Postuar më: 11/11/2013

Kontrata me “Crown Agents”, 100 milionë euro përfitime

Kompania “Crown Agents” është e njohur në botë pasi e krijua afro 2 shekuj më parë dhe me aktivitet aktualisht në rreth 100 vende të botës, në të gjithë globin, vende të zhvilluara apo në zhvillim. Bashkëpunon me qeveri e organizma joqeveritare. Është me reputacion dhe zbaton standarde të larta.

Por qeveritë shqiptare, të majta apo të djathta, e njohin atë prej dy dekadash, pasi “Crown Agents” ka pasur programe me Shqipërinë dhe me doganat shqiptare që prej vitit 1992, 1995 e më tej.

 

Sot jemi në këtë mbledhje për një tjetër kontratë që Qeveria shqiptare kërkon të lidhë me “Crown Agents” për të asistuar/ndihmuar doganat shqiptare, në një periudhë bazë 2-vjeçare. Ju i keni kushtet e kontratës, pasi drafti është dorëzuar prej disa ditësh. Lidhur me projektligjin dhe kontratën dëshirojmë të tërheqim vëmendjen tuaj në disa momente që i gjykuam si më të rëndësishme dhe që kërkojnë natyrshëm më shumë shpjegime (kuptohet që të tjera çështje mund të sqarohen nëse do të kishit pyetje):

1.         Situata ekonomike në vend nuk është aspak e mirë. Pavarësisht nga argumentet boshe të ish-qeveritarëve, mbi supet e shqiptarëve rëndon një ekonomi e plagosur rëndë në disa drejtime. Kjo situatë kërkon ndreqje urgjente dhe ne po marrim masa po urgjente, sa në njohjen e plotë të situatës reale, aq edhe në veprime që do e sjellin ekonominë në rrugën e duhur.

2.         Detyrimet doganore janë një element thelbësor në mbushjen e arkës së zbrazët që na la qeveria e kaluar, me punën e dobët dhe aspak të përgjegjshme. Ne na duhet të rimarrim me çdo kusht situatën dhe të vjelim të ardhurat e duhura nga çdo biznes, në mënyrë të ndershme dhe të barabartë. Administrata publike dhe, në veçanti, ajo doganore duhet dhe do t’i kthehet punës serioze në mbledhjen e çdo leku që I takon buxhetit të shqiptarëve. Të gjithë e dimë dhe nuk kemi lënë rast pa e përmendur se doganierët janë ndër zyrtarët më të korruptuar në administratën shtetërore. Ne si qeveri nuk mund dhe nuk do të rrimë indiferent ndaj këtij fakti, përkundrazi, jemi të vendosur të ndërmarrim masa energjike për ta luftuar korrupsionin dhe për të kthyer besimin tek administrate publike dhe ajo doganore në veçanti. Në ndihmë të këtij objektivi kemi kërkuar dhe asistencën e “Crown Agents”, si një kompani me eksperiencë  dhe me rezultate konkrete në këtë drejtim, në botë, por sidomos në rajon.

3.         U gjykua, dhe besoj nuk ka shqiptar që nuk e kupton, se kjo çështje është urgjente. Urgjente jo vetëm për të mbushur arkën e buxhetit të shtetit që është lënë bosh, por edhe për të zbatuar drejtësinë, për të cilën morëm votat në 23 qershor. Kjo kompani, në mbështetje të administratës doganore, do të na ndihmojë që të gjitha bizneset në vend, pa asnjë përjashtim, të paguajnë detyrimet ndaj shtetit dhe jo disa të paguajnë miliona dhe të tjera biznese afër ofiqarëve qeveritarë të mos paguajnë për shtetin, por për xhepat e familjeve. Themi me bindje se edhe drejtësinë e rregullin do e vendosim për të ardhmen, por nuk do lemë pa vënë në vend edhe disa parregullsi e veprime kriminale që janë bërë në të shkuarën, që po i investigojmë me kujdes.

4.         Gjykuam që urgjenca të zgjidhet me përfshirjen e Kuvendit në këtë nismë të veçantë ligjore. Për të ruajtur elementë të domosdoshëm të transparencës, por edhe të korrektesës në marrëdhënie me Kuvendin, kemi sjellë projektligjin së bashku me draft kontratën përkatëse, ndryshe nga praktikat e deritanishme të qeverisë së shkuar që i jepte për miratim Kuvendit kontratën e firmosur, të bërë fakt më përpara.

5.         Projekti që po negociojmë është serioz, shumë rigoroz, i dobishëm dhe rezultativ e praktik për vendin, si nga aspekti i kostos së përgjithshme, ashtu dhe nga aspekti i treguesve kushtëzues të performances, ku elementët bazë janë:

•           Kushtëzimi me 25% të “pagesës në rrezik”, me ndarje 10% për rritje të të ardhurave doganore nga 10.1% e PBB mesatarisht në vite në 11% ose afro 100 milionë euro shtesë në buxhet, 10% me numrin e kontrolleve dhe kapjeve. 5% e pagesës është e lidhur me kualifikime, trajnime, etj., gjatë punës, të specialistëve tanë të doganave nga ekspertët e “Crown Agents”.

•           Kosto e përgjithshme e kontratës ndaj inputeve, ndonëse është sekret dhe nuk dihet saktësisht, duket se është më e ulëta, krahasuar me vendet përreth.

•           Eksperienca bullgare me këtë kompani ka sjellë që, në 3.5 vite, doganat bullgare kanë dyfishuar të ardhurat. Të ardhurat nga investimi i kryer kanë njohur përmirësim të ndjeshëm, madje vlerësohet se një program reforme ndër më të suksesshmit në dogana.

Të rejat e fundit

  • No posts found.
  •