Postuar më: 13/05/2019

Ministrja Denaj: Kurset profesionale, të orientuara drejt tregut të punës

Politikat e qeverisë përsa i përket trajnimit profesional synojnë kualifikimin e fuqisë punëtore dhe rritjen e mundësive për depërtimin në tregun e punës të punëkërkuesve që ndjekin kurset e trajnimit profesional, të cilat zhvillohen nga qendrat e formimit profesional në të gjithë vendin, në bashkëpunim të ngushtë edhe me zyrat e Punës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj vizitoi Qendrën e Formimit Profesional nr. 4 në Tiranë, ku u njoh nga afër me proceset trajnuese në kurse të ndryshme që zhvillohen në këtë qendër, pjesë e të cilave janë dhe kurset “Start Smart”.

Ministrja vuri në dukje faktin se kjo qendër ofron 47 kurse profesionale në fusha si elektronikë, mekanikë, IT, grafik dizajn, etj., të cilat përbëjnë dhe nevojat e tregut të punës sot dhe shprehu besimin se me shkollimin profesional integrimi në tregun e punës është më i garantuar. “Kjo është dhe politika e qeverisë shqiptare, që të mundësojë një kualifikim, i cili në katër muaj realizon përshtatshmërinë e teorisë dhe praktikës në baza të harmonizuara dhe në marrëveshje me biznesin, i cili ka mundësi që të shikojë dhe eksperiencën e tyre përpara se sa t’i punësojë”, u shpreh Ministrja.

Përsa i përket kurseve “Start Smart”, të cilat kanë filluar në nëntor të vitit 2018 me ndihmën e GIZ, Ministrja tha se ato synojnë të organizojnë një qasje më të mirë të punëkërkuesve në profilet e tyre të punës në të ardhmen dhe objektivi është që të trajnohen rreth 20 mijë punërkues.

“Ka një bashkëpunim me zyrat e Punës dhe me qendrat e formimit, në mënyrë që të përshtaten sa më mirë nevojat me dijen dhe me tregun e punës. Objektivi ynë është trajnimi i 20 mijë punëkërkuesve, pothuajse 1/3 e fuqisë punëtore, e cila është në kërkim të punës në të gjithë Shqipërinë, sepse kudo ku kemi zyra të Punës ne kemi dhe ofrim të programit “Start Smart”, u shpreh Ministrja.

Ministrja Anila Denaj vlerësoi ndërmjetësimin që zyrat e Punës kanë bërë për të përshtatur marrëdhënien me biznesin në rajonet ku operojnë dhe tha se kjo praktikë duhet të vazhdojë të intensifikohet, në mënyrë që depërtimi në tregun e punës të arrihet në masën 90 % që në vitin e parë, për personat që ndjekin trajnimet dhe shkollimin profesional.

Megjithatë, Ministrja Denaj vuri theksin në nevojën për të forcuar marrëdhëniet me institucionet shtetërore publike, në mënyrë punësimi të jetë i drejtpërdrejtë për kursantë që dalin nga kurset profesionale, si ato të mësuesisë, për sa kohë dalin nga kurse të prodhuara nga kurrikula të rishikuara.

Qendra e Formimit Profesional nr. 4 frekuentohet në ditë nga 850 kursantë, të cilët marrin formim profesional sipas grupeve të veçantë. Gjatë vitit 2018 në këtë qendër janë certifikuar 2800 kursantë dhe për periudhën janar-prill 2019 janë certifikuar 600 kursantë.