Postuar më: 16/05/2022

MFE do të propozojë ndryshime ligjore për të ulur informalitetin në tregun e punës

Njësia Speciale Anti Informalitet-U reflektua rritje page për 51 mijë të punësuar

 

Qeveria shqiptare është e vendosur për të reduktuar informalitetin në tregun e punës dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme me qëllim deklarimin e punonjësve dhe pagave reale të tyre.

Në një komunikim të posaçëm për mediat, Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe Zv.Ministren e MFE, Vasilika Vjero, njëkohësisht Drejtuese e Njësisë Speciale Anti Informalitet,  informuan mbi rezultatet e arritura nga kjo Njësi në 5 muaj të funksionimit. Në këtë komunikim u bënë të ditura nismat që pritet të ndërmerren së shpejti, të cilat synojnë ndërgjegjësimin e bizneseve për të respektuar legjislacionin tatimor dhe punësimit.

Fokusi i Njësisë Speciale Anti Informalitet ishin 10 mijë tatimpagues të konsideruar me risk, të cilët kanë rreth 97 mijë të punësuar, ku u ushtruan kontrolle në 20 tatimpagues. Pas analizimit nga Njësia dhe thirrjeve të vazhdueshme për vetëkorrigjim, rezulton se për 51 mijë të punësuar është reflektuar rritja e pagave me mbi 10 mijë lekë të reja.

Si rezultat i punës së Njësisë, është arritur që të ulet me 52 % numri i pozicioneve të punës me pagë minimale për 10 mijë tatimpagues të konsideruar me risk. Ndërkohë, për shkak të informimit në mënyrë të vazhdueshme, është ulur me 23 % numri i pozicioneve të punës me pagë minimale për pjesën tjetër numrit të tatimpaguesve, të cilët nuk ishin konsideruar me risk.

Ministrja Ibrahimaj tha  se këto rezultate janë domethënëse dhe tregojnë për qasjen që duhet të ndiqet në vijim ndaj dukurisë së mos deklarimit të pagave.

“Është e rëndësishme që modeli i analizës së riskut, përqendrimi në disa tatimpagues të cilët janë më me risk, të vazhdojë dhe të jetë pjesë integrale e punës së administratës tatimore, e cila do të vijojë me këtë qasje duke targetuar sektorë të ndryshëm dy herë në vit, me qëllim që ky reagim që ka qenë në tatimpaguesit e targetuar të jetë për të gjithë popullatën e tatimpaguesve”, u shpreh Ibrahimaj.

Një model i tillë, sipas Ministres, duhet të ndiqet edhe sa i përket dukurisë së mos pagesës së punës për orët jashtë orarit apo parregullsive në kontratat e punës, të cilët janë dukuri të përhapura jo vetëm në 20 tatimpaguesit e kontrolluar, por në të gjitha kategoritë e tatimpaguesve.

Nga ana tjetër, Ministrja Ibrahimaj informoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të paraqesë së shpejti disa nisma ligjore, të cilat synojnë uljen e evazionit tatimor në tregun e punës.

Një prej këtyre nismave është ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili do të ketë në fokus rregullimin e profesioneve të lira.

Gjithashtu, do të propozohen disa ndryshime në ligjin “Për procedurat tatimore”, ku do të rishikohen penalitetet për të gjitha shkeljet që përbëjnë evazion tatimor, apo penalitetet për mosdeklarimin e punonjësve dhe fshehjen e pagës për të gjithë bizneset e mëdha.

Ministrja theksoi se qëllimi nuk është vendosja e penaliteteve ndaj bizneseve, por ndërgjegjësimi i tyre në mënyrë që të ulet informaliteti i mos deklarimit të pagave.

“Këto penalitete i përshkallëzojmë jo për arsye sepse duam të vendosim penalitete dhe duam të gjobisim bizneset, por ne duam të rrisim ndërgjegjësimin, duam të bëjmë të mundur që bizneset të mos kryejnë më evazion në drejtim të mos deklarimit të pagave. Kjo është një masë për të nxitur akoma më shumë vetë deklarimin”, tha Ministrja.

 

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

Faleminderit zoti kryeministër,

Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen dhe mbi të gjitha faleminderit Njësisë Speciale Anti Informalitet për gjithë punën e kryer gjatë 5 muajve të fundit.

Të dhënat që prezantoi zëvendësministrja janë domethënëse. Ishin rreth 10 mijë tatimpagues që u targetuan dhe u analizuan nga njësia më vëmendje të veçantë. Këto tatimpagues kanë 97 mijë të punësuar. Pra, 51 mijë prej 97 mijë të punësuarish kanë rritur pagat dhe i kanë rritur me mbi 10 mijë lekë të reja. Kjo na tregon se si duhet të ecim në vijim me këtë qasje ndaj dukurisë së mos deklarimit të pagave.

Është e rëndësishme që ky model, pra analiza e riskut, përqendrimi në disa tatimpagues të cilët janë më me risk, të vazhdojë dhe të jetë pjesë integrale e punës së administratës tatimore, e cila do të vijojë me këtë qasje duke targetuar sektorë të ndryshëm dy herë në vit, me qëllim që ky reagim që ka qenë në tatimpaguesit e targetuar të jetë për të gjithë popullatën e tatimpaguesve.

Zëvendësministrja paraqiti të gjithë gjetjet dhe penalitetet. Dukuria e korrektimit të pagave, por edhe dukuria e mos pagesës së punës në orët jashtë orarit, të mos pagesës së punës gjatë fundjavës, në turnin e dytë dhe në turnin e tretë, dukuria e parregullsive në kontratat e punës, janë dukuri të përhapura jo vetëm në 10 mijë tatimpaguesit e targetuar, jo vetëm në 20 tatimpaguesit e kontrolluar, por në të gjithë popullatën.

Kjo do të thotë se Inspektoriati i Punës do të vazhdojë punën e vet duke u përqendruar gjithashtu në modele dhe analiza risku me qëllim që dalëngadalë ky proces të përmirësohet.

Unë dua t’i bëj thirrje të gjithë tatimpaguesve në fushën e sigurimeve që të mos e përdorin bonusin me qëllim fshehjen e pagesës së detyrimeve tatimore. Të mos përdorin forma të tjera pagesash, por të përdorin ato forma pagesash të cilat janë të parashikuara në ligj. Si tregu i sigurimeve ka dhe tregje të tjera të ngjashme, ku kemi tregun e pasurive të paluajtshme, apo të tjera shërbime që kryhen në këtë formë.

Gjithë kjo analizë dhe gjithë kjo punë e bërë na shërbeu për të hedhur më shumë dritë aty ku duhet të veprojmë dhe shumë shpejt, nga data 1 qershor ne do të paraqesim ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili pikërisht do të targetojë profesionalet e lira. Do të targetojë ato profesione të cilat sot individët çelin biznese, ia sheshin bizneseve të tjera si shërbime duke eliminuar pagesën e taksave. Kjo, nga hyrja në fuqi e ligjit që do të prezantohet së shpejti, nuk do të jetë më e mundur pasi të gjitha profesionet e lira do të duhet të paguajnë tatimin në bazë të këtij ligji.

Nga ana tjetër, në bazë edhe të Këshillimit Kombëtar, ne kemi marrë masa dhe kemi analizuar aty ku duhet të ndërhyjmë me përshkallëzimin e gjobave, qoftë për evazionin, qoftë për mos deklarimin e pagave.

Më konkretisht, ne do të bëjmë disa ndryshime në ligjin “Për procedurat tatimore” dhe për të gjitha shkeljet administrative apo ato shkelje që përbëjnë evazion tatimor, nëse më parë kishte një rivlerësim apo një gjobë të barabartë me 100 % të totalit të rivlerësimit, tashmë do të shkojmë në 200 %.

Nga ana tjetër, do të dyfishojmë penalitetet për mosdeklarimin e punonjësve dhe fshehjen e pagës për të gjithë bizneset e mëdha.

