Postuar më: 01/07/2021

Kuvendi miraton dy aktet normative të ndryshimeve në buxhet

-Denaj: Vaksinimi dhe rimëkëmbja e ekonomisë në fokus të Qeverisë

 

Parlamenti miratoi në seancë plenare dy aktet normative të propozuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të cilat lidhen me buxhetin e shtetit.

Ministrja Anila Denaj prezantoi para deputetëve Aktin Normativ Nr. 25, përmes të cilit ndryshohet ligji organik i buxhetit të shtetit dhe Aktit Normativ Nr. 26, përmes të cilit bëhen ndryshime dhe shtesa ligjore në ligjin e buxhetit të vitit 2021.

Ministrja informoi se ndryshimet në ligjin organik të buxhetit kanë si objektiv ofrimin me stimuj të nevojshëm fiskalë në krahun e shpenzimeve buxhetore për të vijuar me rimëkëmbjen e ekonomisë.

Ndërkaq, ndryshimet në ligjin e buxhetit të vitit 2021 kanë si objektiv vaksinimin e popullsisë kundër Covid-19 apo vijimin e financimeve për projekte infrastrukturore të rëndësishme për ekonominë, për rritjen e punësimit dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve.

Ministrja tha, se të dy aktet normative janë hartuar në vijim të situatës së krijuar nga pandemia dhe theksoi se kjo situatë u menaxhua më së miri edhe në raport me financat publike, duke ruajtur stabilitetin e tyre, duke vijuar investimet publike dhe rritjen e tyre në vitin 2021.

Sipas Denaj, këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e fundit për rritjen ekonomike për tremujorin e parë të vitit 2021, e cila rezulton në masën 5.53%.

“Nuk ka qenë e lehtë në raport me objektivin e qeverisë për të ruajtur objektivat makroekonomike, por ruajta e ekuilibrave makroekonomikë dhe vijimi i konsoldimin fiskal mbetet një nga objektivat kryesorë të qeverisë shqiptare. Propozimet që bëjmë sot kanë objektiv afatmesëm të njëjtin objektiv, por si objektiv primar kanë mbështetjen e qytetarëve dhe vijimin e angazhimeve, jo vetëm për vaksinimin masiv dhe për të siguruar financim për këtë gjë, por mbi të gjitha për të vijuar me projekte infrastrukturore shumë të rëndësishme që përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve dhe ekonominë në mënyrë të drejtpërdrejtë”, u shpreh Denaj.

 

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj bëri një përmbledhje të treguesve kryesorë makroenomikë për 5-mujorin e parë të vitit ku:

Të ardhurat totale për 5-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 104 % në raport me planin dhe në vlerën absolute 191.6 miliardë.

Shpenzimet buxhetore u realizuan në masën 97% në raport me  dhe në rreth 211.9 miliard Lek.

Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e pestë të vitit 2021 rezulton në 20.3 miliardë lekë.

“Sikurse e theksova pak më parë, treguesi i rritjes ekonomike për tremujorin e parë është 5.53%. Dua të theksoj se parashikimi për vitin 2021 është në 5 % rritje ekonomike dhe në afatmesëm me 4.5 % çdo vit respektiv”, tha Denaj.

 

Gjithashtu, Kuvendi miratoi dhe projektligjin: “Për ratifikimin e marrëveshjes së Garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për marrëveshjen e huas, ndërmjet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për linjën e kredisë për ASD”; dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KFW Frankfurt AM MAIN për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri – faza I”.

 

 

 

Fjala e plotë e Ministres Anila Denaj:

I nderuar Kryetar i Seancës,

Të nderuar Deputetë,

Të nderuar Qytetarë,

 

Situata e pandemisë në vitin e kaluar, por jo vetëm, edhe situata që trashëguam nga tërmeti i vitit 2019, kushtëzoi politikat fiskale dhe ecurinë e ekonomisë në Shqipëri dhe kudo.

Sot prezantojmë dy akte normative, të cilat kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe vijnë në vijim të situatës së vitit të kaluar, e cila nuk u menaxhua mirë vetëm në raport me pandeminë, por edhe në raport me financat publike, duke ruajtur një stabilitet të tyre, duke vijuar me investimet publike, duke i rritur ato në vitin 2021 dhe duke ardhur sot edhe me rezultate konkrete. Së fundmi, INSTAT publikoi të dhënat e tremujorit të parë të vitit për rritjen ekonomike, të cilat tregojnë se rritja ekonomike është në nivelin e parashikueshmërisë së këtij viti, në 5.53%.

