Postuar më: 15/11/2021

Ibrahimaj: Projektbuxheti 2022, më i madhi në histori, synon zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe mbështet shtresat në nevojë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë prezanton projektbuxhetin 2022 në Kuvendin e Shqipërisë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë Projektbuxhetin e shtetit për vitin 2022.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se projektbuxheti 2022, i cili përbën buxhetin më të madh që vendi ka pasur ndonjëherë, ka dy objektiva madhorë, të cilët janë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe mbështetja e shtresave në nevojë.

Fokusi ynë do të jetë ekonomia dhe mirëqenia e qytetarëve. Nëpërmjet buxhetit 2022 ne do të synojmë përmirësimin e treguesve të ekonomisë reale dhe do të nxisim konsumin, duke rritur të ardhurat e disponueshme të çdo qytetari shqiptar”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja tha se projektbuxheti 2022 përqendrohet në disa prioritete kryesore, si: vijimin e reformave strukturore për të garantuar rritje ekonomike të qëndrueshme dhe punësim; mbështetja e shtresave në nevojë; rritja e produktivitetit; forcimi i shtetit ligjor; digjitalizimi i ekonomisë; dhe vijimi i investimeve kyçe në infrastrukturë.

“Rritja ekonomike parashikohet të jetë  4.1 % në vitin 2022 dhe pritet të mbetet në të njëjtin nivel përgjatë periudhës afatmesme. Më lejoni t’u kujtoj që në vitin 2013, rritja ekonomike ishte vetëm 1%. Ne arritëm ta stabilizonim në 4.07%. Ndërkohë, duke përballuar krizat, ne arritëm që rritjen ekonomike ta çojmë në 7.6% në vitin 2021, pas recesionit prej 4% të vitit të kaluar”, tha Ministrja.

 

Fjala e plotë Ministres Delina Ibrahimaj:

E nderuar Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar deputetë

Të nderuar qytetarë

Kam nderin të paraqes përpara jush sot dy objektivat madhorë të buxhetit 2022, të cilët janë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe mbështetja e shtresave në nevojë.

Ne përballuam me sukses dy fatkeqësi natyrore, në dy vitet e fundit.

Falë vullnetit politik, ne reaguam me shpejtësi dhe efikasitet, vijuam reformat strukturore dhe kthyem rritjen ekonomike në një trajektore rritëse.

Në 6 mujorin e parë rritja ekonomike është 11.7 %, më e larta në rajon.

Përpara kemi ende sfida të rëndësishme. Fokusi ynë do të jetë ekonomia dhe mirëqenia e qytetarëve.

Nëpërmjet buxhetit 2022 ne do të synojmë:

  • përmirësimin e treguesve të ekonomisë reale
  • do të nxisim konsumin, duke rritur të ardhurat e disponueshme të çdo qytetari shqiptar.

Çdo krizë na shfaq përpara edhe mundësi. Në buxhetin 2022 ne kemi reflektuar ndaj çdo mundësie që na ofroi situata e pandemisë, për të zhvilluar sektorin e digjitalizimit. Do të bëjmë orientimin e tregut të punës drejt këtyre zhvillimeve, si mundësi për punësimin e të rinjve.

Kjo sigurisht në bashkëpunim me biznesin, i cili është gjeneruesi kryesor i punësimit.

Në buxhet janë parashikuar instrumentet e duhur për të mbështetur sipërmarrjen, si garancitë sovrane apo skemat e subvencionimit për sektorë të ndryshëm.

Paralelisht, ne do të luftojmë evazionit fiskal dhe informalitetin, me qëllim garantimin e konkurrencës së lirë dhe të ndershme në treg.

Buxheti 2022 ofron një mbështetje të veçantë dhe të dedikuar ndaj grupeve më  vulnerabël .

Të nderuar deputetë dhe qytetarë!

Më lejoni të  bëj një prezantim të shkurtër të Projektbuxhetit 2022, që kemi sjellë sot për miratim në këtë seancë plenare:

Ky është buxheti më i të gjithë historisë së shtetit shqiptar, për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm ekonomik.

Ky dokument i rëndësishëm përqendrohet në disa prioritete kryesore:

  • Vijimin e reformave strukturore për të garantuar rritje ekonomike të qëndrueshme dhe punësim;
  • Mbështetja e shtresave në nevojë;
  • Rritja e produktivitetit;
  • Forcimi i shtetit ligjor;
  • digjitalizimi i ekonomisë
  • dhe vijimi i investimeve kyçe në infrastrukturë.

Rritja ekonomike parashikohet të jetë  4.1 % në vitin 2022 dhe pritet të mbetet në të njëjtin nivel përgjatë periudhës afatmesme. Më lejoni t’u kujtoj që në vitin 2013, rritja ekonomike ishte vetëm 1%. Ne arritëm ta stabilizonim në 4.07%. Ndërkohë, duke përballuar krizat, ne arritëm që rritjen ekonomike ta çojmë në 7.6% në vitin 2021, pas recesionit prej 4% të vitit të kaluar.

