Postuar më: 03/05/2019

Ministrja Denaj fton sipërmarrjet gjermane të rrisin investimet në Shqipëri

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj mori pjesë në ceremoninë e lancimit të aktivitetit ekonomik në Shqipëri të kompanisë “Lufthansa Industry Solutions”.

Lufthansa Industry Solutions ka blerë së fundmi  shoqërinë Applications Management Development (AMD), me seli në Tiranë, e cila ofron shërbime në fushën e teknologjisë së informacionit dhe do të njihet në të ardhmen nën emrin Lufthansa Industry Solutions.

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj shprehu kënaqësinë për vendosjen e kompanisë “Lufthansa Industry Solutions” në vendin tonë, gjë që konfirmon edhe më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit të biznesit gjerman me Shqipërinë.

Ajo theksoi faktin se qeveria shqiptare është e angazhuar në nxitjen e investimeve të huaja dhe për të realizuar këtë janë ndërmarrë disa politika, përfshirë dhe incentiva fiskale në sektorë si turizmi apo bujqësia, apo dhe reforma e deregulimit, e cila ka ndodhur vitet e fundit dhe vazhdon të jetë ende në fokus të qeverisë.

Burimet njerëzore, shtoi Ministrja Denaj, janë mjaft të rëndësishme në tërheqjen e investimeve të huaja dhe në këtë drejtim vëmendja është përqendruar me rritjen e cilësisë së arsimimit të tyre, me politika stimuluese drejt punësimit. “Sot që flasim kemi 35 shkolla profesionale në vend, me rreth 19 mijë nxënës në këto shkolla, të cilët, jo vetëm në Tiranë dhe Durrës, por dhe në shumë zona të tjera, janë duke krijuar një dinamizëm tjetër të arsimit profesional, i cili është padyshim shumë i rëndësishëm për çdo investitor që vjen dhe investon në Shqipëri”, u shpreh Ministrja Denaj.

Ministrja u shpreh në vijim se këto asete dhe dëshira e qeverisë shqiptare për ta zhvilluar sektorin e Tranferimit të Proceseve të Bizneseve (të njohura në gjuhën teknike si BPO), e bën Shqipërinë një vend që të lakmohet dhe të promovohet dhe më shumë në këtë aspekt.

Ministrja informoi se MFE është ende duke punuar për paketën BPO, duke pasur në fokus thellimin e këtij procesi, institucionalizimin dhe promovimin, pasi e konsideron atë si një aset shumë të rëndësishëm për të thithur investitorët e huaj në Shqipëri, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

 

Fjala e Ministres Denaj:

Është një kënaqësi të jem sot e pranishme në këtë panel – në lancimin e veprimtarisë së Lufthansa Industry Solutions në Shqipëri.

Është kënaqësi e veçantë për dy arsye kryesore, së pari sepse është një investim i huaj që vjen në Shqipëri dhe hedh vështrimin në një nga asetet e Shqipërisë, së dyti për të konfirmuar më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit të biznesit gjerman me  Shqipërinë. Për këtë është shumë e rëndësishme që ne te shikojmë jo vetëm në këtë moment, por se si kjo do të vijojë, që të kemi mundësinë që këto marrëdhënie të forcohen dhe qëndrueshmëria e këtyre investimeve të jetë sa më e gjatë në kohë.

Qeveria shqiptare është e angazhuar në nxitjen e investimeve të huaja në shumë fusha. Në fakt, për të realizuar këtë janë marrë disa nisma, disa politika në disa aspekte. Mund të përmendim aspektet fiskale, me incentiva në disa drejtime, si ato të turizmit, të bujqësisë, etj., sikurse dhe reforma strukturore, sidomos në ato që kërkojnë të rregullojnë sistemin e qasjes, atë të eliminimit të burokracive të tepërta, që përbën shpesh humbje kohe jo vetëm për biznesin vendas, por edhe biznesin e huaj, nëpërmjet një reforme deregulimi që ka ndodhur në vitet e fundit dhe vazhdon të jetë fokusi i qeverisë shqiptare edhe sot që flasim.

Megjithatë, jemi shumë të kënaqur që asetet tona që nuk konsistojnë vetëm në burimet fizike natyrore që janë pas masë në Shqipëri, por edhe te njerëzit, kanë tërhequr kompani të huaja. Kjo është e rëndësishme në këtë kuadër, në këtë lançim dhe ju falënderojmë që besoni asetet humane shqiptare, të cilat vlejnë të përmenden që janë në interes të shumë investitorëve sot që flasim, edhe në rajon, por edhe në Europë.

Çfarë kemi bërë për ta stimuluar më shumë këtë aset? Jo vetëm për ta qasur me politika stimuluese drejt punësimit, por njëkohësisht dhe për të rritur nivelin e cilësisë së arsimit të tyre.

Sot që flasim kemi 35 shkolla profesionale në vend, me rreth 19 mijë nxënës në këto shkolla, të cilët, jo vetëm në Tiranë dhe Durrës, por dhe në shumë zona të tjera, janë duke krijuar një dinamizëm tjetër të arsimit profesional, i cili është padyshim shumë i rëndësishëm për çdo investitor që vjen dhe investon në Shqipëri, përtej fokusit që ka kompania Lufthansa Solution në këtë moment.

Janë 57 % e popullatës shqiptare me moshën nën 31 vjeç, dhe kjo është jo pak e rëndësishme për tu përmendur si një aset tradicional, përveç cilësisë punëtore, dhe 60% e grupmoshës që flasin  të paktën një gjuhë të huaj, dhe ky është një aset po aq i rëndësishëm për tu theksuar dhe vlerësuar.

Këto asete dhe dëshira e qeverisë shqiptare për ta zhvilluar sektorin e

Tranferimit të Proceseve të Bizneseve (të njohura në gjuhën teknike si BPO), e bën Shqipërinë një vend që të lakmohet dhe të promovohet dhe më shumë në këtë aspekt.

BPO-të në Shqipëri ishin fokusuar deri dje, sidomos në shitje dhe marketing. Ajo për të cilën jemi krenar sot është pasurimi i këtij sektori edhe në sektorë apo industri të tjera, si ajo e IT, menaxhime sistemesh, shërbimesh informative bankare, shërbime ligjore etj. Besoj që me këtë ritëm, sektori ka një potencial punësimi akoma më të madh për tu realizuar në dy-tre vitet e ardhshme.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë është ende duke punuar për paketën BPO. Ne e kemi në fokus që këtë proces ta thellojmë, ta institucionalizojmë dhe ta promovojmë sepse mendojmë që është një aset shumë i rëndësishëm për të thithur investitorët e huaj në Shqipëri, jo vetëm në këtë fushë që jemi sot, por edhe në të gjithë fushat e tjera.

Unë ju uroj shumë suksese. Ju nxis që të bashkëpunoni me ne, të na ndihmoni edhe ne të përmirësojmë proceset tona dhe jemi në mbështetje për çdo ankesë apo shqetësim që do të keni.

Faleminderit.