Postuar më: 25/04/2022

Ibrahimaj në takimet e pranverës me FMN dhe BB: Masat e marra nga Qeveria dhanë efektet në rritjen ekonomike të vendit

Efektet e luftës në Ukrainë, zhvillimet më të fundit ekonomike globale dhe ecuria e reformave në Shqipëri janë diskutuar në Takimet e Pranverës që ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, në SHBA.

Delegacioni shqiptar përfaqësohej nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe Guvernatori i BSH, Gent Sejko, të cilët gjatë datave 21-23  prill zhvilluan takime me drejtues të lartë të dy institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare.

Ministrja Ibrahimaj  zhvilloi takime me Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit Evropian, zj. Yan Sun, Shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, si dhe përfaqësues nga grupi i BB-së – zj. Anna Bjerde, Zëvendëspresidente për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore,dhe SuriSarvesh, Drejtor i Agjencia e Garancisë Shumëpalëshe të Investimeve,MIGA, grupi i Bankës Botërore.

Pikat kryesore të diskutimit gjatë takimeve ishin paraqitja e situatës aktuale makrofiskale si dhe parametrat kryesor ekonomike të Shqipërisë nën influencën e krizës së Ukrainës, situata pozitive dhe e favorshme përpara krizës, kriza energjetike, rritja e çmimeve, si dhe përgatitja e skenarëve të mundshëm për përballimin e krizës.

Gjithashtu, në këto takime u diskutuan dhe ecuria e reformave te nisura nga Qeveria shqiptare.

Nga të dy institucionet u vlerësuan këto reforma pasi kanë ndikuar pozitivisht në terma të rritjes ekonomike dhe zgjerimit të punësimit, çka tregon dhe qëndrueshmërinë e tyre.

Të dyja institucionet ndërkombëtare shprehën gatishmërinë e tyre për të mbështetur teknikisht dhe financiarisht reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare.