Postuar më: 08/06/2021

Denaj: Statusi OEA, thjeshton lëvizjen e mallrave në aspektin ekonomik dhe kohor

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj,  dhe  Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli,  zhvilluan një  vizitë në kompaninë “Mektrin Motors”, përfaqësues zyrtar(distributor) i markave  më të njohura të automjeteve.

“Mektrin Motors” ofron automjete të reja, makina të përdorura me garanci, mjete pune, mjete uji, pjesë këmbimi origjinale, servis të autorizuar dhe të standarteve më të larta europiane.

Me një eksperience prej vitesh në tregun shqiptar kjo kompani  ka aplikuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për përfitimin e statusit  Operator Ekonomik i Autorizuar.

Certifikata e statusit Operator Ekonomik i Autorizuar, e cila njihet në vendet e BE-së,  për një kompani shqiptare, u shpreh Ministrja Denaj gjatë vizitës në këtë kompani, bën që shërbimet doganore të jenë më të thjeshtuara në lëvizjen e lirë të mallrave në aspektin ekonomik dhe kohor.

Mbështetja e  sipërmarrjen në këtë drejtim nuk do të mungojë, tha Kreu i  Doganave Shqiptare, Genti Gazheli, duke motivuar biznesin  që të jetë bashkëpunues  dhe partner me ADSH, për përfitimin e këtij statusi.

Drejtuesi i kësaj kompanie Edmond Shahini,  shprehu falenderimet e tij në emër të  strukturave të cilat  në cdo moment, sipas tij, janë treguar të gatshëm në mbështetjen me asistecë teknike.

 

 

Vetëm pak ditë me parë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë,  Anila Denaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, dhanë certifikatat e para të statusit  Operator Ekonomik i Autorizuar për 4 kompani shqiptare, ndërkohë që dhe 4 sipërmarrje të tjera janë në proces për përfitimin e këtij statusi.