Postuar më: 30/09/2021

Ibrahimaj: Masat e Qeverisë në menaxhimin e krizave reflektuan kontributin pozitiv në rritjen ekonomike

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, së bashku me zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp, gjatë së cilës ndanë me mediat dhe opinionin publik të dhënat e Institutit të Statistikave mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto për tremujorin e dytë të vitit 2021.

 

Duke iu referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, Ministrja Ibrahimaj tha se ekonomia shqiptare u rrit me rreth 18 % në tremujorin e dytë të vitit.

 

Kjo shifër, theksoi Ministrja, jep sinjale pozitive për ecurinë e qëndrueshme ekonomike dhe për arritjen e objektivit për një rritje ekonomike prej 4.5% në vitet e ardhshme.

 

“Norma vjetore e Produktit të Brendshëm Bruto u zgjeruar me rreth 18%, ndërkohë që në tremujorin e parë të vitit ishte 5.5%. Pra, ka ardhur duke u rritur dhe duke u përmirësuar.  Në total, sa i përket gjashtëmujorit, ekonomia shqiptare u rrit me 11.7%, që është rritja më e madhe në rajon”, u shpreh Ministrja Delina Ibrahimaj.

 

 

Deklarata e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj:

 

Sot jemi përpara jush për të ndarë lajmet e mira që vijnë nga Instituti i Statistikave, nga llogaritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto për tremujorin e dytë të vitit 2021.

 

Ekonomia shqiptare, që në vitin 2020 tregoi që kishte aftësi rikuperuese dhe bizneset shqiptare treguan se kishin qëndrueshmëri për të përballuar jo vetëm krizën e pandemisë, por edhe krizën e tërmetit.

 

Në tremujorin e dytë të këtij viti rritja shënoi 18%, ose 17.9 % për të qënë më të saktë.

 

Kjo shifër na jep sinjale pozitive për ecurinë e qëndrueshme në të ardhmen dhe gjithashtu na bën besimplotë për politikat e ndërmarra tashmë  për rimëkëmbjen ekonomike, për garantimin e qëndrueshmërisë së saj dhe për arritjen e objektivit për një rritje ekonomike të qëndrueshme prej 4.5% në vitet e ardhshme.

Zbatimi i reformave të programit ambicioz të qeverisë dhe ecuria e deritanishme na bën besimplotë për këtë.

 

Norma vjetore e Produktit të Brendshëm Bruto u zgjeruar me rreth 18%, ndërkohë që në tremujorin e parë të vitit ishte 5.5%. Pra, ka ardhur duke u rritur dhe duke u përmirësuar.

Në total, sa i përket gjashtëmujorit, ekonomia shqiptare u rrit me 11.7%, që është rritja më e madhe në rajon.

 

Të gjithë ekonomitë e rajonit, përfshirë Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, kanë pasur një rritje më të ulët, e vetmja ka qenë Kosova që ka pasur një rritje dyshifrore, por nuk arrin rritjen ekonomike të Shqipërisë prej 11.7%.

 

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka rezultuar me bazë të gjerë, duke u mbështetur nga performanca e mirë e sektorit privat dhe nga kërkesa e brendshme.

 

Kontributi i kërkesës së brendshme në zgjerimin e aktivitetit ekonomik është 17.7 pikë përqindje nga rritja prej 17.9 , ndërkohë që kërkesa e huaj, si edhe vitin e kaluar, ka rezultuar e dobët. Megjithatë, kontributi i kërkesës së huaj ka ardhur si pasojë e rritjes së eksporteve, si edhe rritjes së importeve.

 

Aktiviteti ekonomik i shtuar ka çuar në rritje të tregtisë që ka nxitur më tej rritjen ekonomik.

 

Kontributi i sektorit privat, pra konsumi final i popullatës, ka ardhur në rritje, i mbështetur nga pagat e luftës, nga rritja e pagës minimale, nga rritja e kredisë konsumatore, pra të gjithë elementët e financimit të konsumit kanë ardhur në rritje, e gjithashtu shpenzimet e qytetarëve kanë ardhur në rritje.

