Postuar më: 13/11/2019

Ministrja Denaj prezanton Paketën Fiskale 2020 në komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, prezantoi në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave projektligjet e Paketës Fiskale për vitin 2020.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja vuri në dukje se Paketa Fiskale e këtij viti nuk është një paketë tipike, e cila do të sillte ndryshime në përllogaritjen e të ardhurave, por fokusohet në ndryshimet e disa ligjeve kryesore, si ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”; ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”; ligjin “Për taksat kombëtare”; si dhe ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”.

Një prej pikave kryesore të Paketës Fiskale 2020 është incentivimi i sektorit të industrisë automotive, ku norma e tatim fitimit për sipërmarrjet që operojnë në këtë sektor parashikohet të jetë 5 %, nga 15% që është aktualisht.

Gjithashtu, Paketa konsiston edhe në harmonizimin e disa dispozitave ligjore me përcaktimet e projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”. Në këtë drejtim parashikohet harmonizimi dhe unifikimi i kundërvajtjeve administrative që lidhen me çështjen e faturimit, duke synuar përshkallëzimin e gjobave sipas përgjegjësisë tatimore.

Ministrja Denaj u shpreh se objektivi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nuk është rritja e të ardhurave përmes gjobave, pasi informaliteti nuk mund të luftohet me gjoba. Megjithatë, znj. Denaj theksoi se elementi gjobë është i rëndësishëm të jetë i përshkallëzuar sipas madhësisë së biznesit dhe frekuencës të gjetjes në shkelje të ligjit.

“Kjo paketë fiskale nuk është një paketë tipike, e cila do të kishte ndryshime në përllogaritjen e të ardhurave. Ne gjykojmë që ndryshimet administrative do të krijojnë një bazë jo vetëm të mirë për të përcaktuar platformën e aplikimit më të mirë të rregullave për ligjin e ri të fiskalizimit që pritet të vijë për diskutim dhe në komisionin e Ekonomisë dhe Financave dhe në komisionet e tjera, por mbi të gjitha për të sistemuar disa elementë të mirëadministrimit të gjetur këtë vit si një nevojë e domosdoshme gjatë procesit të luftës ndaj informalitetit”, u shpreh znj. Denaj.

 

Fjala e Ministres Denaj për Paketën Fiskale 2020:

I nderuar z. Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Sa i përket projektligjeve të Paketës Fiskale 2020, ne kemi sjellë në vëmendje të gjithë anëtarëve nevojën për të thelluar vëmendjen te ndryshimet në legjislacionin fiskal si një nga shtyllat kryesore të këtij prezantimi, i cili prek në thelb disa elementë në katër ligje:

Ligjin nr. 8438, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar;

Ligjin nr. 9920, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;

Ligjin nr. 9975, “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar”;

Ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Ndryshimet në këto ligje konsiderohen të sjellin disa elementë.

Së pari, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, synon trajtimin tatimor për tatimin e të ardhurave nga punësimi në të njëjtën mënyrë për të gjithë individët, të cilët kanë të ardhura nga paga nga më shumë se një burim. Këta individë do të kenë detyrimin për të dorëzuar deklaratë individuale vjetore të ardhurash edhe nëse realizimi i të ardhurave vjetore është më i vogël se 2 milionë lekë.

Së dyti, incentivimi i sektorit të industrisë automotive duke caktuar normë tatim fitimi me 5% nga 15 %, njësoj si në sektorët e tjerë të rëndësishëm, për të zgjeruar bazën e punësimit, ku personat juridikë që ushtrojnë veprimtari ekonomike në këtë industri do të përfitojnë njësoj. Çfarë pritshmërie kemi këtu? Është zgjerimi i numrit të ndërmarrjeve të cilat, kryesisht me investime të huaja, mund të sjellin një rritje më lartë punësimi, duke krijuar dhe një shpërndarje gjeografike të këtij punësimi në të ardhmen.

Së treti, promovimin e sportit me qëllim rritjen e impaktit pozitiv në shoqëri për personat juridikë të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milionë lekë. Shumat e sponsorizuara në fushën e sportit, të njohura si shpenzime të zbritshme për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin, janë të zbritshme sa trefishi i shumës së sponsorizuar. Gjithashtu, shpenzimet e njohura të sponsorizimit për sportin rriten në 5 % nga 3 % që janë aktualisht.

Së katërti, mbartja e humbjes për një periudhe 5-vjeçare për tatimpaguesit që investojnë në projekte biznesi me vlerë mbi 1 miliardë lekë. Më lejoni t’ju kujtoj se kjo mbartje e humbjes aktualisht është për një periudhë 3-vjeçare. Konsiderojmë se për investime mbi 1 miliardë lekë nevoja e mbartjes së humbjes për një afat 5-vjeçar është jo vetëm një standard i njohur, por edhe një nevojë e shumë bizneseve në Shqipëri.

Harmonizimi i ligjit nr. 8438, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, për projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, që do të aprovohet nga Këshilli i Ministrave.