Rritja ekonomike na ka mundësuar që të mbështesim qytetarët, duke rritur mirëqenien e tyre dhe të ardhurat e disponueshme. Të dhënat tregojnë se rritja ekonomike ka qenë me bazë të gjerë. GDP-ja për banor është rritur nga 466 mijë lekë në vitin 2013568 mijë lekë në vitin 2020 dhe pritet që në vitin 2022 të shkojë 661 mijë lekë për banor, duke u rritur me 42 %, në krahasim me vitin 2013.  Kjo rritje parashikohet të vijojë dhe në periudhën afatmesme.

Treguesit kryesorë që kanë lidhje me mirëqenien e qytetarëve kanë pësuar përmirësim të vazhdueshëm. Në buxhetin 2022 janë përcaktuar prioritete për punësimin dhe aftësimin profesional, të cilët do të ndikojnë në uljen e mëtejshme të papunësisë. Në vitin 2013, papunësia ishte 16.4 %, ndërkohë që sot është 11.4 % dhe për vitin 2022 parashikohet 10.3 % . Në projektbuxhetin afatmesëm synojmë një normë papunësie një shifrore.

 

Të ardhurat totale në buxhetin e shtetit kanë njohur rritje të fortë falë politikës së duhur fiskale dhe mirë administrimit fiskal. Në vitin 2013, të ardhurat ishin 327 miliardë lekëve ose sa 24.8% e GDP dhe në vitin 2021 ato do të arrijnë në 484 miliardë lekë ose 28.8% e GDP.

Në vitin 2022, të ardhurat totale të buxhetit parashikohen të rriten më tej, në nivelin 536.8 miliardë lekë, me një rritje prej 64% nga viti 2013 ose 200 miliardë lekë më shumë.

Krahasuar me të pritshmin e vitit 2021, kjo rritje është rreth 7.8%. Ajo do të vijë si pasojë e jetësimit të Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave (MTRS), e cila synon të përmirësojë politikat tatimore për forcimin e mbledhjes së tatimeve, përputhshmërisë dhe sistemeve të monitorimi.

Në terma nominalë, shpenzimet buxhetore për vitin 2022 janë 637.6 miliardë lekë ose 34.1% e PBB, duke bërë kështu buxhetin më të madh të të gjitha kohërave, për të mbështetur rritjen ekonomike të qëndrueshme ekonomike dhe mirëfunksionimin e institucioneve shtetërore, në shërbim të qytetarëve

Investimet publike parashikohen  në vlerën 119.1 miliardë lekë ose  6,4%  e  PBB-së, ku përfshihen edhe fondi i rindërtimit në shumën 20 miliardë lekë, si dhe transferta kapitale për fondin e shpronësimeve me 1,8 miliardë lekë. Investimet publike janë dyfishuar që nga viti 2013, duke përbërë një stimul të fortë për rimëkëmbjen ekonomike dhe gjenerimin e punësimit.

Më lejoni t’ju kujtoj se këto investime janë 6.4 % të PBB-së, ndërsa investimet publike në vendet e OECD-së kanë një mesatare prej 3%. Pra, investimet që ne parashikojmë janë dyfish më shumë në krahasim me mesataren e vendeve të OECD.

Deficiti buxhetor për vitin 2022 planifikohet të jetë në nivelin  5,4 %  të  PBB-së  dhe  borxhi  publik  do të ulet në nivelin 78.6% të PBB, pra me rreth 1.4% kundrejt nivelit të pritshëm të vitit 2021.

 

Të nderuar qytetarë,

Projektbuxheti i vitit 2022 do të vijojnë të mbështesë:

  • Arsimin, gjithëpërfshirës dhe cilësor

Në buxhetin e vitit 2022  janë alokuar financime prej 3.6% të PBB-së.

Arsimi, me këtë shifër, arrin një rekord për sa i përket shpenzimeve në terma relativë, krahasuar me një mesatare 3.1-3.3% të observuar në 10 vitet e fundit, ndërkohë që  në krahasim me shpenzimet totale buxhetore përgjatë 4 viteve të fundit, mesatarisht arsimi ka mbuluar 10,8%.

Nëse do merrnim vitin 2019 si vit normal, para se pandemia COVID 19 të jepte efektet e saj negative, do të shikonim se Shqipëria ka shpenzuar për Arsimin rreth 11.3% të totalit të shpenzimeve publike, ndërkohë që Serbia ka shpenzuar 8.8%, Kroacia 10%, Rumania 9.4%, Gjermania 9.6% dhe Franca 9.6%. Pra, ne shpenzojmë më shumë në terma relativë.