Gjithashtu, do të dyfishojmë dhe masën për mosdeklarimin e pagës së saktë nga punonjësi.

Këto sa i përket legjislacionit tatimor.

Përsa i përket legjislacionit për inspektimin në punë, nuk do të jetë mundësia e dhënies së një rekomandimi për bizneset, por edhe aty do të kalojmë automatikisht në penalitete.

Ne këto penalitete i përshkallëzojmë jo për arsye sepse duam të vendosim penalitete dhe duam të gjobisim bizneset, por ne duam të rrisim ndërgjegjësimin, duam të bëjmë të mundur që bizneset të mos kryejnë më evazion në drejtim të mos deklarimit të pagave.

Kjo është një masë për të nxitur akoma më shumë vetë deklarimin, e cila në bashkëpunim me gjithë komunikimin që Administrata Tatimore dhe Inspektoriati i Punës do të kryejnë në muajt në vijim, urojmë që të japë rezultatet e punës që njësia antiinformalitet ka dhënë deri tani.

Faleminderit.

 

Fjala e Zv.Ministres Vjero:

I nderuar z. Kryeministër,

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni të ndaj me ju disa nga gjetjet kryesore të punës së Njësisë Anti Informalitet, e cila është krijuar në fund të muajit dhjetor, me synim evidentimin e atyre sektorëve të tatimpaguesve të cilët prezantojnë risk dhe dukshëm nuk deklarojnë nivelin e pagave, krahasuar me sektorë të tjerë apo edhe me tatimpagues të ngjashëm. Po vijoj menjëherë me gjetjet:

Ne kemi konstatuar gjatë kësaj periudhe në numrin e targetuar të tatimpaguesve me risk dhe më tej në kontrollet që kemi ndërmarrë se ka një mangësi në elementët e kontratave të punës, ku mungojnë specifikimet për elementë të pagës, ka elementë në disfavor të punëmarrësve dhe janë rreth 460 punonjës apo 51 % e punonjësve të cilët janë kontrolluar që prezantojnë të tilla problematika në kontratat e punës.

Kemi problematika të cilat lidhen me mos dhënien e shtesave mbi pagë për punën e kryer përtej kohës normale, ku janë 374 punëmarrës apo 42 % e punëmarrësve të cilët janë të punësuar pranë subjekteve që janë kontrolluar dhe që prezantojnë të tilla problematika, apo mos dhënie të shtesave mbi pagë për punën e kryer me turne dhe këtu kemi evidentuar një numër të madh të punëmarrësve të cilët nuk i përfitojnë këto shtesa.

Në shumë raste kemi gjetur dhe fenomenin e dhënies së pagave jashtë sistemit bankar dhe janë të shumtë punëmarrësit, janë të shumtë tatimpaguesit, ku ne kemi parë këtë fenomen, apo edhe raste të punonjësve të padeklaruar. Ka shumë raste ku në kantieret e punës apo qoftë edhe në kompani tregtimi apo në fushën e ndërtimit ku ky fenomen është më shumë i përhapur. Ne kemi vërejtur punonjës të cilët janë të paregjistruar dhe më tej janë drejtuar për tu regjistruar pranë inspektorateve përkatëse.

Ne kemi ushtruar kontrolle në disa sektorë të rëndësishëm, siç është ai i sigurimeve, i tregtisë, i ndërtimit dhe kemi vënë re pikërisht në sektorin e sigurimeve shumë devijime për deklarimin e pagës. Janë evidentuar 150 punëmarrës të cilët konsiderohen si agjentë sigurimi dhe përfitojnë nga bonuse të caktuara nga kompania, kur në fakt mendojmë se nuk kemi të bëjmë me bonuse por kemi të bëjmë me pagesa të cilat jepen më tej për të kompensuar pagën e deklaruar. Në këtë sektor mendojmë se më tej duhet të shtrijmë dhe kontrollet sektoriale. Mendojmë se në këtë sektor ka shumë për të korrektuar, një fenomen të tillë të cilin e kemi konstatuar në një kompani të madhe, por padyshim është i shtrirë edhe në kompani të ngjashme po të këtij sektori.

