Postuar më: 08/05/2019

Ministrja Denaj në takimin vjetor të BERZH: Lehtësi për investitorët e huaj që duan të investojnë në Shqipëri

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim po zhvillon në datat 8-9 Maj 2019 Takimin Vjetor dhe Forumin e Biznesit në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, është pjesë e delegacionit të qeverisë shqiptare në këtë aktivitet të rëndësishëm të BERZH dhe në ditën e parë të punimeve ishte pjesë e panelit të Ministrave të Financave të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e saj në këtë panel, Ministrja Denaj ndau eksperiencën e Shqipërisë në përpjekjet për përthithjen e investimeve të huaja dhe krijimin e hapësirave më cilësore për të rinjtë.

Në veçanti, Ministrja Denaj theksoi lehtësirat fiskale për investimet në sektorin e turizmit, mbrojtja dhe platforma që ju ofrohet investitorëve strategjikë, si dhe hapësirat për të investuar në ngritjen e zonave ekonomike, për të cilat është përgatitur një legjislacion i favorshëm.

“Sa i përket të rinjve, ne po nxisim start-up dhe qendrat e inovacionit. Aktualisht jemi në procesin e krijimit të një zinxhiri të qendrave të teknologjisë dhe inovacionit, qoftë nëpërmjet AKSHI-t apo transformimit të godinës të Piramidës, projekt i Bashkisë Tiranë, në një qendër të trajnimit dixhital pa pagesë për të rinjtë, sipas modelit të qendrave TUMO. Gjithashtu, kemi ndërmarrë programe me agjenci të ndryshme donatore, si GIZ ose UNDP, për të ofruar grante të vogla për një numër të konsiderueshëm start-up për të nxitur iniciativat e reja”, u shpreh Ministrja.

Në mbledhjen plenare të Bordit të Guvernatorëve të BERZH-it, ku Ministrja Denaj mban pozicionin e Zv. Kryetares të Bordit, ajo theksoi se rajoni i Ballkanit ka hyrë në një fazë sfiduese zhvillimi që kërkon një ripërtëritje të përpjekjeve për reformat strukturore dhe një qasje më të zgjuar për t’i bërë vendet tona më tërheqëse për investitorët e huaj dhe për qytetarët tanë.

BERZH i është përshtatur këtyre sfidave jo vetëm duke zgjeruar kreditimin, por edhe duke rinovuar përqasjen e projekteve përtej investimeve të prekshme drejt rritjes të kapaciteteve njerëzore.