Postuar më: 04/11/2013

Fjala e ministrit z.Shkëlqim Cani, në konferencën e IEKA-s

Duke ju falënderuar për ftesën për të marrë pjesë në këtë konferencë të Federatës Ndërkombëtare të Ekspertëve Kontabël të Mesdheut, e cila organizohet këtu në Tiranë në bashkëpunim me IEKA-n, dëshiroj të shpreh kënaqësinë dhe përgëzimet e mia për zhvillimin e këtij aktiviteti, si dhe për fokusin e çështjeve që synohet të adresohen përmes kësaj konference ndërkombëtare.

 

Shtyllat që kjo konferencë fokuson si garantueset e një auditimi me cilësi të lartë, pra Standardet Ndërkombëtare të Auditimit, Etikën, Sigurimin e Cilësisë dhe Mbikëqyrjen Publike, dëshmojnë ndërgjegjësimin që profesioni i audituesit në Mesdhe dhe në Shqipëri ka për rolin dhe përgjegjësinë e vet publike. Kuadri ligjor dhe rregullator i profesionit të audituesit në Shqipëri është në linjë me direktivën e auditimit ligjor të BE-së (direktiva e tetë). Por, ndonëse profesioni është i mbikëqyrur në mënyrë të pavarur dhe zbaton një sistem të përshtatshëm të kontrollit të cilësisë dhe investigimit, përsëri ka nevojë për përmirësime.

Për qeverinë shqiptare, një raportim financiar i saktë, i drejtë, i ndershëm dhe i bazuar në parime dhe standarde ndërkombëtare, përbën gur themeli për një mjedis biznesi të shëndetshëm dhe inkurajues për aktivitetet ekonomike dhe financiare.

 

Në mënyrë të veçantë, këto ndikojnë në inkurajimin e Investimeve të Huaja Direkte, të cilat shihen nga qeveria shqiptare si një nga burimet kryesore të rritjes ekonomike të vendit. Për këto arsye, qeveria shqiptare po e adreson çështjen e përmirësimit të raportimit financiar përmes një strategjie që po zbatohet në bashkëpunim me Bankën Botërore.

 

Për t’u kthyer tek tema e konferencës së sotme, ne e shohim këtë profesion jo vetëm si garanci të certifikimit ligjor të raportimit financiar, por si një garanci të interesit publik dhe si një element, i cili ndikon në mënyrë të konsiderueshme në përmirësimin e cilësisë së pasqyrave financiare (që ne shqiptarët e dimë si i kemi dhe duhet t’i përmirësojmë doemos sa më shpejt). Vërejmë me kënaqësi që profesioni i audituesit, i inkuadruar nën organizatën profesionale IEKA, ka bërë hapa cilësore përpara, me gjithë kufizimet që rrjedhin nga specifikat e tregut në Shqipëri. Ky progres duhet të vazhdojë, pasi forcimi i auditimit dhe rritja e cilësisë së tij ndikojnë në konsolidimin fiskal, si dhe në lehtësimin e procesit të kreditimit të ekonomisë, duke qenë se autoriteti tatimor dhe bankat janë nga përdoruesit kryesorë të pasqyrave financiare, në kushtet e një tregu ende të pazhvilluar të kapitaleve.

Përveç sa më sipër, ndonëse profesioni është i mbikëqyrur në mënyrë të pavarur dhe zbaton një sistem të përshtatshëm të kontrollit të cilësisë dhe investigimit, përsëri ka nevojë për përmirësime.

 

Duhet të theksoj faktin se zhvillimet ndërkombëtare në dekadën e kaluar, kanë nxjerrë në pah pamjaftueshmërinë e mundësive vetërregulluese të profesionit të audituesit, kryesisht për shkak të kufizimeve objektive të natyrës së pavarësisë dhe të natyrës ekonomike. Për këtë arsye, si shprehje e nevojës së publikut për t’u garantuar maksimalisht për cilësinë e këtij shërbimi shumë të rëndësishëm, është ndërtuar dhe po konsolidohet Mbikëqyrja Publike e profesionit të audituesit. Bordi i Mbikëqyrjes Publike i krijuar në vitin 2009, është në një proces të vazhdueshëm të forcimit të kapaciteteve dhe është në fokusin e qeverisë shqiptare që ky institucion, nën frymën e legjislacionit shqiptar dhe atij europian, i cili ka përgjegjësinë përfundimtare për cilësinë e auditimit ligjor, të kryejë funksionet e veta të mbikëqyrjes së profesionit dhe të IEKA-s. Qeveria po përgatit ndryshime ligjore që synojnë forcimin e pavarësisë së anëtarëve të Bordit të Mbikëqyrjes Publike.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Qeveria shqiptare sheh si çelës të rritjes së cilësisë së auditimit ligjor, forcimin e sistemit të sigurimit të cilësisë së profesionit, funksionimi i të cilit, në kushtet aktuale, duhet të garantohet kryesisht nga organizata profesionale e audituesve ligjorë. Në bashkërendim me hapat e kësaj organizate në këtë drejtim, qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Bankën Botërore, po mbështet forcimin e sistemit të sigurimit të cilësisë së kësaj organizate, duke ndërtuar kornizën e brendshme rregullative në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Gjej rastin këtu të falënderoj Bankën Botërore për mbështetjen e saj nëpërmjet projektit REPARIS, i cili do të mundësojë reformimin e mëtejshëm të raportimit financiar, nëpërmjet ndërhyrjeve ligjore dhe institucionale që lidhen me hyrjen në profesion, rritjen e cilësisë së profesionit dhe të mbikëqyrjes së tij.

 

Në analizë të fundit, në vizionin tonë, sigurimi i cilësisë së auditimeve ligjore, për vetë rëndësinë që ka për publikun, nuk mund të jetë fryt i përpjekjeve të veçuara. Kombinimi i kapaciteteve profesionale të organizatës IEKA për sigurimin e cilësisë me mbikëqyrjen e pavarur nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike, do të prodhonte një sinergji, e cila do të sillte përmirësime cilësore në auditimin ligjor në Shqipëri. Ndërkohë, vetë profesionistët, anëtarë të organizatës, duhet të bëhen pjesë e kësaj strategjie duke investuar në njohjen dhe përdorimin sa më maksimal të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit, si nëpërmjet programeve të edukimit të vazhdueshëm, dhe në aplikimin e tyre në sistemet e brendshme të Kontrollit të Cilësisë. Më tej akoma, ajo kërkon angazhimin edhe të aktorëve të tjerë, siç janë organizatat e biznesit, tatimet, qendra e regjistrimit, etj., në një proces të madh që synon formalizimin e ekonomisë, rritjen e performancës dhe të transparencës.

 

Duke ju falënderuar edhe një herë për ftesën dhe mundësinë për të shprehur vizionin mbi zhvillimin e profesionit të audituesit ligjor në Shqipëri, i uroj konferencës punë të mbarë dhe suksese.

Të rejat e fundit

  • No posts found.
  •