Postuar më: 09/12/2013

Fjala e Ministrit të Financave, Z. Shkëlqim Cani për projektin italian

I nderuar zoti Zëvendëskryeministër,

I nderuar zoti Ambasador i Republikës së Italisë,

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

 

Pas disa takimeve të grupit të punës për të arritur në këtë njoftim publik sot, pata mundësinë të bashkëpunojë me Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Republikës së Italisë, zotin Massimo Gaiani, të cilin dua ta përshëndes për mbështetjen e fortë dhe inkurajimin për të ecur me këtë program. Ky program, një dhuratë në fakt nga Qeveria e Republikës së Italisë, meriton jo vetëm vëmendjen dhe përkushtimin tonë, por edhe mirënjohjen e thellë për atë që në vazhdimësi fqinjët tanë të matanë detit kanë bërë për vendin tonë në këto 22 vjet të ekonomisë së tregut të lirë.

Në kuadër të bashkëpunimit shumë të frytshëm ndërmjet dy Qeverive tona, Programi i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA) është instrument i ri mjaft pozitiv në bashkëpunimin për zhvillim midis dy palëve dhe ka rezultuar një nga programet më të suksesshme.

Programi IADSA synon të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm social dhe ekonomik të vendit, në përputhje me Strategjinë Kombëtare për zhvillim dhe integrim, me Strategjitë e përditësuara sektoriale dhe ndërsektoriale si dhe me Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit.

Me anë të këtij Programi realizohet financimi dhe zbatimi i projekteve të fokusuara në arsim, shëndet publik, përfshirje sociale dhe ekonomike të kategorive në nevojë, krijim i vendeve të reja të punës dhe zhvillim i qëndrueshëm i komunitetit rural në zonat e margjinalizuara.

Programi funksionon nëpërmjet Thirrjeve për Propozime Projektesh ku marrin pjesë institucionet publike shqiptare.

Thirrja e parë për propozime tregoi se interesi i institucioneve shqiptare si në nivel qendror, edhe në atë lokal ishte tepër i madh.

Projektet që janë përzgjedhur fituese në garën e parë, mbulojnë të gjitha fushat prioritare të thirrjes për propozim dhe shpërndarja e tyre gjeografike mbulon pothuajse të gjithë territorin e Shqipërisë. Ato, njëkohësisht, janë projekte të dukshme investimi me rezultate të matshme dhe konkrete, të cilat kanë filluar të kenë një ndikim mjaft pozitiv tek përfituesit në terren.

Thirrja e dytë për propozime që shpallet sot ka si objektiva specifike:

  1. Të kontribuojë për zhvillimin cilësor dhe gjithëpërfshirës të shërbimeve arsimore për të siguruar që asnjë fëmijë të mos mbetet pas dhe të reduktojë mospërputhjet gjinore;

 

  1. Të promovojë Arsimimin dhe Trajnimin Profesional (VET) në përputhje me kërkesat e tregut të punës, në mënyrë që të kontribuojë për zhvillimin e një shoqërie të përparuar të bazuar mbi njohuritë, përfshirë këtu dhe iniciativat e të mësuarit gjatë gjithë jetës;

 

  1. Të mbështesë sistemin publik të kujdesit shëndetësor parësor për të ofruar shërbime bazë efikase e me cilësi të mirë, të përmirësojë shëndetin e popullatës, duke trajtuar edhe pabarazitë në ofrimin e përkujdesit shëndetësor në zonat me disavantazhe;

 

  1. Të mbështesë programet e përkujdesit shëndetësor parandalues dhe fushatat për shëndetin publik, duke përfshirë dhe iniciativat për mbrojtjen e shëndetit;

 

  1. Të mbështesë përfshirjen sociale të atyre që janë në rrezik nga varfëria dhe përjashtimi social (për shembull, njerëzit me aftësi të kufizuar, minoritetet, fëmijët, të papunësuarit afatgjatë, veçanërisht ata me aftësi të ulët apo paaftësi profesionale dhe gratë e disavantazhuara);

 

  1. Të mbështesë programet e punësimit për të rinjtë, gratë në nevojë, personat me aftësi të kufizuar, romët dhe egjiptianët;

 

  1. Të inkurajojë territoret rurale të eksplorojnë mënyra të reja për të qëndruar apo për t’u bërë kompetitivë me qëllim tejkalimin e papunësisë.

 

Për të gjitha këto avantazhe që ofron Programi dhe për nevojat aq të ngutshme që ka, sidomos, pushteti vendor, nga kjo foltore kërkoj nga drejtuesit e pushtetit vendor, por edhe të ministrive që mbulojnë fushat objekt të këtij Programi, të përgatisin projekte konkrete në bashkëpunim me OJQ, në rast se nuk kanë ekspertizë të nevojshme, dhe të aplikojnë për të përfituar. Ndoshta sot fondet nuk janë aq sa të kënaqin kërkesat e të gjithëve, por ato, të jeni të sigurt, se do të rriten.

 

Përveç fjalëve më të mira dhe inkurajimit të aktorëve të këtij Programi, Ministria e Financave do të mbështesë këtë program së bashku me Ambasadën e Republikës së Italisë.

 

Faleminderit!

Të rejat e fundit

  • No posts found.
  •