 

Këto janë në linjë me masat e suksesshme të ndërmarra gjatë vitit të kaluar, ato që janë ndërmarrë këtë vit dhe ato që planifikohen të merren në të ardhmen për të garantuar një rritje të qenësishme të konsumit për periudhat në vijim.

 

Komponent tjetër pozitiv në kahun e shpenzimeve është formimi bruto i kapitalit fiks ose investimet.

 

Ndërkohë që kërkesa e jashtme, siç e thashë, ndonëse pozitive, ka pasur një kontribut më të ulët.

 

Sipas sektorëve të ekonomisë, sektori i industrisë, energjisë dhe ujit ka pasur një kontribut me 4.13 pikë përqindje, nisur nga ecuria pozitive e energjisë elektrike, por edhe nga ecuria pozitive e industrisë nxjerrëse.

 

Kontributin e dytë më të lartë e ka dhënë sektori i tregtisë, transporteve, akomodimit dhe shërbimeve ushqimore me 4.09 pikë përqindje, që reflekton rritjen e lartë të tregtisë me shumicë dhe të transportit, një degë e cila gjatë vitit të kaluar është prekur jo pak në pandemia.

 

Në vijim të ecurisë pozitive, sektori i  ndërtimit është ndikuar si nga investimet publike, ashtu edhe nga investimet private.

 

Kjo ecuri e deritanishme është një dëshmi e masave të suksesshme të qeverisë në lidhje me investimet në kuadër të rindërtimit pas tërmetit, si të  investimeve në infrastrukturë, të cilat do të vijojnë edhe në të ardhmen.

 

Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia gjithashtu kanë pasur kontribut pozitiv, duke reflektuar fushatën e suksesshme të vaksinimit të popullsisë si dhe investimet e tjera në sistemin shëndetësor, të cilat ndër vite janë ndërmarrë tashmë.

 

Një pjesë e aktiviteteve profesionale dhe shërbimeve të administratës kanë pasur gjithashtu një kontribut pozitiv, duke reflektuar ndërtimin e shkollave të reja apo qendrave sportive.

 

Pra, në të gjithë elementët e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe sektorëve, roli i qeverisë dhe i masave të ndërmarra prej saj është i prekshëm dhe i dukshëm.

Nga ana tjetër, edhe sektori financiar ka performuar mirë. Kjo performancë reflekton rritjen e shërbimeve bankare elektronike, të cilat nisën nga viti i kaluar dhe kanë vazhduar të kenë peshën e tyre në këtë rritje, si dhe rritjen e ndërmjetësimit financiar në rrjetin tradicional, por edhe ecurinë e qëndrueshme të kredisë për biznese për qëllime investimi.

 

Me kontribut negativ ka rezultuar vetëm sektori i bujqësisë, i cili në vëllim ka qenë në rritje, por efekti i çmimeve dhe i deflaorëve ka sjellë një ngadalësim të këtij sektori.

 

Duhet theksuar se gjatë vitit të kaluar, në tremujorin e dytë, kur të gjithë sektorët rezultuan me rënie, ky sektor ka qenë pozitiv pasi bujqësia pati një ecuri pozitive gjatë gjithë vitit 2020.

 

Këto zhvillime pozitive gjejnë mbështetje dhe në tregues të tjerë makroekonomikë. Siç e dini, papunësia ka ardhur në rënie, por edhe norma e inflacionit ka qenë e qëndrueshme, duke ndjekur nivelin e targetit të Bankës së Shqipërisë.

 

Mbështetja buxhetore dhe masat e qeverisë në menaxhimin e krizave, si dhe të gjitha masat që u përmendën nga zëvendëskryeministri, kanë reflektuar dukshëm në kontributin pozitiv në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke garantuar një performancë të mirë në rritjen ekonomike, me ndikim të drejtpërdrejtë në mirqënien e qytetarëve.

 

Faleminderit.