Postuar më: 26/04/2022

Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale- Zhvillohet konferenca “Pronësia Intelektuale dhe Rinia: Inovacion për një të ardhme më të mirë”

Pronësia industriale dhe intelektuale kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik vendit. Për këtë arsye, qeveria shqiptare ka përcaktuar si prioritet të sajin reformimin e sistemit të pronësisë intelektuale, mbështetur në modelet dhe eksperiencat e vendeve të Bashkimit Europian, me qëllim arritjen e standardeve evropiane mbi mbrojtjen e kësaj pronësisë.

Me rastin e 26 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Pronësisë Intelektuale, u zhvillua konferenca me temë “Pronësia Intelektuale dhe Rinia – Inovacion për një të ardhme më të mirë”,  që është edhe slogani i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale për vitin 2022.

E organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, ky aktivitet mblodhi së bashku përfaqësues të disa institucioneve shtetërore të lidhura me pronësinë industriale dhe intelektuale, përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe nga bota akademike.

Diskutimet u përqendruan në arritjet e deritanishme dhe në objektivat që duhet të përmbushen në të ardhmen, me qëllim respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale dhe intelektuale në vendin tonë, ndërgjegjësimin e aktorëve të fushës për përfitimet nga këto të drejta, si dhe në nevojën për të ndërgjegjësuar të rinjtë për krijimet e mendjes njerëzore dhe rëndësinë që ka mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të pronësisë intelektuale.

I pranishëm në këtë aktivitet, zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia, shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të vijuar reformimin e sistemit të pronësisë intelektuale në vendin tonë.

“Politikat tona kanë të bëjnë me rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e sistemit të regjistrimit, administrimit dhe mbrojtjes së të drejtave që rrjedhin nga Pronësia Intelektuale, si të drejta që ushtrojnë një ndikim të fuqishëm në zhvillimin dhe mirëfunksionimin e ekonomisë në vendin tonë. Shpërndarja e subvencioneve qeveritare për Kërkim & Zhvillim apo krijimi i fondeve publike për institutet kërkimore shkencore janë politika që synojnë të japin drejtpërdrejt kontribut në risi duke ofruar stimuj për të investuar në punë kërkimore.  Në mënyrë specifike do të inkurajohen investimet në (kërkim dhe zhvillim), në sektorin privat dhe publik në vend, gjë që do të garantojë suksesin në treg”, u shpreh Kadia.

Tashmë qeveria ka miratuar reformën e plotë ligjore në fushën e pronësisë industriale, e përafruar gjerësisht me direktivat e BE-së dhe duke përmbushur një prej angazhimeve të nenit 73 të Marrëveshjes së Asociim – Stabilizimit, Kapitullit 7 “Pronësia Intelektuale” si dhe Planit Kombëtar të Integrimit Europian.

Po ashtu, është miratuar Strategjia Kombëtare e Pronësisë Intelektuale 2021-2025, e cila përbën një dokument i rëndësishëm për forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale në vend.

Strategjia synon nxitjen e ekonomisë shqiptare drejt një ekonomie inovative të bazuar në dije. Pjesë përbërëse e kësaj strategjie janë sigurimi i të drejtave të Pronësisë Intelektuale, mirëfunksionimi i sistemit gjyqësor, si dhe modernizimi i institucioneve të përfshira në sistem. Strategjia sugjeron që sistemi i PI duhet të inkurajojë transferimin e teknologjisë përmes tregut të transferimit të teknologjisë, në veçanti me shitjen dhe blerjen e teknologjisë së mbrojtur me patentë. Ajo gjithashtu i jep prioritet fushatave të ndërgjegjësimit në publik mbi rëndësinë e PI.

***

Të rinjtë e sotëm janë një burim i jashtëzakonshëm dhe kryesisht i pashfrytëzuar zgjuarsie dhe kreativiteti. Këtë vit, tema e Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale 2022 fokusohet te Pronësia Intelektuale dhe Rinia që inovojnë për një të ardhme më të mirë. Ne eksplorojmë se si këto mendje novatore, energjike dhe krijuese po nxisin ndryshime pozitive.

Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale 2022 është një mundësi për të rinjtë që të zbulojnë se si të drejtat e pronësisë intelektuale (PI) mund të mbështesin qëllimet e tyre, të ndihmojnë në transformimin e ideve të tyre në realitet, të gjenerojnë të ardhura, të krijojnë vende pune dhe të kenë një ndikim pozitiv në botën rreth tyre. Me të drejtat e PI, të rinjtë kanë akses në disa nga mjetet kryesore që u nevojiten për të avancuar ambiciet e tyre.