Postuar më: 12/11/2021

Ibrahimaj në Këshillin e Investimeve: Zhvillimi i NMVM, i rëndësishëm për ekonominë dhe punësimin

Këshilli i Investimeve zhvilloi mbledhjen e tij të radhës nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ku u diskutua mbi “Ndërkombëtarizimi i Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme: Sfidat dhe Mundësitë”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj,  në fjalën e saj hapëse vlerësoi rolin që ka luajtur dhe luan Këshilli i Investimeve në dialogun mes qeverisë dhe biznesit.

Ministrja theksoi faktin se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe punësimin, ndaj qeveria shqiptare ka ndjekur politika nxitëse dhe fiskale me qëllim zhvillimin dhe fuqizimin e tyre.

“Qeveria shqiptare ka pasur një fokus shumë të madh në ndërmarrjet e mesme të vogla. Ka ndjekur politika nxitëse dhe fiskale me qëllim nxitjen e tyre. Që prej këtij viti, të gjithë subjektet që janë me qarkullim deri në 10 milionë lek nuk paguajnë TVSH dhe ato që janë me qarkullim deri në 14 milionë lek nuk paguajnë tatim fitim. Kjo bëhet sigurisht me qëllim nxitjen e bizneseve dhe zhvillimin e tyre, duke qenë se numri i ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla është rreth 99 % e gjithë ndërmarrjeve të Shqipërisë, përbëjnë rreth 81 % të punësimit dhe përbëjnë rreth 68 % të investimeve totale të vendit”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj solli në vëmendjen faktin se Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka miratuar Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve.

Synimet kryesore të kësaj Strategjie janë:

  1. Tërheqja e investimeve dhe ndërkombëtarizimi,
  2. Zhvillimi i Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme,
  3. Zhvillimi i kapitalit njerëzor.

Sipas Ministres, nëpërmjet zbatimit të kësaj Strategjie, por edhe nismave të ndryshme të ndërmarra, si ato në kuadër të CEFTA-s apo Open Ballkan, synohet që të nxiten eksportet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe të mundësohet fuqizimi i tyre përmes eksporteve.

Gjithashtu, këto nisma kanë si objektiv zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe si rrjedhojë rritjen e produktivitetit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Mbledhja e Këshillit të Investimeve vijoi me një prezantim nga ana e Drejtores së Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, Diana Leka, mbi çështje që lidhen me ndërkombëtarizimin e NMVM-ve, përqendruar në Promovimin e Eksporteve dhe Integrimin e NMVM-ve në zinxhirin global të vlerës,  dhe më pas me diskutime nga pjesëmarrësit.