ecurinë e ekonomisë botërore, realizimin e të ardhurave apo kursin e pafavorshëm të këmbimit.

 

Faleminderit.