 

Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë në raport me objektivin e qeverisë për të ruajtur objektivat makroekonomike, por ruajta e ekuilibrave makroekonomikë dhe vijimi i konsoldimin fiskal mbetet një nga objektivat kryesorë të qeverisë shqiptare.

Propozimet që bëjmë sot kanë objektiv afatmesëm të njëjtin objektiv, por si objektiv primar kanë mbështetjen e qytetarëve dhe vijimin e angazhimeve, jo vetëm për vaksinimin masiv dhe për të siguruar financim për këtë gjë, por mbi të gjitha për të vijuar me projekte infrastrukturore shumë të rëndësishme që përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve dhe ekonominë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

 

Nevoja për Aktin Normativ Nr. 25 ka si objektiv Ofrimin stimuj të nevojshëm fiskalë në krahun e shpenzimeve buxhetore për të vijuar me rimëkëmbjen e ekonomisë dhe në frymën e udhëzimeve fiskale të Komisionit Evropian për vendet e Bashkimit Evropian të datës 2 Qershor 2021, të cilat shtrijnë aplikimin e përjashtimeve fiskale edhe gjatë vitit 2022, gjykojmë që zgjerimi i stimujve fiskalë është i nevojshëm dhe për këtë vit.

Këto udhëzime të Komisioni Europian argumentojnë se politikat fiskale zgjeruese, gjatë periudhës 2021-2022 për vendet e BE, por po i marrim si referencë, synojnë implementimin e investimeve të reja publike dhe reformave të nevojshme strukturore.

Sigurisht që për ne kjo është në mënyrë të padiskutueshme një nevojë, për vetë procesin në të cilin jemi futur, por duhet të theksojmë që të gjithë stimujt e vendosur në vitin e kaluar kanë treguar eficencë, kanë rezultuar pozitivë dhe një nxitje e mëtejshme e tyre mendojmë se do të sjellë një rritje edhe më të lartë të gjithë treguesve makroekonomikë në afatmesëm.

Në Aktin Normativ Nr.25 ne kemi dy ndryshime dhe konkretisht amendimet që propozojmë janë:

  • Rregullat fiskale të mos aplikohen përjashtimisht për vitin 2021, si domosdoshmëri për fleksibilitetin e nevojshëm të buxhetit të shtetit.

 

  • Zbatimi i detyrimit ligjor të rregullit fiskal që balanca primare e buxhetit nuk mund të jetë më e vogël se sa zero, do të hyjë në fuqi në vitin 2024.

Theksoj se, pavarësisht këtij përjashtimi të përkohshëm dhe shtyrjes me një vit të këtij angazhimi, Qeveria Shqiptare, Ministria e Financave, mbetet plotësisht e angazhuar për t’ju rikthyer objektivit madhor të konsolidimit fiskal në afatmesëm, një konsolidim fiskal që në vitet normale e kemi krijuar si një domosdoshmëri, por edhe e kemi realizuar, për t’ju bërë referencë vitin 2019, në të gjithë treguesit fiskalë të përmirësuar përgjatë pesë viteve deri në atë moment.

Përpara se të kaloj në Aktin tjetër Normativ, i cili lidhet me disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 137, 2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, do të doja të bëja një përmbledhje të situatës 5-mujore të këtij viti, në raport me treguesit fiskalë që janë publikuar dhe dua të theksoj se për pak javë dalin edhe treguesit e periudhës 6-mujore, të cilët janë në të njëjtin trend pozitiv, në raport me të ardhurat.

 

Të ardhurat totale për 5-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 104 % në raport me planin dhe në vlerën absolute 191.6 miliardë.

Shpenzimet buxhetore u realizuan në masën 97% në raport me  dhe në rreth 211.9 miliard Lek.

Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e pestë të vitit 2021 rezulton në 20.3 miliardë lekë.

Sikurse e theksova pak më parë, treguesi i rritjes ekonomike për tremujorin e parë është 5.53%.

Dua të theksoj se parashikimi për vitin 2021 është në 5 % rritje ekonomike dhe në afatmesëm me 4.5 % çdo vit respektiv.

 

Një nga prioritet e deklaruara të Qeverisë Shqiptare, në mbështetje të rekomandimeve dhe sugjerimeve të OBSH dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve, është vaksinimi masiv i popullsisë.

Këtë vit kemi bërë disa akte normative. Sigurisht që për shumë nga personat që komentojnë buxhetin, ndryshimi i shpeshtë i buxhetit në periudhë 6-mujore është një element që ngre shqetësim, por dua të theksoj se pse kemi ndryshuar buxhetin tre herë me akte normative, në këtë parlament.

