Postuar më: 25/11/2021

Kuvendi miraton projektbuxhetin dhe paketën fiskale 2022

Ministrja Ibrahimaj: Projektbuxheti 2022 mbështet rritjen e qëndrueshme ekonomike, shtresat në nevojë dhe investimet

Kuvendi i Shqipërisë miratoi Projektbuxhetin e shtetit për vitin 2022 dhe Paketën Fiskale që e shoqëron atë.

Në fjalën e saj para deputetëve, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë tha se projektbuxheti mbështet shtresat në nevojë dhe investimet, me qëllim që të arrihet një rritje ekonomike e qëndrueshme në vitet në vijim.

Investimet publike për vitin e ardhshëm parashikohet të jenë rreth 6.4 % e Produktit të Brendshëm Bruto, shifër është më e lartë se sa norma e pritshme e rritjes ekonomike.

“Këto shpenzime do të çojnë në rritje ekonomike në vitin në vijim. Janë shpenzime shumë më të larta se sa mesatarja e vendeve të OECD-së që varion nga 3-3.1 % dhe sigurisht janë më të larta se sa mesatarja jonë e 10 viteve të fundit që ka qenë rreth 5 % e PBB-së.  Ne mendojmë se politikat e zgjedhura, duke injektuar stimuj fiskalë në ekonomi, janë të duhurat dhe janë politika që do të na lejojnë të vijojmë zhvillimin ekonomik dhe të rrisim mirëqenien e qytetarëve”, u shpreh Ibrahimaj.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj argumentoi me shifra se shpenzimet buxhetore për personelin dhe administratën publike nuk janë të fryra, ashtu siç pretendohet nga opozita, pasi ato janë më të ulëta se sa në vendet e rajonit dhe në vendet e BE-së.

Buxheti 2022 ka parashikuar rreth 57.8 miliardë lekë shpenzime operative dhe të mirëmbajtjes.  Ministrja hodhi poshtë pretendimet se këto shpenzime janë shpenzime luksi të administratës, duke përmendur disa zëra të tyre si: 3.2 miliardë lekë shkojnë për mbështetje direkte ndaj fermerëve; 4 miliardë lekë  për mirëmbajtje të sistemeve të IT-së, të cilat kanë shërbyer për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve; 8.3 miliardë lekë për mbrojtjen,  2,7 miliardë lekë për funksionimin e institucioneve të Drejtësisë,  2.1 miliardë lekë që shkojnë për Policinë e Shtetit, etj.

Sa i përket Paketës Fiskale 2022, Ministrja prezantoi para deputetëve ndryshimet ligjore të parashikuara dhe tha se qeveria ka vendosur që për vitin 2022 dhe në vijim të reduktojë përjashtimet dhe hapësirat që krijohen nga politika fiskale, dhe të ardhurat që do të mblidhen nga këto hapësira të shkojnë në mbështetje të sektorëve prioritarë.

“Dua të garantoj përgjegjshmërinë e këtyre politikave të cilave ne po aplikojmë, të cilat janë pjesë e një strategjie që është e mirë konsultuar me FMN, e një strategjie që pritet të dalë për konsultim publik që nga fillimi i vitit të ardhshëm. Kjo strategji  synon rritjen eficencës së mbledhjes së të ardhurave nëpërmjet miradministrimit tatimor dhe doganor dhe rritjen e eficencës së mbledhjes së të ardhurave nëpërmjet politikave të mira fiskale, të cilat duhet të ulin hapësirat për evazion dhe abuzim”, tha Ministrja.

 

Fjala e Ministres Ibrahimaj në Kuvend-Buxheti dhe Paketa fiskale 2022

E nderuar kryetare e Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

U bë tashmë një muaj intensiv, gjatë të cilit kemi folur, kemi diskutuar dhe kemi marrë mendime nga të dyja anët e kësaj salle, si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita. Në shumë raste mendimet kanë qenë të vlefshme dhe na kanë bërë të reflektojmë në shifrat e buxhetit dhe në vendimmarrjet tona.

Unë dua ta filloj fjalën duke përmendur shpenzimet buxhetore. Në shumë raste kemi diskutuar në komisione parlamentare për shpenzimet. Ka pasur aludime për shpenzime luksi, ka pasur aludime për komponentë të shpenzimeve të personelit të cilat, të them të drejtën, nuk qëndrojnë. Mua më pëlqen të flas me shifra, më pëlqen të flas me krahasime me vendet e tjera dhe nuk më pëlqen të flas me aludime.

