Postuar më: 12/07/2021

Ministrja Denaj merr pjesë në takimin për Dialogun Ekonomik dhe Financiar mes BE dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në Ministerialin  e Dialogut Ekonomik dhe Financiar mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, ku morën pjesë krerët e Financave të këtyre vendeve.

Ky Dialog bazohet në Programet e Reformave Ekonomike të përgatitura nga secili vend dhe të vlerësuar nga KE dhe BQE.

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj fillimisht falënderoi Komisionin Europian dhe Bankën Qendrore Europiane për vlerësimet e tyre lidhur me Programin e Reformave Ekonomike të Shqipërisë.

Këto vlerësime, sipas Ministres, do të shërbejnë si një raport udhëzues për një fokusim më të mirë të përpjekjeve dhe prioriteteve të qeverisë shqiptare gjatë vitit 2021 dhe në vitet në vijim.

Ministrja theksoi rëndësinë e draftit të konkluzioneve të përbashkëta për Shqipërinë, së pari në lidhje me vlerësimin e performancës së Shqipërisë në fushat kryesore ekonomike, strukturore dhe sociale gjatë vitit të kaluar, dhe së dyti mbi udhëzimet e sugjeruara të politikave për raundin aktual të diskutimeve mbi Programin e Reformave Ekonomike.

“Ne besojmë se ky udhëzim i politikës do të shërbejë si spirancë efektive drejt përparimit në këto fusha kryesore ekonomike, fiskale dhe financiare”, tha Denaj.

Ministrja Anila Denaj bëri një përmbledhje të ndikimit që patën në ekonominë shqiptare dy ngjarje kryesore, pandemia COVID 19 dhe tërmeti i vitit 2019 dhe theksoi se, pavarësisht efekteve negative, situata paraqitet më pak e rëndë nga sa pritej, sidomos para fillimit të pandemisë.

Tkurrja e PBB-së për vitin 2020 ishte rreth -3.3%, më pak e ashpër sesa pritjet fillestare që varionin nga -6% në -8%.

Pavarësisht ndikimit negativ në disa parametra kryesorë ekonomikë dhe veçanërisht fiskalë, Ministrja vlerësoi se bazat kryesore ekonomike dhe financiare paraqiten në nivele pozitive, duke iu referuar stabilitetit të përgjithshëm makroekonomik të vendit, tregut të punës, tregut financiar, pozicionit të jashtëm, etj..

“Ekonomia shqiptare po tregon shenja rimëkëmbjeje, megjithëse efektet e pandemisë janë akoma të pranishme.

Të dhënat tregojnë se rritja ekonomike shënoi rritje gjatë tremujorit të fundit të vitit 2020 dhe tremujorit të parë të vitit 2021, me normat përkatëse të rritjes pozitive prej 2.3 dhe 5.5 për qind. Rritja ka përfituar nga përmirësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit, një mjedis monetar dhe financiar lehtësues, investime të zgjeruara publike dhe lehtësimi i masave kufizuese për të kontrolluar pandeminë”, tha Denaj.

Shkalla e papunësisë në tremujorin e parë të vitit 2021 ishte 11.9%, nga 11.4% që ishte në tremujorin e parë të vitit 2020, ndërsa punësimi është tkurrur me rreth 4.7% gjatë kësaj periudhe.

Pozicioni i jashtëm mbeti relativisht i fortë për vitin 2020.

  • Bilanci i përgjithshëm i pagesave dhe niveli i rezervave ndërkombëtare të vendit për vitin 2020 rezultoi në tepricë, në kontrast me shqetësimet fillestare.

Të dhënat e tregtisë së jashtme për periudhën 5-mujore të vitit 2021 treguan një rritje të konsiderueshme si në eksporte ashtu edhe në importe.

Ministrja Denaj nënvizoi faktin se financat publike janë mbajtur të qëndrueshme gjatë vitit të kaluar, pavarësisht ndikimit negativ të pandemisë.

“Ne kemi ndjekur një politikë fiskale mjaft ekspansioniste vitin e kaluar për të adresuar nevojat e lidhura me pandeminë dhe për të zbutur deri diku tronditjen më të gjerë në ekonomi. Kjo u bë përmes paketave të drejtpërdrejta fiskale për biznesin, si dhe përmes stimulimit indirekt duke i lënë hapësirë stabilizimit automatik të situatës. Si rezultat, deficiti i përgjithshëm fiskal në vitin 2020 u rrit në rreth 7% të PBB-së nga një mesatare prej rreth 2% në tre vitet e mëparshme dhe borxhi publik në vitin 2020 u rrit në rreth 76% të PBB-së, me gati 10 pikë përqindjeje nga fund-2019”, shtoi Ministrja.

Duke iu referuar pritshmërive, Ministrja tha se parashikimet për vitin 2021 janë për një rritje ekonomike në nivelin e 5.5% dhe më pas gradualisht në 4% në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Ecuria pozitive e ekonomisë pritet gjithashtu të reflektohet në përmirësimin e tregut të punës dhe të ardhurave të disponueshme për kapital, duke vazhduar prirjen konverguese drejt niveleve mesatare të të ardhurave të BE-së.

Qeveria shqiptare, theksoi Denaj, mbetet e angazhuar lidhur me politikën fiskale dhe konsolidimin fiskal në periudhën afatmesme.