Ky buxhet do të vijojë të mbështesë rritjen e pagave për arsimtarët në masën 6%, për rreth 36 mijë mësues të ciklit parauniversitar .

Më lejoni të theksoj se paga mesatare për mësuesit e shkollave 9 vjeçare, në vitin 2013 ishte 59,300 lekë, ndërkohë që sot është 74,500  lekë, pra është rritur me 27 %.

Në buxhetin e vitit 2022, një vëmendje të veçantë i  jepet  arsimit profesional, me fonde të parashikuara në rreth 3 miliardë lekë. 

Të dhënat zyrtare tregojnë se shanset e punësimit për personat me arsim të mesëm profesional janë 15,3% më të larta se sa për personat me arsim të mesëm.

Kjo na nxit që të vijojmë të mbështesim arsimin e mesëm profesional për të siguruar mjedise bashkëkohore për procesin mësimor dhe zhvillimin e praktikave profesionale.

Në këtë drejtim, në vitin 2022, do të punojmë për hartimin e një strategjie të re kombëtare për punësimin dhe aftësinë. Buxheti i vitit 2022 do të sigurojë që numri i nxënësve që ndjekin arsim profesional të shkojë në rreth 18.000 nxënës.

Do të bashkëpunojmë me biznesin dhe donatorët, për të rritur punësim rinor.

Premtimi ynë ndaj çdo të riu deri në 29 vjeç është t’i ofrojmë brenda 4 muajve një program punësimi e formimi, praktike profesionale, apo arsimimi të vazhduar.

Do të vazhdojë zbatimi i 7 programeve të nxitjes së punësimit të dizenjuar rishtazi, nga të cilët do të përfitojnë rreth 5,000 punëkërkues të papunë apo të regjistruar nga grupet në nevojë.

Gjithashtu, Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi do të vazhdojë ndërmjetësimin në punësim për rreth 30,000 punëkërkuesve.

 

  • Në sektorin e Shëndetësisë fokus do të jetë jetesa e shëndetshme në kohë pandemie.

Në vitin 2022, buxheti për shëndetësinë është 3.6 % e PBB, një rekord pozitiv për sa i përket alokimeve buxhetore në këtë sektor prioritar, kur mesatarja e 10 viteve të fundit ka qenë nga 2.8 në 3% të PBB.

Krahasuar me rajonin, kemi një diferencë relativisht të vogël për sa i përket përpjesës së shpenzimeve për Shëndetësinë publike ndaj totalit të shpenzimeve buxhetore. Nëse do merrnim vitin 2019 si vit normal krahasues, Shqipëria shpenzonte 10.2% të totalit, ndërkohë që Maqedonia e Veriut 11.7%, Kroacia 12.1% dhe Bullgaria 12.7%. Pra, ato shpenzojnë relativisht më shumë.

Buxheti i shëndetësisë mbështet rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët .

Më lejoni t’ju kujtoj se pagat për shërbimin spitalor për vitin 2022 janë rreth 65 % më të larta në krahasim me vitin 2013 ose rreth 50.000 lek në muaj.

 

  • Në buxhetin e vitit 2022 për Bujqësinë dhe zhvillimi rural, kemi parashikuar financimin më të madh të dhënë ndonjëherë nga buxheti i shtetit dhe nga burime të huaja ne tre dekadat e fundit, në 1 miliardë lek, në mbështetje të fermerëve shqiptarë. Këtu përfshihet dhe 1 miliardë lekë fond garancie për mbështetjen e këtyre fermerëve.

 

 

  • Buxheti në Infrastrukturë do të vijojë të mbështesë reformat strukturore për ndërtimin e rrugëve, porteve dhe aeroporteve, me qëllim garantimin e një ambienti të përshtatshëm që do të nxisë ekonominë dhe punësimin.

 

  • Në vitin 2022 janë alokuar 3% e PBB-së fonde për Mbështetjen e biznesit, i cili do të garantojë gjithashtu një rritje të qëndrueshme ekonomike.

 

Mbështetja dhe nxitja e sipërmarrjes do të realizohet nëpërmjet zbatimit të disa skemave:

 

  • Do të mbështeten ndërmarrjet prodhuese për të nxjerrë në treg produktin “Made in Albania”.

 

  • Do të disbursojmë një Garanci Sovrane me vlerë 1 miliard lekë për Manifakturën dhe Sipërmarrjen.

 

  • Do të hartojmë një Strategji të Eksporteve, e cila do të synojë ndërkombëtarizimin e produkteve tona në tregun rajonal dhe ndërkombëtar.