Për shpenzimet e personelit dua të çmitizoj perceptimin e kësaj administrate publike të fryrë, pasi aktualisht në Shqipëri janë më të ulëta se sa në vendet e tjera të rajonit dhe në shumë vende të tjera të botës. Dua të përmend disa raste.

Në Shqipëri janë 616 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Në Serbi janë 690 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Në Maqedoninë e Veriut janë 638 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Në Malin e Zi janë 955 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Në Francë janë 812 punonjës për 10 mijë banorë. Në Kroaci janë 714 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Mund ta vazhdoj këtë listë shumë gjatë, por dua të them se numri i punonjësve publikë që në kemi sot është më i ulët se sa ai i vendeve fqinje apo ai vendeve të BE-së.

Në buxhetin që pritet të miratohet sot nen për nen ne kemi shtuar disa punonjës publikë dhe për këtë ka pasur debat dhe diskutim për arsyen se pse i shtojmë. Unë dua të theksoj që ne shtojmë punonjës publikë në drejtësi, shtojmë punonjës publikë në auditimin e jashtëm, shtojmë punonjës publikë në administrimin e ndihmës së huaj, e cila do të vijë në rritje në vitet në vijim dhe do të kemi nevojë për forca, do të kemi nevojë për punonjës të kualifikuar, për administratë të kualifikuar në mënyrë që të kemi një përthithje të këtyre fondeve që po na vijnë. Shtojmë punonjës publikë në Agjencinë e Bashkëqeverisjes, e cila ndër vite ka treguar që i ka zgjidhur problematikat shumë qytetarëve dhe do të vazhdojë ta bëjë.

Pra, të nderuar qytetarë, perceptimi i një administrate të fryrë dhe perceptimi i shifrave të fryra për të zhvilluar funksionet e vendit është i gabuar dhe është i tepërt.

Dua të vazhdoj te shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, ku kemi një vlerë totale prej 57.8 miliardë lekë të parashikuar për vitin 2022. Edhe këtu është përmendur se janë shpenzime luksi, të administratës, ndërkohë që nuk është kështu.

Në fakt, 40 % e këtyre shpenzimeve shkojnë për mbështetje direkte drejt fermerëve. Janë 3.2 miliardë lekë që shkojnë për mbështetje direkte ndaj fermerëve.

Janë 4 miliardë lekë që do të shkojnë për mirëmbajtje të sistemeve të IT-së, të cilat ne na kanë shërbyer për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve, për të përmirësuar eficencën e administratës publike.

Janë 8.3 miliardë lekë në këtë buxhet që shkojnë për mbrojtjen.

Janë 2,7 miliardë lekë që shkojnë për funksionimin e institucioneve të Drejtësisë.

Janë 2.1 miliardë lekë që shkojnë për Policinë e Shtetit.

Pra, aludimet për shpenzimet e luksit nuk qëndrojnë.

Pjesa tjetër e shpenzimeve kanë të bëjnë me emergjencat civile, me  menaxhimin e mbetjeve urbane, me zhvillimin ekonomik dhe të turizmit,  etj. Pra janë shpenzime esenciale për mbajtjen në funksion të administratës publike qendrore dhe për ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët.

Nga ana tjetër, do të reduktohen shpenzimet për subvencione, me qëllim që të kemi një rënie të mbështetjes financiare për këto sektorë, të cilët janë ineficentë. Ne do të synojmë rritjen e eficencës në sektorët që janë ineficentë.

Sa i përket Investimeve Publike:

Për vitin 2022 ne do të vazhdojmë të mbajmë një shifër të lartë të investimeve publike, rreth 6.4 % të Produktit të Brendshëm Bruto. Kjo shifër është e rëndësishme të theksohet sepse është më e lartë se sa norma e pritshme e rritjes ekonomike. Do të thotë se këto shpenzime do të çojnë në rritje ekonomike në vitin në vijim. Janë shpenzime shumë më të larta se sa mesatarja e vendeve të OECD-së që varion nga 3-3.1 % dhe sigurisht janë më të larta se sa mesatarja jonë e 10 viteve të fundit që ka qenë rreth 5 % e PBB-së.

Pra, ne mendojmë se politikat e zgjedhura, duke injektuar stimuj fiskalë në ekonomi, janë të duhurat dhe janë politika që do të na lejojnë të vijojmë zhvillimin ekonomik dhe të rrisim mirëqenien e qytetarëve.

Dua të theksoj se investimet publike do të jenë në sektorë që përfshijnë rrugët, ujësjellës-kanalizime, në sektorë strategjikë si turizmi, duke nxitur projekte të rëndësishme nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Por do të kemi edhe investime në infrastrukturë, në infrastrukturën e IT së shkollave, që do të na bëjnë të rrisim kapacitetin e gjithë nxënësve kudo që janë në IT, sepse kjo është kërkesa e tregut sot.

