Postuar më: 27/11/2014

Kuvendi miraton me 81 vota pro buxhetin 2015

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në seancë plenare ku miratoi në tërësi projektbuxhetin e shtetit për vitin 2015 dhe paketën fiskale. Projektligji “Për buxhetin e vitit 2015” ka marrë 81 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim.  Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar u miratua me 83 vota pro dhe 5 kundër. Po me kaq vota u miratuan dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare” të ndryshuar. Me 82 vota pro dhe 5 kundër u miratua projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.61/2012,“Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Ndërsa me 83 vota pro dhe 5 kundër u miratua projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr 9981, datë 8.9.2008,”Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se nga ulja e taksave vitin e fundit kanë përfituar 97 për qind e shqiptarëve.

“Ka një ngulmim propagandistik se në Shqipëri po rriten taksat, por në Shqipëri është viti i parë, që 97 për qind e shqiptarëve kanë përfituar nga ulja e taksave, krahasuar me shumë vite të shkuara që kur hyri në fuqi taksa famëkeqe e sheshtë, mbi të ardhurat personale. Nga kjo ulje taksash një polic ka përfituar 262 mijë lekë më shumë se sa nën qeverisjen e mëparshme; një mjek ka përfituar 238 mijë lekë më shumë; një infermier 313 mijë lekë më shumë; një mësues 265 mijë lekë më shumë, ndërsa një punonjës administrate ka përfituar 257 mijë lekë më shumë se sa nën qeverisjen e shkuar”, tha z. Rama.

Kryeministri komentoi dhe reformën në sistemin energjetik duke vlerësuar rezultatet e saj. “Kjo rrugë është intensive. Një arritje e parë konkrete e operacionit për ta ndarë Shqipërinë nga hajdutët e energjisë. Kemi futur në vijë një bashkërendim forcash me bankat e nivelit të dytë për të shlyer një borxh dramatik që nuk është përfshirë në listën e borxheve të cituara më lart. Është borxhi ndaj sipërmarrësve dhe prodhuesve privat të energjisë. 60 milionë euro. Bankat e nivelit të dytë kanë ardhur kanë takuar Ministrin e Energjisë dhe kanë kërkuar konfirmim nga qeveria për mos ndalojnë këtë operacion dhe në këtë mënyrë të disbursojnë 30 milionë euro për të shlyer prodhuesit privat. Është fillimi i uljes së çmimit nga prodhimi vendas dhe vendosja e prodhimit vendas në funksion të liberalizimit të tregut. Shqipëria plaçkë e madhe o burra, kush të marrë ndonjë copë dhe të pushtetërojmë duke e pushtetëruar. Kjo epokë ka marrë fund. Nuk jemi këtu për ta kthyer mbrapa, por jemi këtu për ta udhëhequr”, u shpreh kryeministri.

Duke folur për paketën fiskale, Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erjon Braçe tha se nisma synon marrjen e të gjitha masave për mbështetjen e prodhimit vendas në industrinë e rëndë, në manifaktura, në bujqësi, në peshkim dhe në përpunim të mineraleve dhe të produkteve të tjera për industrinë vendase.

Të rejat e fundit