Kontrollet tona janë përqendruar edhe në kontrollin e individëve, të punësuar pranë tatimpaguesve me risk ku nga intervistimet e para që ne kemi bërë dhe kontaktet apo verifikimet që kemi bërë me individët vërejmë, dukshëm edhe përmes deklarimit të tyre, se këta individë në fakt paguhen jashtë sistemit bankar dhe paga e tyre është tejet e ulët, jo vetëm për sektorin, por për të justifikuar në shumë raste edhe stilin e jetesës, mënyrën e jetesës së individëve.

Si rezultat i punës së Njësisë, e cila ka kryer kontrolle në një numër të kufizuar tatimpaguesish, edhe pse fenomenet janë të mëdha, ne kemi arritur që 52 % e pozicioneve të punës me pagë minimale janë ulur. Pra, ne kemi një numër të konsiderueshëm të pozicioneve të punës me pagë minimale, por tashmë shikojmë që kemi një rënie me 52 % për 10 mijë tatimpagues të konsideruar me risk, ndërkohë që jemi shumë të kënaqur që edhe pjesë tjetër, pra e gjithë numrit të tatimpaguesve të cilët janë informuar në mënyrë intensive nga ne është vënë re që është ulur me 23 % apo me rreth 60 mijë numri i pozicioneve të punës me pagë minimale.

Gjithashtu, paga mesatare gjatë muajit mars ka pësuar një rritje, është 10.517 për të gjithë tatimpaguesit e konsideruar me risk, ndërkohë që kemi një rritje të mirë dhe të pagesave të kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si për tatimpaguesit e konsideruar me risk ku rritja është 5 %, ndërkohë dhe të gjithë tatimpaguesit e tjerë kanë reaguar pozitivisht me një rritje 7 % të pagesave të kontributeve.

Është rritur numri i tatimpaguesve që deklarojnë rritje të pagës nga 33 % në 58 % për tatimpaguesit me risk, të cilët kanë qenë dhe objekt i kontrollit, ndërkohë që për të gjithë numrin e tatimpaguesve kemi një rritje pozitive sepse 26 % e tyre kanë reaguar duke rritur në mënyrë vullnetare pagat dhe këtë e dëshmoi edhe listë pagesa e muajit mars, sepse këto janë dhe bazat krahasimore që ne kemi marrë dhe kemi vlerësuar edhe rezultatet e njësisë.

Është arritur dhe një reduktim i punonjësve me pagë minimale për periudhën janar-mars për subjektet e kontrolluara, nga 71.9 % në 48.3 %. Kjo është një shifër shumë domethënëse dhe bëhet fjalë për një numër të kufizuar tatimpaguesish ku njësia është përqendruar të kontrollet direkte të targetuara specifike. Imagjinoni se sa e madhe është mundësia për të gjithë tatimpaguesit për tu vetë korrektuar, por njëkohësisht dhe për administratën tatimore për të vijuar më tej gjithë këtë proces pune të ngritur në bazë të një vlerësimi shumë të qartë të riskut dhe të profileve të riskut të vlerësuara qartazi të cilat nuk na zhgënjyen sepse realisht treguan atë se çfarë dhe ne e kishim si perceptim por që u faktua në realitet, nën deklarimi i pagave.

Këto janë disa prej gjetjeve dhe reagimit të masës së tatimpaguesve. Megjithatë, doja të theksoja që janë vendosur një sërë masash administrative. Po ashtu edhe janë bërë shumë rivlerësime në shifra të kënaqshme nga puna e njësisë, por padiskutim që qëllimi i Njësisë nuk është vetëm ashpërsimi i masave, por është vetëkorrigjimi dhe vetë deklarimi i tatimpaguesve me risk dhe njëkohësisht gjithë numrit të tatimpaguesve.