Një prej projektligjeve që prek disa elementë, është ai për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i cili propozon këto ndryshime:

Harmonizimin e dispozitave përkatëse të ligjit “Për procedurat tatimore” me përcaktimet e projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i cili sjell një risi në procesin e faturimit dhe monitorimit të transakioneve;

Harmonizimin dhe unifikimin e kundravajtjeve administrative që lidhen me çështjen e faturimit, duke synuar përshkallëzimin e gjobave sipas përgjegjësisë tatimore;

Më lejoni të theksoj këtu që në objektivin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nuk është rritja e të ardhurave nëpërmjet gjobave. Në mënyrë absolute këtë e kemi theksuar disa herë, lufta ndaj informalitetit nuk mund të bëhet duke vendosur gjoba. Megjithatë, gjykojmë që elementi gjobë është i rëndësishëm të jetë i përshkallëzuar sipas madhësisë së biznesit dhe frekuencës të gjetjes në shkelje të ligjit.

Për këtë arsye, tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësi tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH, dhe tatimpagues të tjerë, dënohen me gjobë prej 50 mijë lekësh.

Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësi tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël dhe për TVSH dënohen me një gjobë prej 100 mijë lekësh.

Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësi tatimore të tatimit mbi fitimin dhe për TVSH-në dënohen me një gjobë prej 150 mijë lekësh.

Pra, kemi një përshkallëzim, për biznesin e vogël pa TVSH, për biznesin e vogël me TVSH dhe për biznesin e madh, nga 50 respektivisht, 100 dhe 150 mijë lekë. Kjo është e nevojshme për të qenë më korrekt dhe në zbatim të gjetjeve në shkelje të ligjit.

Kompensimin e detyrimeve tatimore ndërmjet administratës tatimore dhe administratës doganore, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të Ministrit përgjegjës për Financat;

Lidhjen e një marrëveshje për detyrimet që administrata tatimore ka ndaj tatimpaguesve për TVSH-në e rimbursueshme, sipas një plani pagese të rënë dakord. Ky parashikim do të zbatohet deri në datën 30.06.2021, një afat që mendohet kur detyrimet do të zerohen;

Zgjerimi i objektit për lidhjen e marrëveshjes së pagesës me këste për detyrimet e tatimpaguesve dhe për detyrimet e vetëdeklaruara për TVSH, si dhe për sigurimet shoqërore në raste specifike të institucioneve buxhetore;

Më lejoni të theksoj që të gjitha këto elementë janë pjesë e një vendimi të Këshillit të Ministrave për të përcaktuar procedurat mbi të cilat do të bazohen këto vendimmarrje.

Ndryshimi i deklaratës së tatimpaguesit vetëm një herë brenda 36 muajve dhe për sigurimet shoqërore vetëm një herë në muajin pasardhës;

Njoftimi i tatimpaguesit para kontrollit dhe vizitës fiskale nga 30 ditë dhe 10 ditë, që do të ulet në 10 ditë dhe 5 ditë respektivisht;

Përsa i takon ligjit për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, synon:

Përjashtimin nga TVSH të automjeteve të reja vetëm me motor elektrik;

Harmonizimin e dispozitave përkatëse të ligjit “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” lidhur me faturimin, me përcaktimet e ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i cili sjell një risi në procesin e faturimit dhe monitorimit të transaksioneve.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar, synon:

Saktësime të nevojshme që kanë ardhur si pasojë e zbatimit në praktikë të ligjit lidhur me aplikimin e dispozitave në raport me aplikimin e taksave për automjetet e luksit;

Ndryshimin e përcaktimeve të vlerës të mjetit për efekt të kritereve që duhet të përmbushë një automjet për t’u konsideruar automjet luksi, duke e amortizuar vlerën e automjetit me 10% me vlerë të mbetur;

Ndryshime në penalitet për qëllim unifikimin e gjobës për pagesë të vonuar për taksën vjetore të mjeteve të përdorura me gjobat e aplikuara sipas ligjit “Për procedurat tatimore;

Shtimin e kategorisë së personave me aftësi të kufizuar për tu përjashtuar nga taksa vjetore e mjeteve të përdorura;

Përjashtimin nga pagesa e taksës vjetore të mjeteve të përdorura e automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Në vijim, më lejoni të theksoj që kjo paketë fiskale nuk është një paketë tipike, e cila do të kishte ndryshime në përllogaritjen e të ardhurave. Ne gjykojmë që ndryshimet administrative të përmendura pak më lart do të krijojnë një bazë jo vetëm të mirë për të përcaktuar platformën e aplikimit më të mirë të rregullave përr ligjin e ri të fiskalizimit që pritet të vijë për diskutim në komisionin e Ekonomisë dhe Financave dhe në komisionet e tjera, por mbi të gjitha për të sistemuar disa element të mirëadministrimit të gjetur këtë vit si një nevojë e domosdoshme gjatë procesit të luftës ndaj informalitetit.

Faleminderit.