Postuar më: 11/11/2021

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton në parim Projektbuxhetin dhe projektligjet e Paketës Fiskale 2022

Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi në parim projektbuxhetin dhe projektligjet e Paketës Fiskale për vitin 2022.

E pranishme në mbledhjen e komisionit ishte dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Gjatë diskutimit, Ministrja Ibrahimaj theksoi se projektbuxheti i vitit 2022 parashikon një rritje ekonomike prej 4.1 %, e cila është më e lartë se sa mesatarja e rritjes ekonomike të shënuar në vitet e fundit; një normë investimesh kapitale prej 6.4 % të GDP, mbi mesataren prej 5 % që ka qenë në vitet e fundit; uljen e nivelit të borxhit publik; rritje të mbështetjes për shtresat në nevojë dhe rritjen e mbështetjes të subvencioneve për fermerët.

“Sa i përket mbështetjes së fermerëve, në buxhetin e paraqitur, mbështetja  për subvencionet e fermerëve shkon në 3.2 miliardë nga 1.7 miliardë që ishte këtë vit, pra është gati dyfishuar”, vuri në dukje Ministrja.

Projektbuxheti 2022 është buxheti më i madh në historinë e shtetit shqiptar dhe fokusohet në disa prioritete si: vijimi i reformave strukturore për të garantuar rritje ekonomike dhe punësim; mbështetja e shtresave në nevojë; rritja e produktivitetit; forcimi i shtetit ligjor; digjitalizimi i ekonomisë; dhe vijimi i investimeve kyçe në infrastrukturë.

Gjithashtu, projektbuxheti 2022 mbështet sektorët kryesorë si arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, si dhe mbështet plotësisht procesin e rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Për vitin 2022, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 536.8 miliard lekë, me një rritje prej 7.8 % krahasuar me të ardhurat që priten të jenë deri në fund të vitit 2021.

Shpenzimet Buxhetore për vitin 2022 janë programuar në nivelin e 637.6 miliardë lekë ose 34.1% e Produktit të Brendshëm Bruto dhe në terma nominalë janë rreth 28 miliardë lekë më shumë se plani i përditësuar i shpenzimeve buxhetore për vitin 2021.

Investimet Publike janë planifikuar në masën 6.4% të PBB ose 119 miliardë lekë për vitin 2022, ndërkohë që parashikohen të qëndrojnë në nivele mbi 5 % të PBB-së në vitet 2023 dhe 2024.