Akti i parë normativ i lidhur drejtpërdrejt me sigurimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor brenda një standardi të kërkuara europian dhe dy akte normative të lidhura drejtpërdrejt me vaksinimin.

Vijmë sot me një akt normativ i cili edhe njëherë e ka vaksinimin në fokus sepse është objektiv i qeverisë të sigurojë vaksinimin e gjithë popullsisë, duke u siguruar 2.2 milion personave një total prej 4.4 milion doza vaksinash.

Gjithashtu, është bërë një analizë dhe janë identifikuar nevojat emergjente, sidomos në raport me projektet infrastrukturore dhe është vlerësuar që rialokimet dhe nevojat për shtesa buxheti, në projekte që do të vijoj t’i listoj më pas, janë të domosdoshme jo vetëm të përfunduar këto projekte, por për për të qënë një stimul për ekonominë e për rrjedhojë dhe një mundësi për punësim të drejtpërdrejt në forcat aktive të punës.

Akti Normativ përcakton këto shtesa dhe ndryshime:

  • Shtesa në masën 2 miliardë lekë për Fondin Rezervë të buxhetit të shtetit, me qëllim financimin e:
    • Fushatës së vaksinimit anti-COVID19, në masën 1 miliardë lekë.
    • Projektit prioritar të Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me drone, për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në vlerë 1 miliardë lekë.
  • Shtesën në masën 200 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve për pjesmarrjen si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit në OKB.
  • Shtesën në masën 500 milionë lekë për financimin shtesë të nevojave të qerave të strehimit të familjeve të dëmtuara nga tërmeti.

Theksoj që buxheti i këtij viti, për këtë zë, ka qenë në masën e 1.5 miliardë lekë, pra ka pasur fonde të konsiderueshme. Megjithatë, ne kemi një angazhim ndaj të gjithë personave që janë sot në banesa të akomoduara me bonusin e qerasë, për t’i dhënë këto fonde deri në momentin që ato do të shkojnë në banesat e tyre të reja. Nëse do të lindë nevoja për më shumë fonde, do të jepen në vijim përgjatë gjithë vitit.

  • Shtesën në masën 1 miliardë lekë për AKSHI-n, me qëllim financimin e nevojave për mirëmbajtjen e sistemeve IT.
  • Financimin shtesë prej 4.8 miliardë lekë për projektet në Infrastrukturë në programin “Transporti Rrugor” ku përfshihen hapja e loteve të reja për “Ndërtimin e segmentit rrugor Unaza Veriore Tiranë”, “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i ri” dhe projektet aktuale Unazës së Tiranës, të cilat kanë avancuar me punimet fizike.
  • Financimin shtesë prej 3 miliardë lekë për projektet në vazhdim, të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
  • Financimin shtesë prej 2.5 miliardë lekë për projektet në vazhdim për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në shkallë vendi, për përmiresimin e furnizimit me uje të popullsisë.
  • Shtesën në masën 900 milionë lekë si transfertë specifike për Bashkinë Tiranë, për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
  • Financimin shtesë prej 2 miliardë lekë për projektet me financim të huaj në vazhdim “IPARD II”, dhe “Ndërtim By-Pass i Vlorës”, bazuar në ecurinë e mirë dhe pritshmëritë për realizimin e tij.
  • Financimin shtesë në masën 200 milionë lekë për godinën e Polit të Drejtësisë, bazuar në këstet e përcaktuara në kontratën përkatëse.

Nëse marrim gjithë shumën e shtesës në buxhet për shpenzimet buxhetore në 11.8 miliardë lekë, kjo krijon një rritje dhe të deficitit, i cili shkon në parametrat e vitit 2020, po ashtu edhe të nivelit të borxhit.

Ne nuk kemi rritur nivelin e të ardhurave pasi, edhe njëherë i kthehem akteve normative të këtij viti, të cilat kanë pasur një rritje të të ardhurave në raport me parashikimin deri në fund të vitit, mendojmë se janë brenda objektivave që mund të realizojmë dhe kthehemi me objektivin e balancës primare pozitive në vitin 2024 dhe konsolidimi fiskal të realizohet në afatmesëm, por që edhe shpenzimet buxhetore shumë të domosdoshme për popullsinë, si ato që lidhen me vaksinimin, ashtu edhe me infrastrukturën, të realizohen në kohë optimale.

Ju ftoj të aprovoni ndryshimet në ligjin organik dhe ato në ligjin e buxhetit të vitit 2021.

Faleminderit.