 

Arsimi ka një shifër të konsiderueshme prej 3,6% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe kjo shifër është më e larta në krahasim me 10 vitet e fundit, që ka pasur një mesatare nga 3.1-3.3 %. Kjo shifër është e lartë edhe duke konsideruar se çfarë peshe ka arsimi në shpenzimet e përgjithshme buxhetore. Mesatarisht në 4 vitet e fundit ka pasur një peshë rreth 10.8 %, ndërkohë që në vendet fqinje, në Serbi është 8.8%, Kroaci 10%, Rumani 9.4%,  Franca 9.6%, e kështu me radhë. Pra, arsimi është i rëndësishëm në shpenzimet buxhetore.

Në të njëjtën mënyrë mund të flas për shëndetësinë, e cila zë një peshë rreth 3.5 % të PBB-së në vitin 2022.

Nuk dua të përsëritem për mbrojtjen sociale, për ndihmën ekonomike që rritet me 10 %, për ndihmën ekonomike që dyfishohet dhe trefishohet për ato kategori që mendohet se ka më shumë nevojë.

Ky buxhet është një buxhet që mbështet të gjithë shtresat në nevojë dhe mbështet investimet me qëllim që ne të arrijmë një rritje të qëndrueshme në vitet në vijim.

Paketa Fiskale 2022

Përsa i përket Paketës Fiskale,

Qeveria jonë, në tetë vitet e kaluara, ka qenë shumë e kujdesshme me qëllim që të nxisë ato sektorë të cilët janë prioritarë. Nxitja në këto vite ka qenë duke ofruar incentiva fiskale. Ne mendonim se duke reduktuar taksat, këto taksa të reduktuara do të shkonin në xhepat e qytetarëve, do të shkonin në xhepat e fermerëve. Por nuk ka ndodhur kështu. Në fakt, të gjithë përjashtimet nga TVSH-ja nuk janë përkthyer në ulje të çmimeve. Dua të theksoj se edhe FMN-ja, në misionin e vet të fundit, nuk mbështet uljen e TVSH-së për produktet e shportës dhe kjo ndodh për një arsye. Arsyeja e vetme është ajo që sapo thashë, këto reduktime të normës së TVSH-së nuk përkthehen në ulje të çmimeve.

Ne gjatë vitit të kaluar rritëm pragun e TVSH-së, pra përjashtuam nga TVSH-ja të gjithë subjektet që operojnë nga 0 deri në 10 milionë lekë. Po marr një shembull, të gjithë furrat e bukës janë brenda kësaj kategorie. A u ul çmimi i bukës vjet? Jo nuk u ul. Kjo do të thotë që edhe nëse ne e lehtësuam biznesin, dhe në fakt qëllimi ishte të lehtësonim dhe të zhvillonim biznesin, ne nuk arritëm që të ulnim çmimet dhe kemi formuar bindjen që përjashtimet e TVSH, normat e reduktuara të TVSH-së nuk arrijnë në përfitime për qytetarët por janë përfitime për bizneset, që patjetër që duhen ndihmuar. Por, qeveria është këtu që të garantojë që paratë që hedh apo paratë që nuk mbledh të shkojnë të qytetarët, të shkojnë te fermerët dhe jo vetëm te biznesi.

Në vijim të bisedës që Kryeministri sapo bëri me fermerët, rezultati ishte ky. Ato politika fiskale të cilat ne kemi mbajtur gjatë viteve të kaluara, pra kompensimi i vlerës 6 % të TVSH-së nuk ka arritur te fermerët. Ajo që kemi vendosur të bëjmë këtë vit dhe në vitet në vijim është të reduktojmë përjashtimet, të reduktojmë të gjithë hapësirat që krijohen nga politika fiskale dhe këto lek që do të mblidhen nga këto hapësira do të shkojnë në mbështetje të sektorëve prioritarë. Siç bëmë këtë vit. Hoqëm përjashtimin 6 % dhe këto lekë shkojnë në buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë. Do të shkojnë në mënyrë të strukturuar, do të shkojnë në ato kultura të bujqësisë të cilat meritojnë të nxiten.

Në fakt Paketa Fiskale nuk merret vetëm me bujqësinë, ndonëse është sektori për të cilin është debatuar shumë.

Nëpërmjet Paketës Fiskale kemi një ndërhyrje në politikat fiskale të pagave, në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Ne rrisim pagën dysheme të pa tatueshme nga 30 mijë lekë në 40 mijë lekë. Për të gjithë atë kategori që paguhet me këtë pagë tatimi do të jetë zero.

Nga ana tjetër, përgjysmojmë tatimin për kategorinë nga 40 mijë lekë deri në 50 mijë lekë dhe ulim tatimin për shtresën e mesme, që përfshin kategorinë që paguhet nga 150 mijë lekë deri në 200 mijë lekë.

Është një numër i lartë individësh që përfitojnë nga kjo politikë dhe këtu duam t’i qëndrojmë fort politikës tonë të taksimit progresiv. Janë mbi 90 % e qytetarëve që ndër vite kanë përfituar nga kjo politikë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë. Ne i qëndrojmë fort politikës së taksimit progresiv dhe i logjikës që ai që paguhet më pak duhet të paguajë më pak.

Kemi bërë një ndërhyrje ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, edhe kjo e diskutuar shumë për sektorin e bujqësisë.

Këtu përsëri dua të ritheksoj që këto taksa, këto përjashtime, përjashtimi për inputet bujqësore nuk ka dhënë efektin e duhur në reduktimin e çmimeve të inputeve bujqësore në vitin që është aplikuar. Ne do të vijojmë të mbajmë një normë të reduktuar të TVSH-së, pra nuk po shkojmë te norma standard 20 %. Do të vijojmë ta incentivojmë sektorin, duke e mbajtur normën në 10 % dhe më lejoni të ritheksoj që të gjithë këto para që do të mblidhen shtesë nga TVSH-ja janë para që do të i shkojnë drejtpërdrejt sektorit të bujqësisë për mbështetje të fermerëve.

Kemi bërë një ndërhyrje në ligjin Për akcizat”.

Kjo ndërhyrje shkon në linjë me të gjitha direktivat e BE-së, ku produktet e dëmshme duhet të vijnë të taksuara më shumë. Produktet si duhani apo si pijet alkoolike duhet të taksohen. Me ndërhyrjen që kemi bërë në ligj kemi parashikuar një rritje çdo dy vite me normën e indeksimit të inflacionit për këto produkte, ndërkohë që për produktet e duhanit ka një skemë të diferencuar pasi është një kategori e cila në Shqipëri vjen më pak e taksuar se në të gjithë vendet e tjera të BE-së.

Kemi bërë një ndërhyrje tjetër, e cila po ashtu u debatua shumë, me një qëllim shumë të mirë, atë të mbrojtjes së sigurisë ushqimore. Ndërhyrja që kemi bërë në taksimin e qumështit pluhur. Qëllimi ynë është një, që produktet që çdo qytetar shqiptar konsumon duhet të jenë të kontrolluara. Që qumështi, djathi apo bulmetet të mos kenë përbërje të lartë qumështi pluhur apo nëse e kanë të jetë e shënuar në etiketa dhe të jetë e reklamuara pasi nuk jemi këtu vetëm për politika fiskale të cilat nxisin të ardhurat, por jemi këtu për politika fiskale të cilat nxisin dhe përgjegjshmërinë që kemi ndaj qytetarëve, dhe sigurinë ushqimore.

Nga ana tjetër, vendoset një taksë kombëtare për karburantet që furnizojnë jahtet. Ne kemi bërë një analizë, në të gjithë vendet e BE-së dhe të rajonit, për mënyrën e taksimit të kësaj kategorie. Në bashkëpunim me komisionet parlamentare kemi vendosur që këtë taksë ta mbajmë në nivelin 40 lekë. Ne duam të incentivojmë turizmin, duam që të jemi atraktivë për këtë kategori turizmi dhe kjo është arsyeja pse zgjodhëm nivelin më të ulët të taksës që ka në vendet e rajonit dhe në vendet e BE-së.

Gjithashtu, politikat tona fiskale dhe Paketa Fiskale që ju paraqitet sot për miratim final ka disa ndryshime në miradministrimin doganor dhe atë fiskal.

Në përmbyllje të fjalës sime unë dua të garantoj përgjegjshmërinë e këtyre politikave të cila ne po aplikojmë. Dua të garantoj që këto janë pjesë e një strategjie që është e mirë konsultuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e një strategjie që pritet të dalë për konsultim publik që nga fillimi i vitit të ardhshëm, e cila synon rritjen eficencës së mbledhjes së të ardhurave nëpërmjet miradministrimit tatimor dhe doganor dhe rritjen e eficencës së mbledhjes së të ardhurave nëpërmjet politikave të mira fiskale, të cilat duhet të ulin hapësirat për evazion dhe abuzim.

Ju ftoj ta miratoni Buxhetin dhe Paketën Fiskale.

Faleminderit.