 

  • Do të fillojmë zbatimin e fazës së dytë të projektit Eu4innovation, të financuar nga Bashkimi Europian, ku një shumë prej 10 milion euro është menduar t’i shkojë projekteve të reja inovative. Nga këto, 4 milion euro janë grante;

 

Do të përqendrohemi  në zhvillimin e zinxhirit të vlerës për bimët medicinale, frutat dhe perimet, me një projekte të mbështetur nga qeveria zviceriane, me një fond prej 1.8 milion euro, duke u kujdesuar që të rritet produktiviteti që nga kultivuesi, grumbulluesi dhe deri tek eksportuesi.

Në fokus do të jenë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ku:

  • Do të mbështesim SME-të dhe Start Up-et me një grant prej 250 milion lekë, të alokuar në buxhetin e shtetit.
  • Do të përqendrohemi në trajnim, këshillimin dhe rritjen e SME-ve, me fokus SME-të në turizëm dhe agrobiznes, për të kapërcyer pasojat e pandemisë, nëpërmjet projektit të financuar nga qeveria gjermane me 4.2 milionë Euro.

 

  • Do të përqendrohemi në tërheqjen e investitorëve të huaj, si mjet për zhvillimit e një fushate për “outreach”, në aplikimin e databaseve ndërkombëtare për të arritur tek investitorët potencialë,

 

Me ndihmën e  Bankës Botërore,  do të ofrojmë për SME-të webinare të targetuara për tregtinë elektronike dhe dixhitalizmin, si dhe do të vazhdojmë projektin me Bankën Botërore në saj të të cilit do të mbështesim rreth 400 gra me aftësi në dixhitalizim.

 

Në projektbuxhetin e vitit 2022 një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet dhe shpenzimeve për infrastrukturën e IT, për administratën publike si dhe për të rinjtë e të rejat që do të kenë mundësi të përfitojnë më shumë dije dhe aftësi për të konkurruar denjësisht në të ardhmen në tregjet emergjente të teknologjisë së informacionit.

Reforma e digjitalizimit rrit cilësinë e shërbimeve ndaj biznesit dhe qytetarit, si dhe ndihmon në luftën kundër korrupsionit.

 

Investimet në digjitalizim përfshijnë ministritë përkatëse në sektorët e rendit, mbrojtjes, shëndetësisë, financave dhe ekonomisë dhe arsimin.

 

 

  • Një tjetër prioritet i projektbuxhetit 2022 është Mbrojtja sociale. Për këtë janë alokuar fonde sa 9.9% e PBB-së.

Buxheti 2022 ofron një mbështetje të veçantë për të gjitha shtresat në nevojë.

Me një zë të veçantë në skemën e sigurimeve shoqërore në buxhet parashikohet indeksimi i pensioneve prej 2.6 miliardë lekë dhe bonusi i fundvitit për pensionistët prej 3.5 miliardë lekë.

 

Gjithashtu, buxheti i vitit 2022 parashikon shpenzimet për pagesën e papunësisë në mbi 900 milionë lekë dhe për ish-të përndjekurit politikë me një fond prej 1 miliard lekë.

 

  • Për Drejtësinë dhe Rendin, buxheti i 2022 do të ketë fokus jetesën e sigurt, drejtësi dhe barazi ligjore. Drejtësia dhe rendi do të zënë 9% të buxhetit ndaj PBB-së.

 

  • Pushteti vendor është një tjetër prioritet i rëndësishëm.

Buxheti 2022 vijon të konfirmojë rritjen dhe stabilitetin e financave vendore. Shpenzimet e qeverisjes vendore për vitin 2022 do të jenë 59.7 miliard lekë me një rritje prej 3.3% krahasuar me vitin 2021 ose rreth dy herë më të larta krahasuar me vitin 2013, ku pjesa  më e madhe e tyre, mbi 60%, shkojnë për investime dhe shërbime publike për qytetarët.

Në buxhetin e vitit 2022 janë përfshirë dy skema shtesë financiare të cilat përfaqësojnë dy reforma të rëndësishme për vendin:

  • Fondi prej 1 miliard lekë ose 4 % e buxhetit vendor do shpërndahet nga niveli qendror për mbrojtjen civile.
  • Fondi prej 700 milion lekë, së bashku me disa përmirësime ligjore, do të financojnë mirë funksionin e menaxhimit të mbetjeve urbane në nivel vendor.

Kjo reformë parashikohet të ketë impakte pozitive në mbështetjen e turizmit në vendin tonë dhe për rrjedhojë në rritjen e ekonomisë në njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Kjo ishte një paraqitje e shkurtër e buxhetit të vitit 2022. Një plan i detajuar masash dhe reformash, në funksion të rimëkëmbjes ekonomike dhe qytetarëve, për të vazhduar rritjen e mirëqenies së tyre dhe për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë dhe më të sigurt, e sigurisht një vend më tërheqës për investitorët.

Faleminderit!