Postuar më: 15/02/2021

Taksat kombëtare, Denaj: Ndërmorëm lehtësi fiskale në ndihmë të sektorit minerar

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e radhës plenare rrëzimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11.912, datë 11.01.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 151/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare” të ndryshuar”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë fjalës së saj nënvizoi se, projektligji u propozua në vazhdimësi të një sërë lehtësirash fiskale, që u ndërmorën gjatë vitit 2020, pasi ekonomia u hap dhe në kuadër të mbështetjes së biznesit.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka draftuar projektligjin në kuadër të propozimeve të ardhura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Shoqatës së Minierave të Shqipërisë dhe Shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë”, u shpreh Denaj.

Sipas ministres, ky projektligj u dërgua për mendim dhe në ministritë e tjera të linjës; në Ministrinë e Drejtësisë, në Ministrinë e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, në Ministrinë e Brendshme dhe në Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore. Kjo agjenci, e cila është edhe institucioni publik për çështjet vendore, që ka për mision dhënien e ndihmës për garantimin e vazhdueshmërisë së funksioneve dhe shërbimeve publike, në rolin e sekretariatit teknik u shpreh dakord me projekt-aktin, i cili kaloi dhe u miratua në Këshillin Konsultativ me vetëqeverisje vendore në datën 29 shtator të vitit 2020.

“MFE-ja, ashtu edhe çdo ministri linje ka për detyrë ligjore ndjekjen e të gjitha hapave, përpara se të kalojë dhe të aprovojë në këtë Parlament të nderuar ligjet e tij dhe departamentet ligjore sigurisht ti ndjekin që të gjitha këto janë masa të ndërmarra, por mbi të gjitha është shumë e rëndësishme të japim edhe një mesazh tjetër për sektorin dhe për të punësuarit në këtë sektor, të cilët në zona të caktuara kanë një mundësi të vetme këtë punësim dhe nuk mund të liheshin në baltë në një moment të vështirë, përveç krizës që ka goditur të gjithë sektorët”, përfundoi Denaj.