Postuar më: 08/07/2021

Kuvendi miraton disa projektligje, përafrohet legjislacioni me BE dhe mbështetet zgjerimi i tregtisë së lirë

Kuvendi i Shqipërisë miratoi disa projektligje, përmes të cilave ratifikohet vendimi i Këshillit të Stabilizim Asociimit Shqipëri – Bashkimi Europian, vendimi  i Komitetit të Përbashkët të CEFTA, vendimi i Komitetit të Përbashkët Shqipëri – EFTA, ndryshimi i marrëveshjeve bilaterale të bujqësisë me Zvicër-Lihtenshtejn dhe Islandën Shqipëri – EFTA.

Projektligjet kanë në thelb ndryshime lidhur me ‘produktet origjinuese’ dhe metodat e bashkëpunimit administrativ, në tri marrëveshjet e tregtisë së lirë që Shqipëria ka me vendet partnere.

Gjithashtu, projektligjet synojnë: zëvendësimin e  Protokolleve, mbi përkufizimin e konceptit “produkte origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ, në Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë që Shqipëria ka me Bashkimin Evropian dhe shtetet e saj anëtare, me EFTA dhe Shtetet e saj dhe CEFTA, me Rregullat e origjinës tranzitore të Konventës Pan-Euro-Mesdhetare.

Që nga viti 2013 ka filluar procesi i rishikimit të protokolleve të origjinës në marrëveshjet e tregtisë së lirë që Palët e Konventës kanë me njëra-tjetrën, me qëllim zëvendësimin e tyre me Konventën pan-Euro-Mesdhetare.

Palët kanë rënë dakord për një tërësi rregullash tranzitore që të hyjnë në fuqi më 1 shtator 2021.

Ndërsa prezantoi para deputetëve në seancë plenare projektligjet, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë tha se me miratimin e tyre përafrohet jo vetëm legjislacioni shqiptar me atë të BE, por ato ndihmojnë bizneset në lehtësimin e marrëdhënieve të drejtëpërdrejta me vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian.

“Me miratimin e këtyre projektligjeve përafrohet jo vetëm legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian, por ndihmohen shumë biznese që kanë marrëdhënie të drejtpërdrejta me vendet e BE dhe jo vetëm, për të realizuar shumë marrëdhënie bilaterale të cilat janë pjesë e marrëveshjes së lirë të tregtisë”, tha Denaj.

 

Këto rregulla të përbashkëta dhe unike do të lehtësojnë dhe zhvillojnë më tej tregtinë e ndërsjellët ndërmjet vendeve pjesëmarrëse sepse janë më të thjeshta dhe më fleksibël; lejojnë rishikimin dhe ndryshimin më të lehtë të rregullave të origjinës dhe rregullave të tjera të lidhura me to; si dhe përfshijnë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

 

“Këto vendime do të zbatohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Pas miratimit të tyre, Ministria përgjegjëse për Ekonominë dhe Financat do të vijojë me trajnimin dhe ndërgjegjësimin e bizneseve se pse këto marrëveshje janë të rëndësishme për të zgjeruar tregtinë e lirë e për të rritur më shumë eksportet dhe marrëdhëniet mes vendeve”, përfundoi fjalën e saj Ministrja Denaj.